Pandemia preku ATK-në dhe Doganën: Miliona euro më pak në buxhetin e Kosovës

11/07/2020 10:02 PM 0 komente

Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë pësuar rënie në të hyra gjatë kohës së pandemisë. Këto dy institucione, që llogariten dhe burimet kryesore të buxhetit të Kosovës, kanë miliona euro më pak në arkë. ATK ka 26 milionë euro më pak të hyra, kurse Dogana ka mbledhur 61 milionë euro më pak.

 

 

Nga Prishtina, Fatos Shala

Pandemia e koronavirusit, që nisi nga muaji mars i këtij viti, e pranishme ende në mbarë botën, ka shkaktuar probleme të mëdha ekonomike në shumë vende. Edhe në Kosovë, pandemia ka krijuar probleme në aspektin ekonomik, e po ashtu shëndetësor.

Masat që Kosova ndërmori në muajin mars për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, si dhe kufizimet në ushtrimin e aktiviteteve ekonomike, shlyerja dhe shtyrja e obligimeve tatimore ndikuan në uljen e të hyrave në Administratën Tatimore Kosovës (ATK) dhe në Dogana.

 

Tatimet

Në ATK thonë se nga muaji mars, kur u shfaq koronavirusi, ka pasur rënie të të hyrave. Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse në ATK, tha për Monitor.al se arkëtimi i të hyrave është ndikuar shumë, pas vendimeve për zgjatje të afatit të detyrimeve tatimore.

“Duke pasur parasysh se në muajt mars dhe prill, kemi pasur rënie të të hyrave, si pasojë e pandemisë, në muajin maj 2020 kemi rikthim të trendit rritës të të hyrave tatimore. Vlen të theksohet se arkëtimi i të hyrave nga fillimi i këtij viti deri më 18 mars 2020 ka qenë në përputhje me planifikimet e parapara.

Mirëpo pas kësaj date është vërejtur një trend i uljes së të hyrave, duke pasur parasysh efektet që ka dhënë COVID-19, si dhe vendimet për zgjatje të afatit të deklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore dhe kontribute pensionale”.

Në periudhën janar-maj të këtij viti, të hyrat e ATK-së kanë qenë 186.1 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur mbi 26 milionë euro më pak të hyra. “Totali i arkëtimit të të hyrave për periudhën janar-maj 2020 është 186.1 milionë euro, ndërsa vetëm për muajin maj, inkasimi i të hyrave në raport me planin është 4.5 milionë euro, apo 13% më shumë. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi rënie me 12.4%, apo 26.2 milionë euro më pak”.

 

 

Doganat

Situata nuk është më mirë në të hyra as për Doganën e Kosovës. Në këtë institucion, për periudhën janar-maj, janë realizuar 441,8 milionë euro. Adriatik Stavileci, zyrtar për media në Doganën e Kosovës, thotë për Monitor.al se të hyrat në import në të njëjtën periudhë, në vitin 2019 kanë qenë 502,8 milionë euro.

“Në vitin 2019, në periudhën janar-maj, kanë qenë 502,8 milionë euro të hyra nga importi, ndërsa në të njëjtën periudhë në këtë vit kanë qenë 441,8 milionë euro, 12.14% më pak”.

 

 

Humbja nga pandemia, 10 mln euro në ditë

Sipas të dhënave, Dogana e Kosovës, krahasuar me vitin e kaluar, në periudhën janar-maj ka 61 milionë euro më pak të ardhura nga importi. Kosova ka hequr të gjitha masat kufizuese, institucionet e vendit kanë vënë në funksion pakon emergjente për qytetarët dhe bizneset, po ashtu është menduar edhe pakoja e dytë për rimëkëmbjen ekonomike. Ndonëse zyrtarisht nuk ka pasur statistika për vlerën e humbjeve në kohën e pandemisë, ekspertët ekonomikë kanë theksuar se në kohën e pandemisë, humbja ekonomike është 10 milionë euro në ditë.

 

250 milionë euro, peng i votave të deputetëve

Vonesat që po krijohen në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, do ta bëjnë të pamundur kapërcimin e problemeve ekonomike dhe sociale që u shkaktuan nga pandemia Covid-19. Kosova po futet në një krizë të thellë ekonomike prej masave që u morën për të frenuar përhapjen e koronavirusit, nëse nuk do të mund të arrijë t’i vërë në funksion këto fonde, që dalin nga ratifikimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për përballimin e situatës shëndetësore dhe ekonomike, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve janë pesë marrëveshje, në vlerë 253 milionë euro. Në seancën e kaluar më 11 qershor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave prej 2/3 të deputetëve të pranishëm, për miratimin e projektligjeve për ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.

Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e dhanë mbështetjen e tyre për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve. Marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Kosova, sipas Kushtetutës, duhet të ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

Marrëveshjet për kredi, të cilat kërkojnë ratifikim në Kuvend, nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19, por janë edhe marrëveshje të tjera për projekte që lidhen me trajtimin e ujërave të zeza. Qeveria e Kosovës ka votuar Projektligjin për plotësimin e ligjit të buxhetit për vitin 2020. Me këtë vendim, është arritur të krijohet një fond, i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

 

1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se programi për rimëkëmbje ekonomike po merr përkrahjen e domosdoshme. Hoti theksoi se Qeveria ka shtuar aktivitetin për futjen e 1.2 miliardë eurove në treg.

“Programi për rimëkëmbje ekonomike po merr përkrahjen e domosdoshme, prandaj edhe e kemi shtuar aktivitetin për futjen e 1.2 miliardë eurove në treg. Për jetësimin e këtij programi sigurisht se është e nevojshme edhe mbështetja nga donatorë të jashtëm, prandaj jam i lumtur t’ju njoftoj se sot, në dy video-konferenca të ndara, mora mbështetje nga presidenti i Bankës Europiane për Ndërtim dhe Zhvillim Suma Chakrabarti dhe Linda Van Gelder, drejtoreshë rajonale e Bankës Botërore”. Hoti tha se rruga përpara ka shumë sfida dhe se Kosovën e pret angazhim e përkushtim i vazhdueshëm.

“Qeveria e Kosovës do të jetë e fokusuar në zhvillimin ekonomik afatgjatë, ndërtimin e politikave nxitëse për sektorin privat, politikat tatimore, zvogëlimin e informalitetit, themelimin e Fondit investiv, kompensimin e humbjeve ekonomike të shkaktuara si pasojë e pandemisë, si dhe për investimet e jashtme përmes ligjit për investime strategjike”, ka thënë Hoti, sipas një njoftimi të qeverisë së Kosovës.

Qeveria, gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm, parashikon përfshirjen në ekonomi të një shume financiare prej 1.2 miliardë eurosh si infuzion për zhvillim ekonomik, prej të cilave tashmë me rishikimin e buxhetit janë mobilizuar 384 milionë euro. Mekanizmat financiarë ndërkombëtarë në raportet e tyre të publikuar për efektet e pandemisë në ekonominë e Kosovë, kanë vlerësuar se dëmet janë të mëdha.

Banka Botërore, në raportin e saj, ka parashikuar një rënie ekonomike prej 4,5% në Kosovë. Kurse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekonomia e Kosovës do të “goditet rëndë” dhe pritet të tkurret me 5%.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of