Pandemia frenon rimbursimin e TVSH-së, rënie vjetore me 16% në 6-mujor

21/07/2020 11:00 PM 0 komente

Pandemia Covid -19 e përkeqësoi procesin e rimbursimit të TVSH-së në 6 mujorin e parë të vitit 2020. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave TVSH-ja e rimbursuar ishte 7,2 miliardë lekë në janar-qershor me një rënie 16 për qind në raport me një vit më parë.

Shkak për këtë rënie janë dy arsye, sipas ekspertëve në tatime, që lidhen tërësisht me pandeminë. Bllokimi i aktivitetit ekonomik në vend ka dobësuar arkëtimin e të ardhurave nga TVSH të cilat në 6 mujor ishin 12% më të ulëta se një vit më parë. Për rrjedhojë është shtrënguar edhe rimbursimi i TVSH-së.

Vlera me e ulët e rimbursimeve lidhet edhe më kërkesën më të ulët për rimbursim në tremujorin e dytë si pasojë e bllokimit të aktivitetit ekonomi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka akumuluar detyrime të prapambetura në formën e TVSH-së së parimbursuar në vlerën e 728 milionë lekëve deri në mars të vitit 2020.

Komuniteti i biznesit nëpërmjet organizatave të biznesit i ka kërkuar qeverisë këto kohë që të tregohet korrekte me rimbursimin e TVSH-së, pasi likuiditetet në ekonomi janë përkeqësuar prej pandemisë.

Vitin e kaluar rimbursimi i TVSH-se arriti në rekorde, me një vlerë 23,5 miliardë lekë, ose 63 për qind me shumë se, me 2018.

Vitin e kaluar qeveria u angazhua të shlyejë detyrimet e prapambetura kryesisht në kontratat e mëdha të investimeve në TAP dhe Devoll. Më 2019 u rimbursuan 72 milionë euro TVSH më shumë se viti paraardhës, por volumi i shpërndarjes u përqendrua në muajt e fundit të vitit.

Sipas ligjit në fuqi kërkesat për rimbursimin e TVSH-së, rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, si persona me risk zero.

Tatimpaguesit eksportues, vlera e eksporteve të të cilëve, të kryera në periudhat tatimore për të cilat kërkohet rimbursimi, përbën më shumë se 50% deri në 70% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet, rimbursohen brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim të TVSH-së, duke iu nënshtruar më parë procedurës së analizës së riskut.

Të gjithë personat e tjerë të tatueshëm rimbursohen brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim duke iu nënshtruar procedurës së analizës së riskut.

Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar biznesit i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of