“Pandemia, ndikim te performanca në punë, ka tendencë drejt medikamenteve”

20/03/2021 10:10 PM 0 komente

Flet Denata Toçe, Psikologe 

 

Kohët e ngarkuara me stres, frikë dhe emocione të forta në kushtet e pandemisë mund të prekin shëndetin mendor të gjithsecilit. Efektet e COVID-19, në këtë aspekt, po pranohen nga psikologët në të gjithë botën, ku rekomandohet që vendet të kenë strategji të qarta për mënyrën sesi do të menaxhojnë në afatgjatë pasojat që do të lërë pas pandemia.

Psikologia Denata Toçe shprehet se, edhe në Shqipëri, është rritur numri i njerëzve që kanë nevojë për t’u ndjekur nga një psikolog, për shkak të periudhës së vështirë me të cilën po përballemi. Ajo pohon se mentaliteti për të kërkuar ndihmë tek profesionistët ka ndryshuar, por ka ende raste kur qytetarët e kanë më të lehtë të kërkojnë ndihmën te medikamentet. Ato duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut – thotë psikologia. Pandemia ka ndikuar edhe tek performanca në punë e individëve dhe këtë e ndiejnë të gjithë, si bizneset, edhe institucionet.

 

Një vit nga nisja e pandemisë, ato që janë lakuar më shumë janë distancimi social, karantinat e detyrueshme, izolimet, frika dhe ankthi nga infektimi apo humbja e njerëzve të dashur. Si është reflektuar e gjithë kjo në shëndetin mendor të njerëzve, në këndvështrimin tuaj?

Kjo periudhë ka qenë e vështirë për të gjithë, dhe shumë e vështirë për ata që janë të ndjeshëm në shëndetin mendor. Mendoj se jetojmë në një periudhë traumatike: të dëgjosh apo përjetosh vdekjen e njerëzve të moshave të ndryshme ndaj një virusi që erdhi papritur në jetën e njerëzimit, është tronditëse. Virusi la pezull planet dhe të ardhmen e afërt për secilin prej nesh, atë që njerëzit natyrshëm e vendosin në mendimet dhe ndjenjat e shpresës, ndaj dëshpërimi është i pranishëm, te një pjesë e mirë e njerëzve.

 

Një pjesë e mirë kanë humbur punën e të tjerë kanë qenë të detyruar të punojnë ndoshta nga shtëpia apo nga zyra me rotacion. Si reflektohet situata dhe ankthi në produktivitetin në punë?

Ka sjellë ngadalësim të punës dhe bizneset apo institucionet po e përjetojnë gjithashtu. Mendoj se puna nga shtëpia, ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen dhe dinamikat sociale, ndaj dhe ankthi apo depresioni kanë gjetur shteg këto kohë tek individë të ndryshëm. Duhet të mendosh se të punosh nga shtëpia nuk është gjithmonë aq komode sa duket, sidomos për prindërit të cilët janë të rrethuar nga fëmijët, të cilët kërkojnë vëmendje dhe kujdes më shumë, kur mendojnë se prindërit i kanë në shtëpi.

Nëpër zyra, edhe pse punojnë së bashku, sërish nuk janë së bashku, pasi kontaktet janë të reduktuara. Mungesa e përqendrimit prej ankthit, stresit dhe lodhjes emocionale, kanë sjellë dukshëm ngadalësim të punës dhe e ka prekur cilësisht atë. Shpesh klientët më thonë se ndihen dembelë, por në fakt më shumë se dembelizëm është mungesë motivacioni.

 

A ka shërbyer një kohë e tillë e ngarkuar me emocione për të kuptuar më mirë rolin e psikologut te shqiptarët dhe si ka qenë fluksi i përballjes suaj me pacientë të rinj?

Fluksi ka qenë i lartë. Unë kam referuar klientë te kolegët e mi, ndërsa edhe ata vetë kanë qenë shumë të ngarkuar. Psikiatrit, gjithashtu. Është një tendencë për të marrë medikamente kryesisht dhe kur kjo është e nevojshme e mirëkuptoj, por duhet pasur shumë kujdes që të konsumohen vetëm nën rekomandimin e mjekut. Mbi të gjitha, shqetësimet e shëndetit mendor do të duhet të trajtohen me terapinë e fjalës.

Ne jemi në situatë të nxehtë emergjente dhe nuk është kjo koha që do të përcaktojë se sa është kuptuar apo vlerësuar roli i psikologut. Duket se sot kanë nevojë një pjesë e mirë e njerëzve. Mendoj se shqiptarët kanë një qasje më të mirë të rolit të psikologut, në raport me kujdesin e shëndetit mendor se ajo e dy apo tre dekadave përpara. Madje, edhe më të mirë se ajo e tre viteve më parë, por kjo nuk do të thotë se e kanë kaluar pragun e frikës ndaj paragjykimeve.

