Mimoza Sadushaj, Kryetare e Dhomës Kombëtare të Noterisë
Zyrat noteriale po përballen me një volum të rritur pune, pasi sot po ofrojnë pranë tyre të paktën 29 shërbime vetëm për llogari të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Mimoza Sadushaj, shprehet për “Monitor” se aktualisht po synohet që të përfshihet nënshkrimi elektronik për të përshpejtuar procedurat.
Sa i takon ndikimit që pandemia ka dhënë te procedurat e lidhura me pronësinë, Sadushaj nënvizon se ka pasur një interes të lartë për të marrë dokumentet për rastet e legalizimeve apo regjistrimeve. Ndërkohë që edhe si efekt i heqjes së taksës, por edhe i pandemisë, ka një rritje të akteve të dhurimit mes familjarëve, duke lënë kështu grupin e kontratave të veçanta si testamentet, pa ndonjë rritje të dukshme.
Si ka evoluar qasja e shqiptarëve drejt kulturës juridike në kuptimin e përfshirjes së hallkave, siç janë noterët në çështje kontratash, transaksionesh apo aplikimesh për procedura të lidhura me to?
Qytetarët, nga viti në vit, i shohim më të ndërgjegjësuar për të kryer procedurat pranë zyrave noteriale. Në dy vitet e fundit është rritur volumi, sidomos sa u takon procedurave që lidhen me pronësinë dhe janë në marrëdhënie me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Për të bërë një aplikim pranë këtij institucioni, qytetari mund të paraqitet pranë një zyre noteriale, ose ta bëjë dhe vetë atë në e-albania. Përgjithësisht, përqindja më e madhe e akteve noteriale bëhet nga noterët, duke nisur nga rastet e transaksioneve, deklaratat noteriale apo fshirja e hipotekës. Noterët i bëjnë këto aplikime online në drejtim të ASHK.
Jemi ende në fazën ku po punojmë për ta përmirësuar këtë procedurë duke qenë se kemi pasur vështirësi gjatë punës sonë. Së fundmi po përfshijmë edhe nënshkrimin elektronik të noterëve. Pasi noteri përfundon një procedurë, bën aplikimin online dhe dokumentacionin pranë ASHK do ta dorëzojë elektronikisht me nënshkrimin elektronik.
Kjo bën që të nisë procedura pranë zyrave më shpejt dhe të shkurtohet kohëzgjatja e përfundimit. Eliminimi i formës shkresore është i rëndësishëm, pasi ka sjellë vështirësi dhe vonesa. Shpesh zarfet nuk shkojnë në kohë, ose ka volum të lartë përpunimi, dhe kjo merr kohën e saj.
Synojmë që këtë ta bëjmë sa më shpejt në mënyrë që të shtojmë sigurinë, të ofrojmë transparencë dhe të shkurtojmë kohë për një shërbim sa më cilësor karshi qytetarëve. Aktualisht, një pjesë të madhe të volumit të punës ne e kemi me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Konstatojmë që noterët janë të kënaqur nga realizimi i këtyre procedurave, që bëhen nëpër zyrat noteriale dhe shohim që kërkesat janë rritur sa u takon aplikimeve që bëhen. Nëse mund të jap një statistikë, mund të them që mesatarisht 900 aplikime në ditë pranë ASHK-së janë nga noterët në 6 muajt e fundit.
Pandemia i bëri njerëzit që të reflektonin për shumë aspekte në jetën e tyre. Po në raport me pronën, a vini re diçka të tillë?
Vëmë re se njerëzit janë të interesuar të mbyllin procedurat që i kanë në vazhdim. Vërtet ka ndikuar pandemia në këtë aspekt dhe shumë njerëz që i kishin procedurat ende të pafinalizuara, kanë kërkuar me ngulm që t’i mbyllin dhe të marrin një dokument në dorë. Kjo lidhet si me pjesën e legalizimit, ashtu edhe të regjistrimit të një shtëpie që mund të kenë ndërtuar.
Njerëzit duan që atë kapital, të cilin e kishin të vdekur, ta kthejnë në një kapital të gjallë. Ka pasur interes për çdo lloj procedure që ka të bëjë me pronën. Sot në zyrat noteriale bëhen aplikime nga më të ndryshmet, duke nisur nga regjistrimi, te kartelat e rifreskuara apo edhe rivlerësimi. Janë të paktën 29 shërbime nga 50 shërbime që ka sot ASHK të cilat bëhen edhe nga noterët, pra më shumë se gjysma e tyre.
Në lidhje me testamentet, a ka pasur ndonjë rritje apo ndërgjegjësim në këto vite dhe ndoshta edhe pak në vitin e pandemisë? Kjo edhe si një formë për të eliminuar konfliktet në hallka të ndryshme?
