Flet Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues i Bankës Kombëtare Tregtare
Sistemi bankar po përballet me disa sfida kohët e fundit. E para ishte tërmeti dhe më pas pandemia që ka prekur çdo sektor të ekonomisë. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT), më të madhes në vend pohon se BKT ka hyrë në këtë periudhë me likuiditet të lartë dhe të mirëkapitalizuar, ndaj “besojmë se kjo do të na diferencojë nga tregu”.
Pencabligil shton se sistemi bankar do të shohë panoramën e vërtetë në tremujorin e fundit pas periudhës së shtyrjes së kredive. “Në mënyrë të pashmangshme, nëse shohim një kërcim të kredive me probleme, nuk do të jetë surprizë”.
Ai rekomandon që qeveria mund të zgjasë programet e garancisë, por kushtet duhet të jenë të hartuara më mirë, për të motivuar bankat që të jenë vullnetare për luftën ndaj vështirësive financiare të ndërmarrjeve.
Si ka qenë ecuria e BKT-së në vitin 2019? Cilat ishin pikat e forta të bankës?
2019 ka shënuar një tjetër vit të suksesshëm për BKT në terma të rritjes dhe përfitueshmërisë. Kemi forcuar më tej pozicionin tonë udhëheqës në shumë aspekte dhe jemi fokusuar te cilësia e portofolit, duke optimizuar pritshmëritë për riskun/kthimin, në mënyrë që të arrijmë të ulim nivelin e kredive me probleme.
Kemi analizuar sektorët me risk dhe jemi më vigjilentë ndaj tyre, për arsye se ka ende një mungesë të transparencës sa u takon bilanceve të kompanive dhe raportet e auditimit financiar janë ende të limituara në treg.
A kishit ndikim në aktivitet nga tërmeti i 26 nëntorit (lidhur me dëmtimin e kompanive që mund të kishin marrë kredi, apo të kredive hipotekore)?
Sigurisht. Tërmetet prekën disa prej klientëve tanë financiarisht. Edhe disa prej kolateraleve tona u shkatërruan pas tërmetit. Kemi ndihmuar klientët tanë për të përshpejtuar procesin e dëmshpërblimit me kompanitë e sigurimit për të përfituar, kështu pagesat e tyre të kompensimit pa vonesa dhe shumica e riskut të kredisë është mbuluar nga sigurimi.
Do të jetë një mësim për klientët, për të kuptuar përfitimet e sigurimit që deri më sot është konsideruar si një kosto shtesë. Nga ana tjetër, disa klientë kanë humbur plotësisht apo pjesërisht të ardhurat, për shkak të dëmtimit të ambienteve të biznesit të tyre dhe ne kemi vënë re një ngadalësim ekonomik në rajonin e Durrësit dhe periferitë e tij. Por efektet financiare në totalin e shifrave të bankës ishin të papërfillshme.
Si po rezulton ecuria në pjesën e deritanishme të vitit 2020? Si pritet që të ndikojë pandemia në aktivitetin e bankës?
Në ditët e sotme, pandemia është problem më i madh i globit dhe nuk ka një ide të qartë për të qenë imunë ndaj efekteve të saj, edhe në aspektin financiar. Për shkak të mbylljes, shumë industri kanë humbur të ardhurat edhe pse shumica e kostove të tyre ka vazhduar. Duke qenë se volumi i biznesit ka rënë si në vend, edhe në botë, është vënë re një rënie e konsiderueshme e volumeve të biznesit në banking. Por, ne kemi hyrë në këtë periudhë me likuiditet të lartë dhe të mirëkapitalizuar, ndaj besojmë se kjo do të na diferencojë nga tregu.
Si pritet të ndikohet dhe të reflektojë sistemi bankar nga pandemia?
Pandemia, nuk është vetëm shpërndarja e sëmundjes në mënyrë të shpejtë, por mund edhe të krijojë një efekt domino në ekonomi. Ajo ka ndikuar shëndetin e disa kompanive, mund të rrisë riskun e NPL-ve në sektorin bankar dhe mund të krijojë presion mbi likuiditetin e bankave dhe do të prekë edhe “oreksin” e riskut në sistemin bankar.
Si do t’i vlerësonit masat që mori Banka e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe?
