Kur bizneset e mëdha në vend konfirmojnë ulje të xhiros gjatë 2008-2009-ës, kjo duket se nuk vlen për pikat e tregtimit me pakicë.
Drejtuesit e dy ndër operatorëve më të mëdhenj në këtë sektor, Euromax dhe Conad, pohojnë se këtë vit do të kenë një rritje akoma më të madhe.
Dy zinxhirët e tregtimit, kryesisht të produkteve ushqimore, parashikojnë një rritje të ndjeshme për fundvitin 2009, duke na konfirmuar se “kriza” ka qenë larg dyerve të tyre.
Tregtia me pakicë, apo siç njihet ndryshe si retail, është sot padyshim një nga tregjet më potenciale në vend. Euromax numëron sot 18 pika në të gjithë vendin, Conad 7 të tilla, ndërkohë që Neptun, rrjeti i shitjeve të elektroshtëpiakeve, 8 në të gjithë vendin.
Aktorët e këtij tregu, duke përfshirë këtu edhe qendrat tregtare, janë duke u zgjeruar me shpejtësi dhe duke rritur të ardhurat e tyre. Sipas të dhënave nga INSTAT, gjatë vitit të kaluar në tregtinë me pakicë u xhiruan rreth 103 miliard lekë (rreth 840 milion euro), afro 20% më shumë se një vit më parë (Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në 2007-ën tregtia me pakicë në të gjithë vendin arriti një xhiro vjetore prej afro 86 miliard lekësh, rreth 700 milion euro).
2008, pakica xhiron 840 milion euro
Për vitin 2008, operatorët thonë se tregu i retail-it mund të ketë arritur në 840 milion euro, me një rritje prej 20% krahasuar me 1 vit më parë.
Por ndërkohë gjatë 2007-2008-ës operatorët nuk kanë nguruar që të hapin degë të reja në vend. Kompania Euromax ka patur një shtim me 6 degë të reja, ndërsa Conad me 2 të tilla.
Edhe INSTAT-i konfirmon se indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në 3-mujorin e katërt të vitit 2008 arriti 184.4 %, kundrejt vitit bazë (2005). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 20.1 %, kurse krahasuar me 3-mujorin paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 2.5 %.
Konkretisht, në grupin “Artikuj të përzier, kryesisht ushqimore në njësi tregtare jo të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 1.7% në këtë 3-mujor krahasuar me atë paraardhës.
Edhe në grupin “Tregtia dhe riparimi i automjeteve”, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 24 %, krahasuar me 3-mujorin paraardhës. Brenda grupit “Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave”, tregtia me pakicë e karburanteve, pësoi një volum shitjeje në rritje me 23.2 % krahasuar me 3-mujorin paraardhës. Rrjedhimisht, me zhvillimin e aktivitetit privat, pati edhe rritje të punësimit. Gjithnjë sipas INSTAT-it, indeksi i punësimit në “Tregtinë me pakicë” në 3-mujorin e katërt të këtij viti arriti 174.5 % kundrejt vitit 2005, kurse duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky indeks është rritur 19%. Rritje të punësimit me 3.3% kishte edhe në tregtinë dhe riparimin e automjeteve.
Euromax-Conad, së bashku 6% e tregut
Pasi kanë mbyllur një 2008 të suksesshme për operatorët e mëdhenj të retail-it edhe 2009-ta duket se po ndjek të njëjtën gjurmë.
Shifrat zyrtare konfirmojnë se Euromax zë rreth 4% të totalit të tregtisë me pakicë në të gjithë vendin (sipas të dhënave të Euromax+Drejtori e Përgjithshme e Tatimeve për xhiron e 2008-ës dhe të dhënave të INSTAT për totalin e tregut të pakicës).
Gjatë vitit të kaluar Euromax ka realizuar rreth 35.2 milion euro të ardhura, duke realizuar pothuajse një dyfishim të të ardhurave në krahasim me 2007-ën, ku xhiro ishte afro 20 milion euro. Conad ka patur një xhiro prej 9 milion euro ose 1% të totalit të tregut të pakicës.
Euromax ka njohur një zgjerim të shpejtë gjatë dy viteve të fundit duke e çuar në 18 numrin e supermarketeve të përhapura në të gjithë vendin, ndërkohë që numri i supermarketeve Conad ka arritur në 7.
