Pandemia na mësoi se vendi i punës nuk ka pse të jetë në një zyrë, përkundrazi, mund të jetë gjithçka dhe kudo që duam ne
Fujitsu, kompania japoneze ndërkombëtare e teknologjisë, e cila ka një forcë punëtore prej më shumë se 80,000 personash në Japoni, ka shpallur “Work Life Shift”, një program që u ofron punëtorëve orë pune fleksibël dhe mundësinë për të punuar nga shtëpia, atëherë kur është e mundur. Për më tepër, ajo do të përgjysmojë hapësirën e zyrave për t’u përshtatur me normalitetin e ri që ka krijuar pandemia.
Fujitsu thotë se dëshiron të krijojë një mënyrë të re të të punuarit, e cila sjell një përvojë më produktive për punonjësit, nxit risinë dhe ofron vlera të reja për klientët dhe shoqërinë. Fillimisht, ajo do të jetë opsionale, duke u dhënë mundësinë të vazhdojnë të punojnë nga zyra atyre personave që kanë dëshirë. Sidoqoftë, pritet që pasi të jenë marrë parasysh kursimi i kohës së udhëtimit, rehatia dhe produktiviteti, avantazhet e filozofisë së re të punës fleksibël do të minimizohen.
Çfarë do të ndodhë nëse kompanitë e mëdha fillojnë të shohin avantazhet e ofrimit të fleksibilitetit dhe autonomisë për punëtorët e tyre, pasi kanë parë gjatë pandemisë se kjo mundësi jo vetëm që ishte e mundur teknologjikisht, por edhe funksiononte fare mirë? Nëse ne ia dalim të punojmë mirë në kushte emergjente, çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë kur të braktisim qasjet sinkronike dhe takimet e pafundme, dhe në vend të tyre të zhvillojmë mënyra për të rritur asinkronin?
Marrja e hapit për ta kthyer kompaninë tuaj në një kompani që i jep përparësi punës në distancë, ku puna jashtë zyrës shihet gjithmonë si opsioni i parë dhe më i arsyeshëm, nënkupton një tranzicion drejt një realiteti që shumë kompani po e përjetojnë tashmë, me përparësi të shumta: nga tërheqja dhe ruajtja e talenteve, deri tek nivelet më të larta të kënaqësisë së punonjësve.
Rezultati i parë i kësaj qasjeje të re është i qartë dhe ka të bëjë me ripërshtatjen e hapësirës së zyrave. Unë nuk do të doja të përfshihesha në këtë periudhë në tregun e pasurive të patundshme në ndonjë qytet të madh, sepse me shumë gjasa do të ketë teprica të konsiderueshme prone që kanë qenë në përdorim nga korporatat. Rezultati i dytë do të ndikojë në trafik: 80,000 njerëz që punojnë nga shtëpitë dhe që nuk ndjekin orare specifike, do të ndikojnë sigurisht në transport.
Fujitsu nuk është kompania e parë që njofton për këtë lloj ndryshimi: kompanitë e tjera të teknologjisë tashmë po u ofrojnë punonjësve të tyre mundësinë për të punuar nga larg gjatë pjesës tjetër të vitit dhe në disa raste, do të lejohen të vazhdojnë kështu deri në vitin 2021. Fujitsu nuk do të jetë as e fundit: brenda një kohe të shkurtër do të shohim edhe kompani të tjera që përkrahin një ide, propozimi i vlerës së të cilës ka shumë rrjedhoja dhe shumë drejtime.
Pandemia na mësoi se vendi i punës nuk ka pse të jetë në një zyrë ose një tavolinë me emrin tuaj të shkruar në të: përkundrazi, mund të jetë gjithçka dhe kudo që duam ne. Shumë shpejt, ideja e të shkuarit në një zyrë për të qëndruar për tetë orë ose më gjatë, do të jetë e vjetruar, një kujtim i largët i një mënyre të punuarit që e humbi vlerën e saj, kur kuptuam se teknologjia na lejonte t’i bënim gjërat më mirë.
Burimi: Forbes