Pandemisë së koronavirusit nuk ka mundur t’i shpëtojë as industria e sigurimeve në Kosovë. Kompanitë e sigurimeve që operojnë në Kosovë, prej dy muajsh nuk e kanë kryer punën e tyre me kapacitet të plotë.
Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, në këtë intervistë për Monitor, thotë se industria e sigurimeve gjatë këtyre dy muajve është dëmtuar rëndë. Ai thotë se edhe mbyllja e Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve ka pasur ndikim në punën e kompanive të sigurimeve, duke treguar se nëse kjo fazë do të zgjasë, numri i automjeteve ta pasiguruara do të rritet dhe kjo do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen e kompanive të sigurimeve.
Mazreku thotë se të ardhurat në kompanitë e sigurimeve janë ulur mbi 50% në raport me muajt e parë të vitit. Ai tregon se deri sa të fillojnë punën Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, qytetarët e Kosovës mund të vozitin automjetet e tyre vetëm me polica të sigurimit.
Si çdo biznes tjetër në Kosovë, pandemia COVID-19 ka prekur edhe industrinë e sigurimeve në vendin tonë, pasi me marrjen e masave mbrojtëse janë mbyllur edhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve. Pas një angazhimi të madh dhe disa ndryshimeve të bëra është lejuar që gjatë kësaj kohe, automjetet të qarkullojnë vetëm me policë, deri sa kur të fillojnë punën Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve ta kryejnë edhe pjesën tjetër administrative të paraparë.
A është prekur direkt industria e sigurimeve në Kosovë nga pandemia?
Siç e thashë edhe në pyetjen paraprake, industria e sigurimeve gjatë këtyre dy muajve është dëmtuar rëndë, pasi aktivitetin e saj e ka ushtruar në minimum me numër të reduktuar të punëtorëve, kurse shpenzimet kanë qenë të njëjta. Ne po shpresojmë se deri në fund të këtij muaji do të ketë edhe më shumë lehtësim të masave në mënyrë që ne t’i kthehemi normalitetit.
Për shkak të pandemisë, tani e disa javë janë mbyllur edhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve. Si ka ndikuar kjo, a ka rrezik që të rritet numri i automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara?
Sigurisht se po. Në fillim në komunikacion është vërejtur numër më i vogël i automjeteve, por ditëve të fundit numri i automjeteve është rritur dukshëm. Pa dyshim se nëse kjo fazë do të zgjasë edhe më shumë, numri i automjeteve të pasiguruara do të rritet dhe kjo edhe më shumë do ta rëndojë gjendjen e kompanive të sigurimeve në vendin tonë, të cilat përkundër gjendjes së rënduar për 3 muaj kanë paguar më shumë se 10 milionë euro dëme.
Prej disa ditësh janë marrë disa vendime lehtësuese në masat e lëvizjes, a mendoni që në këtë kohë duhet të hapen edhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve?
Ne përmes shkresave që u kemi drejtuar Ministrisë së Punëve të brendshme, por edhe Institucioneve të tjera, kemi kërkuar që të hapen Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, natyrisht duke respektuar të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
A ka ndonjë statistikë apo të dhënë se sa ka humbur financiarisht industria e sigurimeve gjatë kohës së pandemisë?
Pasi ne edhe në këtë koment ndodhemi në pandemi, kompanitë ende nuk kanë llogaritur saktë se sa mund të jenë të dhënat e sakta, por marrë në përgjithësi të hyrat gjatë kësaj kohe janë ulur mbi 50% në raport me muajt e parë të vitit.
Si ka kanë funksionuar kompanitë e sigurimeve në Kosovë gjatë pandemisë? A kanë punuar me kapacitete të plotë apo si?
Në varësi prej masave që kanë ndërmarrë Institucionet e vendit, ashtu kanë vepruar edhe kompanitë e sigurimeve. Së fundi, pas lehtësimit të masave, ato janë duke punuar me orar të zakonshëm.
Qytetarët e Kosovës, a janë të detyruar që t’i regjistrojnë/sigurojnë veturat e tyre gjatë kësaj kohe?
Gjatë kësaj kohe, ata janë të obliguar që t’i sigurojnë, deri sa ato mund t’i regjistrojnë në momentin kur nisin punën Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.
A munden qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht vetëm me policë të sigurimeve?
Deri sa të fillojnë punën Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve qytetarët mund të vozitin automjetet e tyre vetëm me polica të sigurimit.
Sa është aktualisht numri i automjeteve të pasiguruara që qarkullojnë në rrugët e Kosovës dhe sa mund të rritet për shkak të situatës?
Sipas të dhënave zyrtare, respektivisht Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, numri i automjeteve të paregjistruara në vendin tonë llogaritet të jetë mbi 100 mijë, më i lartë krahasuar me të gjitha shtetet e rajonit, por edhe më larg.
A ka mbetur pa punë ndonjë punëtor i kompanisë së sigurimeve nga koha kur Kosova ka marrë masat për t’u mbrojtur nga koronavirusi?
Deri në këtë koment, asnjë punëtor në Industrinë e Sigurimeve nuk e ka humbur vendin e punës si pasojë e COVID-19.