“Për këtë vit kemi në plan hapjen e degëve të reja, ku më shpejta do të jetë ajo në Shkodër”, tregon për “Monitor”, drejtori i Përgjithëshëm i Euromax, Zafir Ademi. Kompania, e cila tashmë është blerë nga kompania shumëkombëshe serbe, Delta ka plane mjaft ambicioze edhe për këtë vit.
Ndërkohë, gjatë vitit 2008 degët e Conad në Shqipëri u rritën nga 5 në 7, me hapjen në Tiranë të një supermarketi prej 6,000 metra katror.
Dy operatorët kanë zgjedhur të konkurrojnë me strategji të ndryshme.
“Për ne pikat e forta ku mbështetemi për t´u zgjeruar dhe rritur klientelën janë çmimet e ulëta dhe shërbimi optimal”,-thotë z.Ademi.
Ndërkohë për Conad duket se qëlllimi kryesor ka qenë ofrimi i një imazhi cilësor, si dhe tregtimi i produkteve europiane.
Kur bisedon me drejtuesit e dy kompanive në vend, efektet e krizës nuk duket se janë ndier në subjektet e tyre.
“Nuk kemi ndonjë efekt krize në rrjetin ton të shitjeve. Edhe për këtë vit do të rritemi bindshëm”,-thotë Zafir Ademi i Euromax.
Ndërkohë, për Pëllumb Ndocin e Conad duket “i çuditshëm” përdorimi i fjalës “krizë”.
“Pse vërtet ka një të tillë. Ne nuk jemi në dijeni. Klientët sa vijnë e shtohen”,-thotë Ndoci.
Tregu në zgjerim të mëtejshëm
Zafir Ademi: Së shpejti, hipermarket “gjigand”
Që nga shtatori i vitit 2008 Euromax ka ndërruar pronësinë. E ndodhur vetëm pak kilometra larg Tiranës, në një godinë kur investimi për të cilën ka arritur në 12 milion euro, kompania sot zotërohet nga kompania shumëkombëshe serbe “Delta”. Pikërisht, në muajin shtator, z.Zafir Ademi u vendos në krye të kësaj kompanie, që sot pretendon të jetë kryesuese në tregun e retal-it në Shqipëri.
“Viti 2008 u karakterizua nga një rritje mjaft e lartë e xhiros tonë, rreth dyfishi i një viti më parë. Edhe për këtë vit, kompania parashikon të arrijë një rritje me 30%,-pohon z.Ademi, i cili hedh poshtë mundësinë e “infektimit” nga kriza ekonomike globale në këtë kompani. Lidhur me problemet në furnizim që janë konstatuar nga klientët, Ademi pohon se në kompaninë që ai drejton nuk ekziston aspak rreziku i problemeve në furnizim, pasi ka 600 distributorë dhe falë kompanisë mëmë “Delta” mund të importojë direkt vetë nga jashtë vendit.
“Mendoj se kriza mund të na ketë prekur pak si vend, por kjo nuk ka ndodhur në Euromax. Më shumë vihet re një lloj trembjeje psikologjike se një krizë reale. Megjithatë, ne qëndrojmë bindshëm konkurrues në treg, përmes çmimit dhe cilësisë dhe punojmë me seriozitet në këtë drejtim. Ne kemi ofertat e fundjavës dhe bëjmë promocione mbi 10 herë në muaj”.
Këtë vit pritet të hapen disa pika të tjera edhe Korçë, Pogradec dhe në aksin Durrës-Kukës.
Për muajt në vazhdim, “Euromax” ka në plan ngritjen e një formati të ri hipermarketi, me një sipërfaqe shumë të madhe, shumë më tepër produkte dhe çmime shumë më të lira.
“Ky format do të shtrihet në qendër në Tiranës dhe do të ofrojë çmime shumë më të lira për konsumatorët”,-shton drejtuesi i “Euromax”.
Sipas tij, synimi kryesor i kompanisë ka qenë dhe mbetet: çmime të lira. Kur distributorët i kanë bërë ulje çmimesh produkteve, drejtuesit e Euromax e kanë adresuar atë në çmimet e pakicës, për të mbajtur kështu akoma më “fort” klientelën.
Sipas vlerësimeve të operatorëve, tregu i pakicës në 60% të tij përbëhet nga produktet ushqimore, që arrin në një vlerë reale në rreth 670 milion euro.
