Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave z. Edmond Panariti zhvilloi një vizitë në qarkun e Shkodrës për t’u njohur me problematikën e këtij rrethi dhe për të përcaktuar objektivat për këtë vit. Fillimisht Ministri Panariti u ndal në Drejtorinë Rajonale Bujqësore Shkodër, ku u takua me specialistë të bujqësisë, të shërbimit veterinar, bordit të Kullimit, AKU etj.
Ministri Panariti theksoi se problematika më e madhe për Shkodrën është rreziku i përmbytjeve, ndaj Ministria e Bujqësisë ka marrë masa paraprake duke rehabilituar plotësisht hidrovorin e Velipojës, Tales e Çasit për të rritur kapacitetin e tyre. Megjithatë Ministri Panariti shtoi se duhet bërë një punë intensive nga pushteti lokal por dhe nga vetë fermerët që në bashkëpunim me bordet e kullimit të pastrojnë kanalet e para të dyta e të treta në mënyrë që të parandalohen dëmet që mund të vijnë nga përmbytjet.
“Thatësira e tejzgjatur dhe moti i ngrohtë që vazhdon të jetë prezent dhe në këto ditë të janarit, do të kërkojë një kompensim të këtij bilanci hidrik të munguar. Gjithë sistemi i hidrovorëve, kanaleve kulluese, përgjithësisht është projektuar dhe ndërtuar për të përballuar niveli shiu që nuk i kapërcejnë 40 milimetra reshje shiu për 24 orë.
Panariti i bëri apel të gjithë fermerëve që të bashkëpunojnë me bordet e kullimit për të mbajtur të hapura vijat e tyre kulluese. “Në rast se ato nuk bashkëpunojnë, kuptohet që sistemi do të jetë i cunguar, duke mos qenë në gjendje të drenojë ujrat”, pohoi ai.
Vizita në fermen ‘Edera’
Ministri Panariti i shoqëruar edhe nga Prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani, u ndal në një fermë të mbarështimit të lopëve në zonën e komunës “Ana e Malit”.
Gjatë vizitës në fermën me administrator Shefik Dibra, ministri Panariti u shpreh i kënaqur për parametrat bashkëkohore që ajo ofron. “Kjo fermë, mund të konsiderohet si një fermë model dhe ky është shembulli që duhet ndjekur padyshim në zhvillimin e blegtorisë. Ferma të tilla i bëjnë nder zhvillimit të blegtorisë tek ne, garantojnë qumësht të një cilësie të lartë, i cili mund të plotësojë më së miri të gjithë standardet e cilësisë dhe sigurisë së kërkuar nga konsumatori”, tha Panariti.
“Kam ardhur këtu për ta inkurajuar më shumë këtë fermer, i cili padyshim edhe me ndihmën tonë do të zgjerojë tufën. Mendoj që mundësitë janë që nga 350 krerë që ai mbarështon tani ta zgjerojë këtë numër për arsye se kërkesat për qumësht dhe produktet blegtorale në tregun vendas janë gjithmonë në rritje, por potencial të madh padyshim po bëjnë edhe tregu i Kosovës, i Maqedonisë, Malit të Zi”, vijoi më tej ministri Panariti.
Ai e cilësoi qumështin shqiptar një produkt marke, që sipas tij, mundet të gjejë lehtësisht hapësira edhe në tregjet mbarëshqiptare. “Do të bëjmë ç’është e mundur për një gjë të tillë dhe natyrisht edhe vizita në Kosovë dhe bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës do të shtrihet edhe në fushën e bujqësisë, ku ne do të shfrytëzojmë avantazhet krahasuese të dy vendeve”, tha Panariti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.