Panairi i tekstilit dhe lëkurës 2019
Risi, potencial dhe bashkëpunim
Panairi i Tekstilit dhe Lëkurës 2019 ishte “stacioni” dyditor, i cili mblodhi të gjithë individët dhe subjektet, të lidhur ngushtësisht me sektorin, si prodhues veshjesh, këpucësh, aksesorësh, biznese në fushën e metrazheve, specialistë të fushës së tekstileve, dizenjues, blerës etj., si dhe institucione të rëndësishme të sektorit. Gjatë viteve, fabrikat dhe ndërmarrjet shqiptare kanë investuar në makineri të reja dhe në përmirësimin e kushteve të punës, duke i mbajtur çmimet konkurruese, e duke qenë të lakmueshme për brand-et më të rëndësishme ndërkombëtare. Në kuadër të zhvillimit të këtij sektori, Expocity Albania organizoi për të dytin vit, Panairin e Tekstilit dhe Lëkurës 2019, në datat 1 dhe 2 Nëntor. Duhet theksuar se, eksporti i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri përbën 44.4% të eksportit të përgjithshëm kombëtar, sipas INSTAT, që e shndërron këtë sektor në një potencial të rëndësishëm. Eventi ishte një pikë takimi për prodhuesit më të rëndësishëm shqiptarë dhe të huaj të tekstilit, veshjeve, konfeksioneve, këpucëve etj., distributorët e makinerive, aksesorëve, stilistë e krijues, institucione dhe shoqata që mbështesin sektorin. Aida Lutaj, CEO e Expocity Albania, theksoi në hapjen e eventit, se ky organizim synon t’u hapë rrugë partneriteteve dhe bashkëpunimeve të bizneseve shqiptare dhe të huaja, për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit. Përqasja aktuale e industrisë tekstile dhe asaj të këpucëve në Shqipëri limitohet me vende si Italia (partner kryesor në rolin e blerësit dhe të ndërmjetësit), Gjermania, Franca, Vendet Skandinave dhe Spanja, ndërsa potenciali i zhvillimit dhe orientimit drejt tregjeve ndërkombëtare është shumë më i lartë. Panairi kishte pikërisht këtë qëllim, zgjerimin e niveleve të bashkëpunimit në tregun rajonal të industrisë tekstile, lëkurës e këpucëve, atë të fasonëve dhe në industrinë e modës.
Risi
Të gjithë bizneset shqiptare të Shqipërisë, si dhe ato të Kosovës, patën një mundësi unike: të shfrytëzonin mundësinë për t’u takuar me kompanitë më të njohura turke në industrinë e tekstileve dhe lëkurës në Edicionin e dytë të “Panairit të Tekstilit & Lëkurës 2019”. Panairi është padyshim një nga eventet më të shumëpritura për të gjithë profesionistët, që kanë në fokus zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri. Gjatë dy ditëve të panairit, në një zonë të rezervuar, u zhvilluan takime me kompanitë shqiptare nga 13 kompani nga Turqia, të profilizuara në sektorin e tekstileve dhe lëkurës.
Event
Departamenti i Inxhinierisë së Tekstilit dhe Modës në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Departamenti i Tekstilit e Modës në Fakultetin e Arteve të Bukura organizuan një sfilatë me punimet e studentëve të tyre. Ditën e parë të panairit, gjatë pasdites, u organizua “Fashion Show 2019”, ku u shfaq se si bota akademike i shërben krijimtarisë së studentëve, të cilët me entuziazmin dhe pasionin krijuan një koleksion për këtë aktivitet. Emra të njohur të botës së artit dhe modës ishin në radhët e të ftuarve për të zbuluar fantazinë krijuese të studentëve, të cilët janë e ardhmja e këtij sektori. Bizneset patën mundësinë të spikasin dizenjues, stilistë e profesionistë të vyer, të cilët mund t’i shërbejnë vizionit të tyre në të ardhmen.
Tirana Innovation Quest
Kërkimi i inovacionit fuqizon dhe mbështet inovatorët dhe sipërmarrësit për të krijuar ekipe ndërdisiplinore, për të kaluar nga idetë në projekte konkrete. Të ftuar për këtë event ishin studentë, të cilët prezantuan tema që do të sjellin risi në zhvillimin e sektorit dhe do të jenë ndihmesë për të gjithë të interesuarit apo bizneset pjesëmarrëse. Një sërë prezantimesh u shfaqën përballë shoqërive të ndryshme, investitorëve në sektorin e tekstilit, akademikëve të njohur nga studentë të Universitetit Politeknik të Tiranës, përpara një jurie vlerësuese.
Tryezë sektoriale
Panairi shërbeu, pa diskutim, si një shtysë për kompanitë drejt zhvillimit të mëtejshëm, i fokusuar kryesisht në prodhimin me cikël të plotë, inkurajimin aktiv të sektorit në përmirësimin e kanaleve të komunikimit dhe marketingut.
Eduard Shalsi, ministër i Mbrojtjes së Sipërmarrjes, u shpreh gjatë Konferencës së organizuar nga Expocity Albania, se potencialet e këtij sektori shkojnë përtej të qenët “thjesht fason”. Ministri nënvizoi se sektori tashmë ka përfaqësi të bizneseve të shumta “Made in Albania” dhe pesha mbi 40 % në ekspertët shqiptarë, e bën pa diskutim një sektor tejet potencial. Z. Shalsi theksoi edhe problematikat me të cilat është përballur sektori gjatë këtij viti, që lidheshin kryesisht me kursin e këmbimit. Në tryezën sektoriale të organizuar, u diskutuan edhe tematika të tjera si: sfidat e punësimit, mungesa e shkollave profesionale dhe si pasojë, mungesa e krahut të punës; ndikimi i emigracionit si problematikë. Ekspertët nga qeveria dhe institucione të ndryshme theksuan standardizimet në këtë sektor dhe hapat që po merren për zhvillimin e mëtejshëm etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.