Pjesa e trashëgimisë bëhet pranë zyrave noteriale. Ka kohë që nuk është më në gjykata, si një formë për të lehtësuar qytetarët. Pavarësisht kësaj, gjendja e testamenteve vazhdon normalisht. Ka një rritje të qëndrueshme, por jo shumë të dukshme. Pandemia ka ndikuar më shumë tek regjistrimi i pronave dhe marrjes së dokumenteve të pronësisë apo certifikatës së pronësisë.
Për shembull, dikush e ka pasur pronën e regjistruar, por me vërtetim hipotekor dhe nuk ka pasur certifikatë. Ndërkohë që gjatë pandemisë ka pasur një tendencë që të sigurohet edhe certifikata. Është synuar shumë që të merret dokumenti i pronësisë në variantin final.
Për t’u kthyer tek testamentet, ne vërtet nuk vëmë re ndonjë rritje jashtë normales, por konstatojmë se është rritur së tepërmi pjesa e kontratave të dhurimit brenda familjes dhe kjo vjen edhe si efekt i heqjes së tatimit për dhurimin apo për shitjen. Në rastin që prindi për herë të parë mund t’ia dhurojë fëmijës, nuk paguan tatim dhe kjo ka sjellë rritjen e këtyre kontratave. Pra dhurimet që u janë bërë fëmijëve nga prindërit ka pasur rritje.
Më parë kjo ishte e ulët dhe njerëzit parapëlqenin të bënin më shumë testamente, sepse paguanin taksa edhe për dhurimet brenda përbrenda familjes.
Kontratat paramartesore janë një tjetër lloj kontrate që mund të bëhet pranë noterit, por shqiptarët nuk janë shumë të familjarizuar. Si ka qenë trendi i tyre këto kohë?
Ende nuk ka ndonjë trend që të shënojë rritje sado që ne e kemi publikuar apo theksuar dhe në media lidhur me këto kontrata. Mendojmë se këto kontrata janë shumë të domosdoshme për brezat e rinj që po vijnë. Por ende mendoj se këtu tek ne, çiftet e kanë të vështirë të shkojnë para noterit përpara se të bëjnë një martesë, apo qoftë dhe një bashkëjetesë.
Një kontratë e tillë, edhe nëse nuk bëhet martesë, është e vlefshme pasi do të shmangte konfliktet që mund të vijnë më pas në bashkëjetesë. Kontrata do të eliminonte dhe do t’u jepte zgjidhje gjërave të së ardhmes, të tilla si fëmijët që mund të lindin apo pasuria që mund të vendoset si gjatë martesës, si gjatë bashkëjetesës. Por nuk e kemi në mentalitet dhe është shumë e vështirë.
Janë bërë disa ndryshime ligjore sa u takon bizneseve dhe pjesës së parajsave fiskale e një sërë deklarimesh të tjera. A janë noterët të përfshirë në ndonjë hallkë tashmë sa u takon kontratave të bizneseve?
Ne jemi përjashtuar nga kjo fazë. Bërja e një kontrate tek noteri apo statuteve të bizneseve nuk është detyruese. Ne sigurisht e kemi kërkuar që kjo të përmirësohet. Kemi synuar që noteri të luajë rolin që duhet njëlloj si në Europë, ku ai ka një rol kryesor, por deri tani nuk kemi arritur. Më shumë jemi marrë me procedurat e ASHK sepse janë voluminoze dhe synojmë ta përsosim këtë. Po të arrijmë të mbyllim këtë aspekt, ndoshta do të nisim të merremi dhe me biznesin.
Aktualisht si është ecuria me procesin që ka nisur dhe do vazhdojë deri në 2026 sa i takon pakësimit të numrit? A vlen kjo me kushtet aktuale ku jemi?
Vërtet është parashikuar pakësimi i numrit të noterëve dhe me kushtet që kemi sot, është pak e vështirë në fakt, pasi jemi një numër mjaft i lartë, duke pasur parasysh numrin që na është caktuar në ligj.
Po në raport me volumin e punës, a vlen kjo pjesë e reformës?
Këtë nuk e kemi parashikuar. Kjo kërkon një studim që duhet bërë për të parë volumin dhe këtë do ta bëjmë ndoshta kur të parashikojmë edhe përfshirjen e kandidatëve të rinj. Për të realizuar të gjitha synimet që ka ligji dhe organet e përmendura në të, ne kemi parashikuar që të bëhet një provim i parë në shtator, për të marrë vetëm 10 kandidatë në Qendrën e Trajnimit që është ngritur. Kanë plotësuar dokumentacionin 78 kandidatë dhe do të marrin pjesë në provim. Sesi do të dalin, ende nuk e dimë, por nga këta vetëm 10 do të fitojnë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.