Spanja pret një numër rekord turistësh për të vizituar brigjet e saj me diell, plazhet me rërë dhe qytetet historike këtë vit, pavarësisht se çmimet e parashikuara do të rriten deri në 20% këtë verë.
Por, sfida më e madhe për sektorin e mikpritjes këto ditë, është gjetja e punëtorëve për të plotësuar kërkesën.
Pandemia është përgjegjëse si për dëshirën për të udhëtuar, ashtu edhe për mungesën e besimit dhe entuziazmit të punëtorëve për industrinë e mikpritjes.
Sektorët e turizmit dhe mikpritjes, shpresojnë të tejkalojnë shifrat para pandemisë, kur 83.7 milionë të huaj vizituan vendin. Të dhënat nga Aleanca Spanjolle e Hoteleve zbulojnë se prenotimet për javën e Pashkëve janë rritur me 20 pikë, krahasuar me vitin e kaluar dhe frekuentimi këtë verë pritet të kalojë 90%.
Kompania e burimeve njerëzore Randstad, vlerëson se Spanja do të ketë nevojë për të paktën 60,000 punëtorë shtesë në sektorin e turizmit dhe mikpritjes, për të përballuar kërkesën.
Kompanitë kryesore si Meliá, kanë nisur fushata në rrjetet sociale, duke kërkuar talente të rinj ku të munden.
Në Madrid, shkollat e hoteleri-turizmit thonë se studentët e kanë të garantuar sigurimin e një pune sapo të diplomohen – nëse duan një të tillë.
Pavarësisht inflacionit dhe pasigurisë globale ekonomike dhe politike, Spanja mund të përjetojë sezonin më të mirë (ose më të keq) në historinë e saj deri më tani. / Euronews