Conad: Shqipëria, konsumatorët synojnë cilësinë
Mjaft të kënaqur duken drejtuesit e kompanisë italiane “Conad Adriatico”, që në Shqipëri kanë hapur 7 degë. Sipas tyre, konsumatorët shqiptarë janë mjaft të interesuar për cilësinë, fenomen që vihet re edhe vendet e tjera fqinje të rajonit të Ballkanit.
Në 2008, vlerat e tregjeve jashtë vendit për Conad arriti në 10 miliard euro dhe për këtë vit parashikohet të arrijnë në 21.5 miliard euro (+111%).
Për kompaninë, Shqipëria ka shërbyer si një urë e mirë për të dalë në vende të tjera të rajonit. Grupi ka kërkesa të forta nga operatorë tregtarë në Kosovë, Serbi dhe Bullgari, por ajo që po pengon ndërmarrjen e këtij hapi nuk është tregu (në Kosovë e Bullgari, ku si në Shqipëri, janë shumë të kërkuara produktet e markës dhe të cilësisë) apo burimet financiare, por burimet njerëzore.
Për momentin zgjerimi aktual është penguar edhe nga një krizë aktuale: “Nuk mund të disbalancohemi shumë në zhvillim”,-konfirmon Antonio Di Ferdinando. Conad Adriatico duhet ende të përforcojë prezencën në territorin Italian, sidomos në rajonin e Puljas, ku zë vetëm 4% të tregut.
Konkurrenca në rritje
Por konkurrenca në tregtimin e produkteve ushqimore nga operatorët e organizuar pritet të rritet akoma më shumë këtë vit. Në listën e konkurrentëve në tremujorin e tretë të vitit pritet të hyjë në garë edhe një tjetër kompani shumëkombëshe, Mercator.
Hipermarketi Mercator do të vendoset në Shqipëri në një sipërfaqe prej 5,000 metra katrore, pikërisht në qendrën tregtare që pritet të inaugurohet në fund të muajit shtator, Citypark.
Duke u njohur si një njësi tregtare me çmime jo “fort” të lira, por që konkurron në cilësi, Mercator pritet që të jetë konkurrent më i drejtpërdrejtë me Conad sesa me Euromax, që më së shumti konkurron me çmimet.
“Ne nuk shqetëson hyrja në treg e Mercator apo e ndonjë kompanie tjetër në këtë sektor, pasi mundësitë që ne ofrojmë si dhe shtrirja që kemi na mundëson që të jemi kryesues në treg”,-thotë drejtori i Përgjithshëm i Euromax.
Mercator Group është një nga zinxhirët më të mëdhenj ushqimor në Europën Juglindore. Tregu i saj kryesor mbetet Sllovenia, vendi nga ku vjen kompania, e cila në gamën e saj numëron 17 hipermarkete në shtete të ndryshme.
Përveç operimit me hipermarkete, kompania ka gjithashtu edhe 1,000 supermarkete dhe njësi të vogla të tregtimit të produkteve ushqimore.
Një tjetër hyrje e e re në tregun vendas të retail-it është edhe kompania “Praktiker”, firmë gjermane që shet vegla pune, që tashmë duhet të kishte hapur “dyert”. Në planet e saj ishte hapja e një njësie tregtare që në 2008-ën, por duket se konsumatorëet duhet të presin ende.
Nga ana tjetër, një konkurrencë në rritje do të ketë nga hyrja në treg e një qendre të re tregtare, CityPark, e cila do të ketë një sipërfaqe më të madhe se 200 mijë metra katrorë. Në të përfshihen rreth 176 njësi tregtimi dhe mjaft ambiente të tjera argëtimi.
Tregu informal
Ajo që ka penguar shumë futjen e emrave të mëdhenj ndërkombëtarë është shkalla e lartë e informalitetit në sektorin e tregtisë me pakicë. Sipas të dhënave nga operatorët, numri i dyqaneve që shesin pa faturë në të gjithë vendin është rreth 10,000, ku 3,000 prej tyre ndodhen vetëm në Tiranë. Sipas të dhënave nga operatorët vendas, tregtia me pakicë xhiron shumë më tepër të ardhura se shifrat zyrtare të INSTAT.
Duke parë shkallën e informalitetit, kompanitë e huaja e kanë të vështirë të hyjnë në tregun tonë.
Nga Laura çela
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.