Flet Anduel Çekrezi, përfaqësues i “EuroElektra sh.p.k”
Pandemia nxiti biznese e familje për të parë me kujdes investimet. Të dytave sidomos, u është rritur interesi për impiantet fotovoltaikë, si një reflektim i asaj që vunë re gjatë karantinës, kur faturat e energjisë u rritën ndjeshëm për shkak të konsumit.
Operatorët e tregut konstatojnë faktin që, përtej dëshirës, një pjesë e mirë e familjeve mbeten të kushtëzuara financiarisht për të çuar deri në fund planet. Anduel Çekrezi, përfaqësues i “EuroElektra sh.p.k”, shprehet se gjithsesi, projektet fotovoltaike për shkak të leverdishmërisë kanë gjetur mbështetjen e financimit nga sektori bankar.
Një nga çështjet që nuk ka marrë zgjidhje është çmimi për vetëprodhuesit që, sipas Çekrezit, parashikohet të jetë në axhendë së shpejti, ashtu sikurse është edhe vetë ligji “Për burimet e rinovueshme” që do t’u nënshtrohet disa ndryshimeve të lajmëruara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për grupet e interesit.
Si paraqitet situata në segmentin e energjisë fotovoltaike në këndvështrimin tuaj sa i takon interesit të biznesit dhe individëve për të instaluar impiante të vogla për vetëprodhim?
Në të gjithë botën, këto lloj investimesh shoqërohen gjithmonë me masa nxitëse apo lehtësuese nga shteti, në mënyrë që interesi apo leverdia e atyre që investojnë të jetë sa më tërheqëse. Në këtë këndvështrim mund të them se interesi më i madh qëndron te biznesi për shumë arsye, ku ndër më kryesoret janë: Mundësia financiare për të investuar dhe kreditimi më i lehtë dhe i favorshëm nga bankat, çmimi i energjisë më i lartë se individi, i cili e bën kthimin e investimit më të favorshëm, mundësia e amortizimit të investimit nga ana fiskale.
Këto janë ndër arsyet më kryesore, duke mos harruar dhe të tjera siç është aspekti mjedisor dhe përgjegjësia social-mjedisore që kompani të ndryshme ndiejnë dhe përpiqen të investojnë në teknologji të gjelbra për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme. Shembuj të tillë ka edhe në vend, ku kompani ndërkombëtare po investojnë si në makinat elektrike, edhe në impiantet fotovoltaike në kuadrin e përgjegjësisë social-mjedisore.
Që individët të jenë më aktivë për të investuar, duke qenë se arsyet për të investuar ndryshojnë nga ato të biznesit, në këtë drejtim duhet me patjetër një paketë masash nxitëse apo lehtësuese, në mënyrë që ata të jenë më të interesuar për të investuar.
A i ka nxitur pandemia bizneset dhe individët të bëjnë investime të kësaj natyre, me bazë kursimin, apo për shkak të vështirësive ekonomike i kanë lënë mënjanë plane të tilla investimi?
Pandemia, në fakt, na bëri të kuptojmë, ndër shumë të tjera, edhe rëndësinë e një burimi energjie të sigurt dhe të qëndrueshëm. Gjatë karantinës, energjinë elektrike e konsumuam çdo ditë, sigurisht në këtë kontekst, gjithsecili do të donte një burim energjie të sigurt dhe për rrjedhojë, predispozita e individëve apo bizneseve është më e lartë për të investuar në këtë drejtim. Nga ana tjetër, pandemia ka ndikuar thellë në financat familjare apo të biznesit dhe kjo ka bërë që të “ngurrojnë” për të investuar në këtë drejtim, e cila mendoj se është momentale.
Ligji për burimet e rinovueshme të energjisë u miratua në vitin 2017 dhe disa aspekte nuk janë rregulluar me akte nënligjore, siç është pjesa e përcaktimit të çmimit me të cilin do të shiten tepricat e prodhimit tek OSHEE. Cilat janë disavantazhet apo ndikimet që ka vonesa në nxitjen e investimeve të kësaj natyre?
Ligji 7/2017 është një ligj i mirë në tërësi, duke u nisur nga fakti se nxit përdorimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, por nëse e analizojmë për kategorinë e vetëprodhuesve, mund të them se është i paplotësuar, pasi për këtë kategori, flet vetëm me disa rreshta. Në vitin 2019, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ngriti një grup pune në të cilin isha përfaqësues i grupit të interesit.
