Pandemia “mbyt” transportin ujor të udhëtarëve

01/01/2021 10:06 PM 0 komente

Frika nga infektimi dhe kufizimet e vendosura nga vendet e Europës pothuajse po çojnë drejt zeros fluksin e pasagjerëve për kompanitë e lundrimit në Durrës dhe Vlorë. Prej 10 muajsh, udhëtimet me traget nga Saranda drejt Korfuzit janë tërësisht të paralizuara, nga mbyllja e kufirit me Greqinë. Shërbimi i transportit të mallrave po i kthehet normalitetit, pas rënies të fortë që shënoi gjatë karantinës, por nuk arrin të rikuperojë humbjet e sektorit. Operatorët janë duke mbijetuar.

 

Dorina Azo

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë, transporti detar i pasagjerëve është thuajse i paralizuar. Sipas të dhënave të INSTAT për 9-mujorin 2020, transporti detar i pasagjerëve ra 78% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019. Reduktimi i numrit të udhëtarëve nisi në mars, kur në vend filloi të zbatohet karantina. Rënia nuk u frenua edhe në muajt e tjerë deri në shtator, ku tkurrja më e fortë ishte në prill, me 95% lëvizje më pak krahasuar me 2019-a.

Në Portin e Durrësit, fluksi i udhëtarëve me traget u tkurr me 70%. Nga Porti i Vlorës po udhëtojnë 90% pasagjerë më pak se vjet. Humbjet më të mëdha janë në Portin e Sarandës, ku tragetet që niseshin drejt Korfuzit kanë mbetur të pezulluar prej mesit të marsit.

Përfaqësues për Shqipërinë të kompanive të huaja të udhëtarëve në Durrës dhe Vlorë pohojnë se tragetet  përgjithësisht po hyjnë dhe po dalin në Bari, Ankona, Trieste dhe Brindisi me 20 pasagjerë, kryesisht me shqiptarë rezidentë apo shtetas që udhëtojnë për qëllime mjekësore. Në Sarandë, nuk funksionon ende asnjë linjë trageti, pasi kufiri me Greqinë mbetet i mbyllur. Operatorët janë në pritje të nisjes të sezonit të ardhshëm, ndërsa aktualisht nuk ndihen gati të përballojnë kostot për rifillimin e aktivitetit me masa mbrojtëse ndaj Covid-19.

 

BURIMI: INSTAT

 

Sa është tkurrur lëvizja në Portet e Durrësit dhe Vlorës

Sipas të dhënave të Autoritetit Portual të Durrësit, për 9-mujorin 2020 në këtë port, lëvizja e udhëtarëve ishte 67% më pak se në 2019. Tkurrja e fluksit ishte si për hyrjet, edhe për daljet e pasagjerëve.

Situata është vështirësuar edhe për kompaninë italiane të lundrimit “Adria Ferris”, e cila operon në Shqipëri me tragete që nga viti 2004 në linjat ndërkombëtare, Durrës – Ankona, Durrës – Bari dhe Durrës – Trieste. Kompania ka në dispozicion 3 tragete, ndërsa në këtë periudhë, fluksi i lëvizjeve të pasagjerëve është në rënie. Bernard Resto, përfaqësuesi për Shqipërinë, thotë për “Monitor” se lëvizja e udhëtarëve për këtë operator është reduktuar 70%. Ai nuk parashikon mbyllje totale të punës, nëse fluksi i pasagjerëve do të vijojë me rënie, por kompania mund të reduktojë lëvizjen e trageteve.

“Rënia e madhe e fluksit të udhëtarëve ka ardhur nga përkeqësimi i situatës nga pandemia në Europë, ku shumë shtete kanë vendosur ‘lockdown’. Aktualisht po udhëtojnë me traget vetëm shqiptarët e pajisur me dokumente rezidente të vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa shtetasit italianë, që punojnë në Shqipëri, udhëtojnë më shumë në fundjavë.