Banka e Shqipërisë ka krijuar disa lehtësi, duke dhënë kohën e nevojshme në menaxhimin e problemeve me konsumatorët, lidhur me shtyrjen e pagesave të kredive dhe provigjionimin e borxheve të papaguara, apo pasurive të marra në riposedim, gjatë kësaj periudhe. Ishin hapa të drejtë në afat të shkurtër për të parandaluar një situatë më të vështirë dhe për të menaxhuar në mënyrë më të amortizuar problemet potenciale të sistemit bankar.
Pas gushtit, kur mbaron dhe moratoriumi i kësteve të kredive, si parashikoni të jetë ecuria e NPL-ve për bankën dhe sistemin?
Sistemi bankar do të shohë panoramën e vërtetë në tremujorin e fundit pas periudhës së shtyrjes së kredive. Disa nga klientët e sistemit bankar nuk kanë kërkuar shtyrje dhe kanë paguar në mënyrë të rregullt, ndërsa pjesa tjetër mbetet ende për t’u parë. Disa prej tyre duan të përfitojnë nga shtyrja për të qëndruar likuid për risqet e së ardhmes, ndryshe nga një pjesë tjetër që kanë vështirësi financiare. Në mënyrë të pashmangshme, nëse shohim një kërcim të kredive me probleme, nuk do të jetë surprizë.
Për sa kohë prisni që të bëhet rikthimi në normalitet i ekonomisë dhe sistemit bankar dhe çfarë politikash nxitëse mund të ndërmarrë qeveria për të përshpejtuar këtë proces?
Padyshim, aktivitetet ekonomike janë përmirësuar lehtë pas periudhës strikte të mbylljes, por nuk e kanë arritur nivelin e vitit të shkuar dhe këtë mund ta shohim nga transaksionet operacionale, transfertat apo shpenzimet nga karta, por trendi është në rritje. Vala e dytë e pandemisë, apo disa mbyllje (karantina) apo kufizime të biznesit, janë ende faktorë risku për ekonominë, përveç dimensionit shëndetësor.
Duhet të priten rritje të kërkesave për ristrukturime nga kompanitë dhe Banka e Shqipërisë mund të nxisë me provigjione më të pakta, për të ndihmuar në mbijetesën e këtyre kategorive. Edhe qeveria mund të zgjasë programet e garancisë, por kushtet duhet të jenë të hartuara më mirë, për të motivuar bankat që të jenë vullnetare për luftën ndaj vështirësive financiare të ndërmarrjeve.
A do ta përballonte ekonomia një karantinë të dytë?
Do të jetë mjaft e vështirë për të tejkaluar koston financiare të ndonjë mbylljeje të re, por mund të shohim hapa të ngjashëm të marra nga vendet e tjera me masa shtesë apo kufizime të reja. Është e vështirë të jesh indiferent nga trendi global. Karantina është mundësia e fundit për menaxhimin dhe duhet të shmanget derisa të provohen të gjithë zgjidhjet e tjera të mundshme.
Nisur nga kërkesa për kredi, cilët janë sektorët që po vlerësohen më me interes për investime dhe si ka ndryshuar këndvështrimi për investimet e pritshme dhe diversifikimin pas pandemisë?
Në fazën e parë, kompanitë do të fokusohen në përfundimin e investimeve të tyre të nisura, më shumë sesa në hapjen e fronteve të reja të investimit. Por gjatë pandemisë, ne kemi parë disa trende globale për e-commerce, prodhim bujqësor, investime në sektorin mjekësor, edukimin, trajnimin, takimet online, shërbimet e shpërndarjes apo dërgesave, shërbimet call center. Mund të shihet një trend i ngjashëm edhe në Shqipëri. Por, pas pandemisë, disa nga sektorët me risk si turizmi dhe ndërtimi, mund të sigurojnë mundësi të reja, nëse shohim një rimëkëmbje të tipit “V”.
Si do ta vlerësonit mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri?
Duhet të jemi gjithmonë optimistë për mjedisin e biznesit. Reforma ligjore, perspektiva në BE, investimet në infrastrukturë, dixhitalizimin, mund të përmirësojnë mjedisin e biznesit.
Pas pandemisë
Por, pas pandemisë, disa nga sektorët me risk si turizmi dhe ndërtimi, mund të sigurojnë mundësi të reja, nëse shohim një rimëkëmbje të tipit “V”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.