Ende sot besohet se të shkosh te psikologu do të thotë që je i çmendur. Sigurisht që kur shkon te psikologu, do të përjetosh ndarjen e lëndimeve personale, dhe këto nuk janë të këndshme për vetë klientin, i cili ia thotë përjetimet vetvetes me zë të lartë. Kjo përvojë aq sa e pakëndshme, kthehet në një rrugëtim mjaft çlirues dhe “shërues” për shumë klientë. Procesi është i dhimbshëm, por më thoni ju, cili proces shërimi nuk është? Nëse do të duhet të shërosh zemrën, do të duhet të kalosh nga operacioni, që është i dhimbshëm. Edhe këtu është e njëjta gjë, nëse do të duhet të shërosh mendjen, do të duhet të kalosh nga lëndimi.

 

Cilat janë grupet që kanë shfaqur më shumë shqetësim në këtë kohë në aspektin gjinor, moshor, llojet e profesioneve?

Nuk kam informacion statistikor për këtë, por nga përvoja ime, duket se mesomosha kanë qenë më e prekur. Prindërit kryesisht. Por edhe moshat e reja nuk mund t’i lëmë mbrapa. Adoleshentët që duket sikur janë të papërfillshëm, por ju them se janë shumë të ndjeshëm dhe gjatë kësaj periudhe, shumë prej tyre kanë përjetuar ankth ndaj mendimit se mos humbasin një prej të afërmve – prindër, gjyshër, etj.

 

Si mund të përballohet më mirë një situatë e kësaj natyre nga masa e gjerë, çfarë duhet të kenë parasysh për të ulur disi stresin apo ankthin?

Menaxhimi i stresit dhe ankthit do të duhet të fillojë me atë që e gjejmë kudo, natyrën. Kontakti me njerëzit nuk do të duhet të lihet pas dore. Çdo ditë të takohet të paktën një mik, duke respektuar distancat e duhura. Një telefonatë nuk mjafton. Takimi është shumë i rëndësishëm.

Është koha ideale për të bërë një projekt personal ndërsa kalojmë një pjesë të mirë të kohës në shtëpi. Një kohë ideale për të qenë kreativ.

Për prindërit, koha ideale për t’u kujdesur për veten. Fëmijët le të përjetojnë më shumë praninë e tyre, por ndani kohën që të merrni pak frymë me veten, të kujdeseni për të, përcaktoni një ditë tuajën, dhe një ditë me partnerin. Krijoni mundësi “arratisje” të paktën një herë në muaj, të dy bashkë. Kjo vlen edhe për një kohë jashtë pandemisë. Mbani mend, ne jetojmë me fëmijët, por jo për fëmijët.

Ndërsa për sa u përket fëmijëve, krijoni mundësinë e shkëmbimit të shokëve hera-herës me miqtë tuaj, kur jeni të sigurt në raport me kalimin e COVID-it. Ka fëmijë, familjet e të cilëve e kanë kaluar, dhe me ata mund të organizoheni në raporte më të sigurta.

 

Në botë, psikologët shprehen se efektet me të cilat do të përballemi do të ndihen për një kohë të gjatë dhe do të jenë të shumta, pasi koronavirusi të ketë kaluar ndaj ka nevojë për koordinim dhe organizim të disa hallkave. Në Shqipëri si mendoni se është menaxhuar faza e parë e pandemisë në aspektin psiko-social? Çfarë mund të bëhet më mirë për të kaluar më lehtë efektet në të ardhmen?

Nuk ka pasur asnjë strategji. Mendoj se Shqipëria, për sa i përket shëndetit mendor, është shumë mbrapa. Ka pasur vetëm nisma private, personale, por jo në makro nga shteti. Shqipëria nuk është një shtet social. Ky është handikapi më i madh dhe pasojat po vërehen. Që herët, ndoshta 10 vite më parë, kam deklaruar në intervistat e mia se Shqipëria, me këtë ritëm, do të kalojë shumë shpejt në atë që njihet si depresioni social.

Dhe kështu po ndodh. Pandemia është pika e fundit në gotë që të derdhej e gjitha. Shoqëria shqiptare nuk vjen nga një siguri e lartë e jetës që të ndihet aq e kërcënuar. Shqiptarët janë vazhdimisht të kërcënuar nga siguritë minimale që i takojnë dhe që dëshpërimisht nuk i kanë. Ne do na shoqërojë lëndimi i pandemisë për një kohë shumë të gjatë. Prej shumë vitesh dhe më tej ne shqiptarëve, na shoqëron dëshpërimi i mbijetesës. Kjo është më e rëndë se vetë pandemia.

 

Si e shihni rolin e medias dhe internetit sidomos në raport me të dytin ku informacionet që jepen mbi pandeminë shpesh rezultojnë dhe “fakenews”. A duhet të kufizohet kërkimi në internet, apo leximi dhe ndjekja e gjithçkaje që ka të bëjë mbi pandeminë apo informimi mbi të na shërben për mirë? 

Mendoj se njerëzit do të duhet të bëjmë një pushim nga teknologjia, sa më parë të jetë e mundur. I premtoj se do përmirësojnë seriozisht gjumin e mbrëmjes dhe energjinë e ditës.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of