Edhe te lëvizjet e individëve që udhëtojnë për arsye biznesi është shënuar rënie, pasi edhe për ta është e detyrueshme pajisja me dokumentet kontraktuale nga partnerët e huaj dhe udhëtimi duhet të kryhet brenda pesë ditëve. Janë krijuar vështirësi për të lëvizur edhe për individët me probleme shëndetësore, pasi ata nuk mund të udhëtojnë pa dokumentet pritëse të spitalit ku do të mjekohen ose në rast të kundërt, duhet të pajisen me vizë të posaçme udhëtimi pranë ambasadës italiane. Rënia e numrit të pasagjerëve po ndikon edhe te strukturat akomoduese të turizmit, pasi ne jemi njësia e parë matëse për këtë sektor”.

Tkurrje drastike të lëvizjes të pasagjerëve me traget, për shkak të Covid-19 ka edhe për linjat e Italisë nga Porti i Vlorës. Drejtori i agjencisë përfaqësuese të kompanisë italiane të lundrimit “Euroferries”, Agron Brataj, thotë se pas rikuperimit të lehtë që u shënua në muajin gusht te lëvizja e udhëtarëve, aktualisht fluksi është 90% më pak krahasuar me 2019-n.

“Tragetet nga Vlora drejt Brindisit nisen çdo ditë me 20 pasagjerë në bord, nga 300-400 deri 500 në udhëtarë që lëviznin në këtë periudhë në vitin 2019. Për shkak të rënies së lartë të fluksit të pasagjerëve jemi detyruar që me agjencinë tjetër të udhëtimeve, të linjës me Brindisin, të nënshkruajmë marrëveshje për koordinim me ditë të lëvizjes të trageteve. Të vetmit që udhëtojnë janë shqiptarët rezidentë në Itali ose individë me probleme shëndetësore. Aktualisht jemi në kushtet e mbijetesës”.

Nga Porti i Vlorës niset çdo ditë një traget drejt Italisë, nga dy tragete në periudhë normaliteti të dy kompanive të lundrimit që operojnë me lëvizjen e pasagjerëve dhe mallrave.

 

BURIMI: INSTAT

 

Lëvizjet nga Saranda, ende janë të bllokuara

Problematika më e madhe nga pandemia është krijuar në Sarandë, pasi porti atje funksionon më shumë për lëvizjen e turistëve. Arben Çipa, kryetar i Shoqatës të Turizmit, Sarandë, dhe administrator i operatorit “SipaTours”, thotë se puna e kompanive të transportit me traget të pasagjerëve për në Korfuz është pezulluar që nga janari 2020.

“Aktualisht puna për transportin detar është e paralizuar dhe të gjithë operatorët janë në pritje të dritës jeshile për lejimin e nisjes së udhëtimeve për pasagjerët. Asnjë linjë nuk funksionon, pasi kufiri me Greqinë është mbyllur, ndërsa pagimi i detyrimeve vazhdon të kryhet nga operatorët sikur të ishte vit normal. Për aq sa tragetet nuk funksionojnë, atëherë edhe detyrimet e shërbimeve të anijeve janë sezonale, por stafi ynë, i cili është trajnuar për të mbuluar shërbimet e trageteve, vijon të jetë në marrëdhënie pune, sikurse të ishte vit normal me lëvizje tragetesh.

Nga momenti që linja nuk funksionon, pa dyshim, detyrimet e lëvizjeve nuk janë në fuqi, por taksa kryesore për licencimin e cila paguhet në fund të vitit dhe nuk kthehet mbrapsht (për vitin e kaluar nga operatorët, kjo taksë është paguar), do të duhet të paguhet edhe pse ne jemi të bllokuar. Nëse ky detyrim do të pezullohet do të ishte një ndihmë për kompanitë”.

Për z. Çipa, situata e paqartë për rinisjen e aktivitetit ka detyruar operatorët të reduktojnë stafin e trajnuar për shërbimet e tragetit. Pavarësisht paralizimit të punës së sektorit të transportit detar në Sarandë, parashikimet e kreut të Shoqatës së Turizmit për sezonin e ardhshëm janë optimiste.

“Të gjithë operatorët janë gati për rinisjen e punës. Edhe nga komunikimet që kemi pasur me partnerët tanë të huaj, aktiviteti është i orientuar për shërbimin incoming (për prurjen e turistëve në Shqipëri) dhe jemi 100% të gatshëm. Shqetësim mbetet rikthimi në punë i stafit. Në 2019-n, kur sezoni turistik ishte në shifra të kënaqshme, në stinën e dimrit në punë është mbajtur 80% e stafit.

