Pandemia e Covid-19 në 2020 tkurri prodhimin artizanal dhe importet e akullores. Pas hapjes së ekonomisë, sektori i prodhimit vendas i rikuperoi shitjet, ndërsa nuk ka rritje sezonaliteti krahasuar me 2019-n. Importet e janar-korrikut 2021 janë më të larta se në vitin 2019. Në Shqipëri konsumohet më tepër akullorja e importuar, e cila në 6 vitet e fundit vijon të zëvendësoje atë vendase. Problemet me cilësinë si të produktit vendas ashtu dhe importeve
Dorina Azo
Në këto ditë të nxehta është shumë e vështirë që të gjesh një produkt ushqimor më veror sesa akullorja, e cila me rihapjen e pastiçerive, lokaleve dhe mundësisë për të shkuar me pushime është kthyer ndër artikujt që pas përfundimit të karantinës, pati rikuperim të shpejtë të konsumit. Pavarësisht rritjes së kërkesës pas hapjes së ekonomisë, aktualisht në tërësi, sektori i akullores artizanale nuk po përjeton rritjen e sezonalitetit krahasuar me periudhën para pandemisë.
Akulloret e prodhuara në vend në 2020 (edhe pse prodhuesit artizanalë ofruan edhe delivery në periudhën e izolimit) janë ulur 8% krahasuar me 2019-n, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Kjo tregon se edhe ky sektor u prek nga kriza e Covid-19. Frika nga infektimet solli rënie të frekuentimeve në pastiçeri dhe dyqanet e akulloreve. Pandemia favorizoi konsumin e akulloreve të importit, të cilat janë të ambalazhuara, mund të blihen në supermarket dhe konsumohen në shtëpi.
Akullorja mund të konsumohet në çdo stinë, por piku i shitjes është në verë. Aktualisht, raportojnë rritje sezonale të konsumit me rreth 25-30% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s kompanitë importuese të akulloreve. Për këtë vit, konsumi i akullores së ambalazhuar vijon të ketë të njëjtën tendencë si në 2019-n. Edhe shumica e pastiçerive që prodhojnë prej 20 vitesh akulloren vendase pohuan se kërkesa është e njëjtë si në 2019-n.
Arsyet e mosrritjes së shitjes së akullores së freskët vendase, ata i lidhin me emigrimin e të rinjve dhe rënien e fuqisë konsumatore, për shkak të krizës nga Covid-19. Një ndër pastiçeritë më të njohura të kryeqytetit pohoi se kërkesa është 25-30% më e ulët se në 2019-n. Për një tjetër prodhues, kërkesa ishte rritur 15% në raport me 2019-n. Kompania, për pak ditë, do të finalizonte edhe hapjen e investimit të ngritjes së një pike të re të prodhimit dhe tregtimit të akullores.
Tendenca e konsumit
Eva Lako, së bashku me bashkëshortin e saj, prej 20 vitesh drejtojnë dy degët e pastiçerisë “Vittoria” në Tiranë dhe Durrës. Ndër vite, biznesi i tyre është zgjeruar, ndërkohë që po planifikojnë hapjen e një aktiviteti të ri në Tiranë.
Drejtuesja e pastiçerisë “Vittoria”, znj. Eva Lako, pohon se aktualisht parapëlqehet konsumi i akullores artizanale në shtëpi. “Janë të shumtë klientët tanë që vijnë dhe e blejnë akulloren në paketim familjar, pasi zgjedhin ta konsumojnë në shtëpi më shumë sesa të ulen në pastiçeri. Vihet re që nuk është frika e infektimit nga Covid-19, ajo që ka tkurrur frekuentimin në pastiçeri, por për ta është më e leverdishme dhe e përshtatshme, që ta konsumojnë akulloren në mjediset e shtëpisë”.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Bujqësisë për prodhimin dhe Drejtoria e Doganave për importet, për vitet 2013-2020, shqiptarët kanë konsumuar mesatarisht, nga vit në vit, 4,000 deri 5,000 tonë akullore. Konsumi më i lartë është te akullorja e ambalazhuar e importit sesa ajo e prodhuar në vend. Në 2020-n, importet zënë 76% të totalit të konsumit të akullores. Tendenca është e njëjtë në shtatë vitet e fundit. Raporti është përmbysur vetëm në 2014-n, ku prodhimi vendas zinte 55% të totalit të konsumit.
Efektet e pandemisë
Në karantinë, shumë prodhues të akullores vendase, për të mbijetuar u detyruan, për herë të parë, të nisnin një shërbim të ri të shitjes së këtij produkti që nuk e kishin zbatuar në parë. Kriza e Covid-19 nxori në pah nevojën e disa bizneseve për t’u përshtatur me shërbimin delivery. Pas hapjes së ekonomisë, prodhuesit e akullores vendase u përballën me rritje të kërkesës.
