Mënyra si njerëzit udhëtojnë ka ndryshuar përgjithmonë për shkak të pandemisë, tha shefi i platformës për strehim, AirBnb.
Brian Chesky tha për BBC se njerëzit po zgjedhin të kalojnë pushime më të gjata me familjen dhe miqtë e tyre, pasi po kërkojnë më shumë “lidhje njerëzore”.
“Unë mendoj se po përjetojmë një revolucion në mënyrën e udhëtimit”, tha Chesky.
“Dikur jetonim në një vend të caktuar – në shtëpinë tonë – shkonim në një vend tjetër – në zyrë – dhe udhëtonim në një vend të tretë. Tani të treja këto vende janë konvergjuar,” shtoi ai.
“Fakti që punëdhënësit nuk do t’i detyrojnë të gjithë njerëzit të kthehen në zyrë pesë ditë në javë, është një shenjë që tregon se gjithçka ka ndryshuar përgjithmonë.”
AirBnB u godit rëndë nga pandemia, duke humbur rreth 80% të biznesit brenda disa muajsh.
Megjithatë, Chesky tha se kërkesa ishte rikthyer fuqishëm që nga vera e kaluar, ndërsa zakonet e klientëve kanë ndryshuar.
Zoom dhe teknologjitë e tjera që mundësojnë punën në distancë kanë “ndryshuar rrënjësisht” nevojën për të udhëtuar në punë, tha ai, dhe ky model ka të ngjarë të mbetet.
Në SHBA, rezervimet nga familjet në AirBnB për udhëtime në fundjavë u rritën me 70% në tremujorin e dytë të vitit 2021, krahasuar me 2019.
Kompania ka vënë re një “rritje të konsiderueshme” të rezervimeve për udhëtime familjare këtë vit.
Destinacione të reja dhe më të lira
Chesky tha se njerëzit po provojnë destinacione të reja dhe më të lira, duke u përqendruar më pak në pikat e nxehta të turizmit.
“Bota nuk do të kthehet kurrë siç ishte më parë, dhe as udhëtimet. Kjo nuk do të thotë se asgjë nuk do t’i rikthehet normalitetit, por thjesht se ne nuk do të kthehemi pas në kohë, por do të ecim vetëm përpara”, tha Chesky.
Airbnb, që u prezantua në vitin 2007, njoftoi se kishte arritur një miliard klientë në të gjithë botën.
Por pavarësisht popullaritetit të saj, platforma është kritikuar për rritjen e çmimit të qirasë në disa tregje.
Ajo ka ndezur protesta në qytete si San Francisko dhe Barcelona, si dhe ka nxitur vendosjen e rregullave më të ashpra për kompanitë që operojnë në biznesin e marrjes me qira të shtëpive./ BBC