Përgjatë 2020-s, shumica e stafit të trajnuar për të gjitha shërbimet në linjat e tragetit është pezulluar nga puna, pasi situata është e paqartë. Një pjesë tjetër është mbajtur në punë me pagë të reduktuar. Nga parashikimet tona, pra në këtë moment mund të vlerësojmë se në rast se pandemia vazhdon, atëherë prurjet për sezonin 2021 do të jenë 20% më tepër se viti 2020. Nëse pandemia është në rënie, atëherë të gjitha subjektet do të rendin në muajin mars për të kapur fluksin dhe ritmin e kërkesave”.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Turizmit, në total numri i turistëve dhe udhëtarëve për periudhën maj-shtator 2020 nga të gjithë operatorët në Sarandë në vitet e fundit është 250,000 deri në 300,000. Kompania “SipaTours” disponon tre tragete për linjën Sarandë -Korfuz. Në periudhë normaliteti me këtë agjenci, udhëtojnë në javë 700 deri në 1500 turistë ditorë (që vijnë nga Korfuzi dhe kthehen pasdite). Në sezonin e verës, me linjat e kompanisë udhëtojnë 25,000 udhëtarë.

Paralizimi total i aktivitetit për gati 10 muaj pritet të krijojë vështirësi për rikthimin në normalitet të sektorit detar në Sarandë. Përfaqësuesi i kompanisë shqiptare “Finikas Lines”, Andrea Qirjako, që operon nga viti 1993 me 4 tragete për transportin e turistëve nga Saranda drejt Korfuzit, pohon se do të duhen disa vite për rikuperimin e transportit detar.

“Ne si operatorë nuk jemi gati për nisjen e aktivitetit në këtë periudhë, pasi shpenzimet për mbrojtjen nga Covid-19, që nga kryerja e testimeve, reduktimi i numrit të pasagjerëve dhe rregullat e tjera të protokollit mbrojtës do të rrisnin më shumë kostot tona. Do të ishte më mirë që udhëtimet të nisin me sezonin e ri.

Edhe për muajt mars-prill 2021, parashikojmë që fillimisht të ketë rënie të fluksit të pasagjerëve deri 10%, për arsye se shumë individë do të tregohen të kujdesshëm me shpenzimet, pasi pandemia ka ndikuar tek ekonomia dhe të ardhurat”. Në këtë kompani aktualisht janë të punësuar 8 punonjës, të cilët paguhen me gjysmë page. Kompania operon me tur-operatorët e huaj për turistët çekë, polakë dhe nordikë.

 

BURIMI: INSTAT

 

Rritet importi i grurit dhe gazit

Nëse aktiviteti në shërbimin e transportit të pasagjerëve ka rënie të ndjeshme, transporti me mallra po i kthehet ekuilibrit të mëparshëm. Sipas të dhënave të INSTAT, volumi i mallrave pësoi rënie më të ulët, sesa ai i transportit të udhëtarëve. Si 9-mujor 2020, transporti i mallrave ishte 10% më pak krahasuar me 2019-n.

Artur Dedja, nga kompania e specializuar për transport ndërkombëtar detar me anije “Dedja Shiping”, me degë në Durrës dhe seli qendrore në Florida, pohon se karantina e mars-prillit ndikoi në rënien e shërbimit të transportit për 9-mujorin te produktet e naftës, hekurit, zhavorrit dhe çimentos. Shtimi i konsumit të grurit dhe përdorimit të gazit për ngrohje dhe gatim, rriti ndjeshëm shërbimin për transportin e këtyre produkteve.

“Për periudhën janar e deri tani ka pasur rritje të transportit me anije për gazin dhe grurin, pasi u shtua konsumi për këto produkte në muajt e izolimit të popullatës. Shërbimi i transportit tek importi i grurit dhe gazit është 15% më shumë krahasuar me vjet. Shërbimi i transportit për importin e naftës ra 10%, për shkak të moslëvizjes të makinave në karantinë. Në muajt mars-maj, lëvizjet e mjeteve dhe kamionëve u pezulluan. Vetëm në këta muaj, shërbimi i transportit për naftën ra rreth 30% edhe pse çmimi në bursë arriti të ulet deri në 350 USD/ton.