Grupi i punës ndërinstitucional hartoi draft-udhëzimin e iu paraqit ministres, e cila e nënshkroi duke ju hapur, më në fund, rrugën instalimit të këtyre impianteve fotovoltaike dhe mundësinë e matjes së energjisë, sipas skemës së matjes neto. Kjo ishte një arritje dhe një nismë shumë e madhe për kohën dhe padyshim, një meritë e ministres, znj. Balluku. Duhet të ecim me të njëjtin ritëm për të plotësuar aktet e tjera apo për t’iu përshtatur ndryshimeve të kohës ku për fat të keq, nuk po ecim si duhet. Ashtu siç e përmendët edhe ju, nuk janë plotësuar aktet nënligjore si përcaktimi i çmimit të tepricës mujore.
Në dijeninë time, ligji 7/2017 është në proces rishikimi nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të cilin kam qenë i ftuar si grup interesi për të dhënë komentet dhe sugjerimet e mia, të cilat ua kam paraqitur përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për ato pika të ligjit që prek kategorinë e vetë prodhuesve të energjisë nga burime të rinovueshme.
Dua të theksoj se nëse duam të bëjmë një ligj apo një procedure serioze dhe profesionale mjafton t’i referohemi dokumentit të komunitetit të energjisë në Vjenë, i publikuar në shtator të 2020-s me titull “POLICY GUIDELINES” by the Energy Community Secretariat on “Integration of Renewables Self-Consumers”, i cili rekomandon me hapa konkretë se çfarë mund të bëhet më mirë në këtë drejtim, ku të gjitha palët e përfshira mund të përfitojnë.
Po sa u takon alternativave të financimit, sa i përfshirë është sistemi financiar për t’i mbështetur investime të kësaj natyre, apo parapëlqehen të kryhen me kursime?
Sistemi financiar, deri tani, ka qenë shumë aktiv në financimin e këtyre investimeve me kushte dhe norma shumë të favorshme. Impiantet tona janë financuar 100% të vlerës së investimit me kolateral vetë impiantin dhe me norma interesi në nivele 3-4%. Sigurisht që bankat marrin në analizë financiare çdokënd që aplikon dhe një analizë e detajuar mbi projektin dhe produktet e përzgjedhura në mënyrë që projekti të jetë fizibël e i zbatueshëm.
Duhet thënë se bankat serioze shqyrtojnë, në mënyrë të detajuar, edhe kapacitetin teknik të zbatuesit të projektit, i cili duhet të ketë licencat përkatëse në projektim dhe zbatim për impiantet fotovoltaike, si dhe përvojën e duhur, në mënyrë që të realizojë projektin, si në aspektin ligjor, duke marrë lejet përkatëse, por edhe atë teknik.
Aktualisht ka tre projekte të mëdha që do të zbatohen në vend, parku i Spitallës, Karavastasë dhe një park tjetër privat në Fier me kapacitet 50 MW. Cilat janë efektet e mundshme që prisni në treg sa i takon diversifikimit dhe “know how”?
Këto projekte, të paktën Karavastaja dhe Spitalla, janë dhënë tek privati përmes ankandit nga qeveria shqiptare dhe për mendimin tim kanë qenë sukses në disa drejtime. Së pari, çmimi shumë i favorshëm që shteti do t’i paguajë privatit për energjinë e blerë rreth 25-30 euro/MWh për 15 vite, gjithashtu do të thotë diversifikim i burimeve të energjisë, thithje investimesh, arritje të objektivave kombëtare për rritjen e kapaciteteve të prodhimit nga burime të rinovueshme etj.
Nga ana tjetër, duhet parë me kujdes që këto projekte të jenë të qëndrueshme dhe fizibël, në mënyrë që të gjejnë zbatim, pasi kemi parë që këto projekte të favorshme mbeten vetëm në letra. Ndërkohë, projekti tjetër në Fier, i cili ka marrë dritën e gjelbër, është një nismë tërësisht private, pa mbështetje nga shteti dhe bazohet në tregun e lirë të energjisë elektrike. Sigurisht është një ogur i mirë për Shqipërinë në aspektin e diversifikimit dhe për tregun e energjisë elektrike, pasi shton ofertën në treg në kushtet kur pritet që së shpejti të kemi operativitet në Bursën e energjisë elektrike, ALPEX.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.