Panairi Work & Study, më pak call-center; interes nga maturantët për bursa në universitete

29/03/2018 12:19 PM 0 komente

Panairi Work & Study, hapi siparin ditën e djeshme në edicionin e tij të 9-të, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim këtë vit me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Në ditën e çeljes, u bë me dije se në total kompanitë ofrojnë mbi 3000 vende pune.

Në ditën e dytë, Pallati i Kongreseve ishte i qetë, kompanitë ishin kryesisht të fushës së call center, banka, siguracione, universitete private.

Të kontaktuar nga revista “Monitor” ata tregojnë se dy ditët e para pjesëmarrja ka qenë shumë e vakët krahasuar me vitet e mëparshme, për kompanitë që kanë traditë në këtë panair. Megjithatë, shprehen se fundjava mund të jetë më premtuese. Sipas tyre, pjesa më e madhe e të interesuarve janë nxënës të vitit të fundit të arsimit të mesëm, të cilët interesohen për programet e studimit të universiteteve private dhe mundësisë së ofrimit të bursave nga to.

Në stendat e të pranishmëve, vihen re më pak call center se vite më parë, megjithatë drejt tyre shihen një pjesë e konsiderueshme e të rinjve që ngjisin shkallët e Pallatit të Kongreseve.

Një tjetër sektor ku të rinjtë kanë lënë “CV” e para kanë qenë në institucionet bankare. Sipas disa të rinjve të pranishëm, duke qenë se fokusi mungon, ata përpiqen që të ‘provojnë fatin’ në sa më shumë kompani, duke lënë dosjen e tyre të aplikimit.

Rreth 60 kompani do të jenë të ekspozuara nga datat 28-29-30 mars 2018 në Pallatin e Kongreseve, për të gjithë të interesuarit e fushës së studimit dhe punës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of