Për eksportin e materialeve të ndërtimit, si zhavorr dhe çimento, shërbimi i transportit është ulur 25%. Rënie ka pësuar edhe shërbimi i importit të hekurit. Kjo ka ardhur për shkak të mbylljes së zyrave, bankave dhe mungesës së vendosjes të komunikimit në karantinë. Po ashtu një pjesë e kërkesave të kompanive të ndërtimit për hekur është plotësuar nga kompania vendase Kurum”.

Përfaqësuesi i një prej kompanive më të mëdha të transportit detar rifuxho, z. Dedja, thotë se sektori kaloi në periudhë tranzitore që në ditët e para të karantinës. Menjëherë pas hapjes së ekonomisë u vu re se pati rritje të kërkesës për shërbimin e transportit të mallrave. Nisur nga vlerësimi që bëhet për sektorin, sipas tij skenari i rikuperimit i ngjan ikonës së NIKE, ku nëse rreziqet e infektimit zvogëlohen, përmirësimi është i shpejtë.

“Të gjithë aktorët në treg mezi pritën të investonin pak para hapjes së ekonomisë për të zënë kuota të ulëta dhe të zgjohen të nesërmen me kuota të larta”.

Më herët për “Monitor”, edhe Andi Shijaku, drejtori komercial i një prej kompanive më të mëdha të transportit në vend, “Shega”, shpjegoi se ende nuk po ndihet përmirësimi te shërbimi i import-eksportit me anije. “Vihet re edhe një rënie e shërbimit të transportit për import-eksport të mallrave me anije deri në 25%, në krahasim me 2019, e ndikuar nga reduktimi i shitjeve të mineralit të kromit në vend, për shkak të rënies të çmimit në bursë. Te transporti detar ndikoi edhe reduktimi i porosive të biznesit për shkak të krizës nga Covid-19 në periudhën maj-qershor në vendet e largëta, si Kina, Azia”.

Shërbimi për transportin e pasagjerëve zë pjesën më të madhe të aktivitetit të kompanisë së lundrimit “Adria Ferris”, por pavarësisht se transporti i mallrave nga kontejnerët po i rikthehet normalitetit, ai nuk arrin të rikuperojë humbjet nga pandemia.

“Transporti i mallrave me kamion nuk ia arrin dot të mbulojë shpenzimet e tragetit. Nuk parashikojmë falimentim, për shkak të pozitës së konsoliduar të operatorit në treg, por në këtë situatë, numri i udhëtimeve mund të ulet. Nëse në javë bëhen 7 rrugë drejt Barit dhe Ankonës, numri do të ulet në 1 herë në javë drejt Barit dhe 3 herë në javë drejt Ankonës. Tek eksporti i mallrave drejt Italisë, fluksi më i lartë i tyre është të hënën dhe të martën, ndërsa për importet kryesisht është fundjava.

Eksporti i mallrave, kryesisht ai për veshjet dhe këpucët nga kompanitë fason shënoi rënie të lartë në periudhën e mbylljes të fabrikave në Itali. Situata aktuale është rikuperuar ndjeshëm, si për importin e mallrave, ashtu edhe për eksport. Rënia e volumit të aktivitetit për këtë zë është 10 deri në 20%. Mbyllja e pjesshme e Italisë ende nuk ka dhënë efekt negativ të transporti i mallrave.”

Pandemia ka goditur edhe punën e agjencive spedicionere që kontrollojnë kontejnerët e mallrave në Portin e Durrësit. Llambi Papa, nga kompania “Vital”, tha për “Monitor” se aktiviteti është reduktuar 20% krahasuar me vitin e kaluar. “Transporti detar i mallrave me kontejnerë ka rënë krahasuar me vjet, gjë që ka ndikuar edhe te rënia e aktivitetit tonë. Sa më pak kontejnerë mallrash të transportohen, më pak punë do të kemi edhe ne në mbikëqyrjen e tyre. Pavarësisht situatës, nuk parashikojmë mbylljen totale të punës, po do të arrijmë t’i mbijetojmë krizës së krijuar nga pandemia”.

 

BURIMI: INSTAT

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of