Qeveria e Kosovës ka ndarë Pakon Emergjente për të ndihmuar bizneset dhe punëtorët. A janë duke u ndihmuar apo do të ndihmohen edhe kompanitë e sigurimeve?
Mendoj se industria e sigurimeve, e cila luan një rol të rëndësishëm si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë social, kur dihet se direkt dhe indirekt ka më shumë se 5 mijë të punësuar, duhet të ndihmohen, pasi të hyrat janë më të vogla prej më shumë se 50%, deri sa të gjitha shpenzimet janë të njëjta.
Investitorët nga Shqipëria
Në tregun e sigurimeve në Kosovë, kompanitë nga Shqipëria zënë peshë të rëndësishme. Sa i përket pronësisë, ndarja është gjysëm për gjysëm mes kapitalit vendas dhe kapitalit të huaj ku sigurisht pjesa kryesore janë kompani sigurimi që kanë ardhur nga Shqipëria dhe më pas janë blerë nga investitorët austriakë si Uniqa dhe Vienna Insurance Group.
Hyrja e parë në treg ishte nga INSIG Kosova u themelua në vitin 2002 nga INSIG Shqipëri e cila zotërohej në ato vite në 100 për qind të kuotave nga shteti shqiptar dhe konkretisht Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në vitin 2016 u bë edhe privatizimi i plotë i INSIG sh.a nga kompania Eurosig sh.a çka bëri që nën kompaninë privatizuese të kalonin edhe degët në Kosovë dhe Maqedoni.
SIGAL UNIQA Group AUSTRIA Kosova u krijua në vitin 2003 duke shënuar zbatimin e strategjisë për ndërkombëtarizim të aktivitetin sigurues të SIGAL sh.a përmes blerjes së një shoqërie ekzistuese sigurimi. SIGAL Kosova u licencua nga Autoriteti Qendror Bankar i Kosovës si kompani jo-jetë për sigurime të përgjithshme. SIGAL UNIQA Group AUSTRIA Kosova është kompania e dytë më e madhe e sigurimeve në Kosovë dhe zotëron mesatarisht 11.63% të volumit të përgjithshëm të primeve. SIGAL UNIQA Kosova ka shtrirë shërbimin e saj si për nga numri i produkteve që ofron ashtu edhe gjeografikisht përmes dhjetra degëve dhe agjencive të veta në gjithë Kosovën.
Në shtator të vitit 2004, SIGMA ka marrë licencën për të operuar në Kosovë përmes Degës së saj Sigma sh.a – Dega Kosovë. SIGMA SH.A është kompania e parë private e sigurimeve në Shqipëri, e themeluar në vitin 1998 në Tiranë. Në gusht të vitit 2001, vetëm 3 vjet pas themelimit të saj, SIGMA ka hyrë në tregun e Kosovës në bashkëpunim me një kompani lokale. Në shtator të vitit 2007 Sigma u bë anëtare e Vienna Insurance Group me blerjen e 75% plus 1 aksion të kapitalit te SIGMA-s nga TBIH – Shërbimet Financiare grup N.V në të cilën Vienna Insurance Group ka shumicën e aksioneve.
Eurosig në vitin 2014 është shtrirë edhe në Kosovë duke e blerë kompaninë e sigurimeve “Dardania” dhe privatizimi më 2016 i INSIG (VKM e datës 23 mars 2016), ka sjellë zgjerimin e veprimtarisë së Eurosig në fushën e sigurimeve dhe në Kosovë e Maqedoni. Por vitin e kaluar Bordi Ekzekutiv i BQK-se morri vendim për revokim të licencës së kompanisë së sigurimeve së SH.A. “Insig” Dega në Kosovë. Banka Qendrore ka treguar se revokimi i licencës së Kompanisë së Sigurimit “Insig” nuk rrezikon qëndrueshmërinë e sektorit te sigurimeve në Kosovë. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Sistemi financiar i Kosovës, që nga fillimi i funksionimit të tij, ka pasur një zhvillim të qëndrueshëm dhe ka shërbyer si burim i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik në vend.
“Në vitet e fundit, kemi një përshpejtim të rritjes së aktivitetit pothuajse në të gjithë komponentët e sistemit financiar, përderisa edhe treguesit e performancës dhe qëndrueshmërisë kanë shënuar përmirësim të mëtejmë. Për sa i përket sektorit të sigurimeve në veçanti, aktiviteti i këtij sektori po vazhdon të rritet, përderisa masat rregullative dhe mbikëqyrëse të ndërmarra nga ana e BQK-së kanë rezultuar në një performancë financiare pozitive të këtij sektori, pas një periudhe mjaft të gjatë me humbje.
Prandaj, ne zotohemi që do të vazhdojmë me ndërmarrjen e të gjitha masave që i parasheh ligji në mënyrë që në tregun tonë të lejojmë operimin e vetëm atyre institucioneve financiare që janë të afta t’i kontribuojnë zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar dhe ekonomisë së vendit, si dhe t’i kontribuojnë fuqizimit të mëtejmë të stabilitetit financiar”, thuhet në fund të njoftimin që ka bërë BQK.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.