Skema e pensioneve shtetërore është vënë nën presion prej efekteve negative që ka dhënë pandemia Covid-19.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të ardhurat nga sigurimet shoqërore gjatë periudhës 8 mujore ishin 54,8 miliardë lekë me një rënie 2 për qind në raport me një vit më parë në këtë periudhë.
Nga ana tjetër shpenzimet e skemës u rritën me 555 milionë lekë ose 0.6 për qind në raport me vitin 2019, sipas të dhënave fiskale nga ministria e Financave. Për rrjedhojë deficiti i skemës së sigurimeve u thellua me 1,7 miliardë lekë këtë vit ose 5.9 për qind.
Në total deficiti i skemës së pensioneve arriti në 30,5 miliardë lekë, duke shënuar një rekord të ri që nga viti 1991.
Sipas të dhënave shpenzimet buxhetore për të skemën shtetërore të pensioneve ishin gjatë 8-mujorit 85,3 miliardë lekë. Gati 38 për qind e kësaj shumë ose me shumë se 30.5 miliardë lekë financohet nga taksat e shqiptareve dhe pjesa tjetër nga të ardhurat që vilen nga kontributet.
Sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës për tremujorin e dytë të vitit, numri i të punësuarve në vend në fund të 6-mujorit të parë 2020 ra me 50 mijë persona në raport me fundin e 2019-s, sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës së INSTAT, me një tkurrje prej 4%, në krahasim me dhjetorin.
Kjo është tkurrja më e madhe e numrit të të punësuarve në 6-mujorin e parë, të paktën që prej pjesës së parë në 2017-n, kur raportohen të dhënat e Anketës së Forcave të Punës. Në të njëjtën periudhë të 2019-s, kur ishte një kohë normale, tregut të punës iu shtuan 33 mijë persona. Ndërsa këtë vit, pandemia e Covid-19 ka reduktuar ndjeshëm numrin e të punësuarve.
Skema e pensioneve ka varësi të lartë nga buxheti për shkak se të ardhurat nga kontributet nuk arrijnë të përmbushin nevojat për shpenzime.
Kjo tendencë do të thellohet më tej në rast se nuk bëhen përpjekje për rritjen e të ardhurave, teksa numri i të moshuarve do të rritet vit pas viti.
Shkaqe të tjera janë numri i ulët i kontribuuesve, mos deklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e pensionistëve si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve ‘90 dhe mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës.
Vlera e deficitit në skemën e pensioneve është gati dyfish më e lartë se në vitin 2007 edhe pse në skemë janë shtuar shumë kontribuues të rinj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.