Pandemia dhe COVID-19 uli pagesat e faturave të ujit, në 2020 ujësjellësve iu ranë arkëtimet

09/02/2021 2:00 PM 0 komente

Pandemia e COVID-19 vuri në vështirësi familjet shqiptare duke kufizuar mes të tjerash mundësitë e tyre financiare. Enti Rregullator i Ujit raportoi se në vitin 2020 aftësia e paguese e familjeve shqiptare për ujin shënoi rënie dhe kjo reflektohet nga rënia e normës së arkëtimit. Efekti i kësaj rënie sipas ERRU nuk i atribuohet jo vetëm pandemisë por edhe tërmetit të vitit 2019 ku mijëra banesa u shkatërruan.

“”Norma e Arkëtimit” është një nga treguesit më të rëndësishëm të performancës së shoqërive, që lidhet me qëndrueshmërinë financiare dhe me aftësinë paguese të tyre. Norma e Arkëtimit Korrente për të gjithë sektorin është përkeqësuar për vitin 2020 në 76.8 % nga 79.8% që ishte në vitin 2019.

Ndikim negativ në rënie të nivelit të arkëtimeve ka dhënë edhe situata e krijuar nga Pandemia Covid-19 që presupozohet që ka rritur numrin e familjeve të kategorisë me ndihmë ekonomike, që normalisht nuk mund të paguajnë faturën e shërbimeve të FU dhe KUN. Gjithashtu faktor tjetër negativ në mbledhjen e të ardhurave vlerësohet të jetë edhe nga pasojat e tërmetit të cilat shkatërruan plotësisht mjaft banesa dhe pallate të cilat nuk faturohen akoma gjatë kësaj periudhe” thuhet në raportin vjetor të vitit  2020.

Një nga problematikat që është vënë re në mënyrë të vazhdueshme në raportet e ERRU janë punësimet e larta në ujësjellës. Në disa raste stafet e mbingarkuar sipas Entit vijnë si efekt i kërkesave ligjore për sigurinë që duhet të kenë veprat e kësaj natyre. Efficenca e stafit në vitin 2020 është në një rënie të lehtë në raport me vitin 2019.

“Në shumë shoqëri ky tregues është artificialisht i lartë për shkak të kërkesës në plotësimin e detyrimit ligjor për garantimin e sigurisë së veprave me personel roje, veçorive të komponentëve të sistemeve të FU dhe KUN, por është evident dhe abuzimi me punësimet e pajustifikuara. Gjithsesi është e nevojshme që të thellohet analiza për vlerësimin real të këtij treguesi bazuar në organogramën përkatëse të shoqërisë dhe justifikimin e çdo pozicioni të punës në përputhje me përshkrimin e saj” thuhet në raport.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of