Me prezantimin e pakos për ringjalljen ekonomike, Qeveria e Kosovës ka treguar se prioritet ka çështjen e punësimit. 50 milionë euro janë ndarë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejt të punëkërkuesve.
Qeveria e Kosovës në prezantimin e Pakos së re të Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19 ka thënë se pritet të ndahen 50 milionë euro për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejt të punëkërkuesve.
Sipas njoftimit, 10 milionë euro janë ndarë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 – prill 2021.
“10 milionë euro, Qeveria do t’i ndajë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 – prill 2021. Për çdo të ri të punësuar, Qeveria do ta subvencionoj pagën në 3 muajt e parë në vlerë prej 170 euro në muaj”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Po ashtu, 10 milionë euro janë për mbështetjen e secilit të punësuar të ri që nuk ka qenë i punësuar në tre muajt e fundit e që deklarohet në Administratën Tatimore të Kosovës. Ndërsa, 10 milionë euro për punësimin e të rinjtë të moshave 18-24 vjeç.
Pjesa tjetër prej 20 milionë eurove do të ndahen për punësimin e grave, e personave me nevoja të veçanta, për mbështetjen e trajnimeve dhe punësimit në teknologji informative dhe për skemën e granteve për zanatet.
Ditë më parë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kishte prezantuar këtë Pako, e cila kap vlerën prej 420 milionë euro.
Mjetet e ndara nga buxheti për financimin e kësaj pakoje janë 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro vijnë nga huamarrja.
“Kjo Pako ka potencial të mobilizojë edhe rreth 700 milionë euro të tjera, pra në total 1.1 miliard euro investime dhe shpenzime nga buxheti i shtetit por edhe grante, kapital privat, dhe mobilizim të mjeteve nga sektori financiar”, kishte thënë Murati.
Përveç mbështetjes së punësimit, kjo pako përfshinë edhe ringjalljen e ekonomisë dhe prodhimit me vlerë 108 milionë euro, mbështetjen për familjet me vlerë 50 milionë euro, mbështetja për ndërmarrjet publike me vlerë 112 milionë euro, si dhe investimi në infrastrukturë dhe ambient me vlerë 100 milionë euro.
1/5 e masave për ringjalljen ekonomike
Me prezantimin e pakos për ringjalljen ekonomike, qeveria e Kosovës ka treguar se për prioritet ka çështjen e punësimit. 50 milionë euro janë ndarë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejt të punëkërkuesve.
– 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 − prill 2021. Për çdo të ri të punësuar qeveria do ta subvencionoj pagën në 3 muajt e parë në vlerë prej 170 euro në muaj.
– 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për mbështetjen e secilit të punësuar të ri që nuk ka qenë i punësuar në 3 muajt e fundit e që deklarohet në ATK. Secilit prej tyre do t’iu paguhen kontributet pensionale në vlerë prej 10% të pagës për 12 muaj me radhë.
– 5 milionë euro për ta mbështetur punësimin e grave. Secilës grua që nuk ka qenë e punësuar në 3 muajt e fundit, e që punësohet, do t’i subvencionohet 50% e pagës për 3 muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj. Pas periudhës tremujore, do të subvencionohet kontributi pensional.
– 10 milionë euro për ta filluar qysh këtë vit skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë e moshave 18-24 vjeç, ku secilit të ri do t’i garantohet puna e parë, e subvencionuar nga shteti në nivelin e pagës minimale.
– 5 milionë euro për mbështetjen e trajnimeve dhe punësimit në TI. Për të orientuar talentet e reja drejt fushës së TI-së, do të ndahen kuponë me anë të të cilëve mund të ndiqen kurse për TI, apo trajnime në praktikë. Atyre që përfundojnë kursin apo trajnimin me sukses, do t’u ofrohet mbështetje në punësim për 3 muajt e parë.
– 5 milionë euro për punësimin e personave me nevoja të veçanta. Në funksion të arritjes së synimit për një shtet të barabartë për të gjithë, qeveria e Kosovës do ta mbështes secilin të punësuar me aftësi të veçanta me 50% të pagës, deri në maksimum 150 euro në muaj. Mbështetja do të bëhet për 6 muajt e parë.
– 5 milionë euro për skemën e granteve për zanatet. Me qëllim të adresimit të shkallës së lartë të papunësisë në vend si dhe aftësimit profesional në zanate, qeveria do t’i mbështesë me grante për vetëpunësim të gjithë ata që janë të gatshëm të mësojnë aftësi të reja, për të cilat do të certifikohen. Vlera e këtyre granteve arrin shumën deri në 3,000 euro, ku granti do të mbulojë blerjen e pajisjeve dhe themelimin e biznesit, pas përfundimit të trajnimit me sukses dhe certifikimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.