Arsyeja ishte rihapja e pastiçerive, dyqaneve dhe funksionimi i turizmit. Pavarësisht kësaj, prodhuesit pohojnë se vijojnë të ndihen efektet e pandemisë. Eva Lako, përfaqësuese e pastiçerisë “Vittoria”, thotë se kërkesa për akullore është e njëjtë si në 2019-n. “Efektet e pandemisë, ende janë të pranishme. Akullorja shitet më tepër në stinën e verës dhe aktualisht kërkesa është më e lartë krahasuar me 2020-n. Në krahasim me 2019, shitjet sezonale të këtij viti janë të njëjta, nuk ka pasur rritje. Mendoj se kjo ka ardhur për shkak të pandemisë”.
Edhe përfaqësuesi i pastiçerisë “Insean”, Pëllumb Kurti, që ndodhet buzë rrugës kryesore të Gjirit të Lalëzit, e ngritur para 24 viteve, thotë se kërkesa është e njëjtë si në 2019-n. “Krahasuar me verën e 2020-s, kërkesa për akullore është më e lartë.
Në raport me periudhën para pandemisë, në vitin 2019, kërkesa është stabël, nuk ka shënuar rritje. Mendoj se kjo ka ardhur për shkak të rënies së fuqisë blerëse nga kriza e Covid-19. Numri i konsumatorëve besnikë të akullores artizanale nuk ka ndryshyar. Nuk është rritur numri i konsumatorëve në moshë të re të akullores, pasi pjesa dërrmuese e tyre kanë emigruar jashtë Shqipërisë”, – nënvizon z. Kurti.
Një tjetër pastiçeri në kryeqytet, që preferoi të mbetet në anonim, pohoi për “Monitor” se aktualisht, kërkesa për akullore është 25-30% më pak se në 2019-n. Drejtuesit shpjeguan se kjo ka ardhur për shkak të rënies së frekuentimit në pastiçeri, nga frika e infektimeve me Covid-19. Në periudhën e karantinës, për shkak të skadencës së mallit, ky biznes humbi 45 mijë euro, ndërsa nuk zbatoi shërbimin delivery për akulloren, pasi e konsideroi të papërshtatshme për këtë produkt.
Largimi i krahut të punës
Biznesi për prodhimin e akullores në fshatin Armathë të Durrësit ka nisur 24 vite më parë, si një punishte e vogël nga Pëllumb Kurti. Sot biznesi është zgjeruar dhe janë të shumta kërkesat për lidhjen e kontratave të eksportit. Por përfaqësuesi i pastiçerisë “Insean” thotë se nuk ka pranuar asnjë nga ofertat, pasi mungesa e krahut të punës e bën të pamundur zgjerimin e aktivitetit.
“Në zonën tonë është i madh numri i të rinjve, që janë larguar jashtë Shqipërisë. E kemi të pamundur të gjejmë punonjës të rinj për t’i trajnuar. Në shumë raste, na ka ndodhur që i kemi trajnuar gjatë stinës së dimrit dhe në sezonin e verës janë larguar. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur të mos zgjerojmë biznesin për kontratat e eksportit që janë ofruar nga biznesmenë shqiptarë në Zvicër, Slloveni dhe Angli.” Aktualisht, në punishten e tij të akullores, punëson rreth 9 vetë, të cilët janë familjarë, ose miq të familjes.
Frika tjetër që e kushtëzon prodhuesin e akullores në zonën e Gjirit të Lalëzit për të eksportuar është se do të humbasë cilësinë e akullores vendase, pasi mungon fuqia punëtore për të shtuar numrin e krerëve të lopëve. “Ky është një biznes me cikël të mbyllur.
Përveç dyqanit të akulloreve, kemi edhe një fermë me 25 krerë lopë, prej të cilave marrim lëndën e parë. I gjithë sekreti, përveç formulës speciale që e kanë vetëm anëtarët e familjes sonë, është lënda e parë, ndërsa furnizimi me vezë të freskëta bëhet nga fermerët vendas. Nëse do të pranoja ofertat për eksportimin e akullores, do të fillojë të humbasë cilësia, pasi mungon krahu i punës për të shtuar numrin e krerëve të lopëve”.
Investimet e reja
Dyqani i akulloreve “La Nocciola” është ngritur prej vitit 2016 me dy pika të tregtimit të akullores artizanale, pa ngjyrues, në zonën e ish-Bllokut dhe pranë zonës së “21 Dhjetorit”. Drejtuesi i pastiçerisë “La Nocciola”, Ferdinand Bregu, thotë se pandemia nuk ka ndikuar te kërkesa. Sipas tij shitjet këtë vit janë rritur 10-15% më shumë se vjet dhe periudhën para pandemisë. Arsyeja e rritjes së kërkesës është ruajtja e cilësisë dhe ofrimi i risive për klientët besnikë.
“Ne kemi qenë pionierët e dërgesave në shtëpi të akulloreve. Shumë prej konsumatorëve ju dukej e çuditshme që ky shërbim mund të realizohej. Në periudhën e karantinës, pati shumë kërkesa për shërbimin delivery dhe në disa raste, nga fluksi, dërgimi i porosive vonohej. Në momentin kur akullorja dorëzohej te klienti, ashtu siç dilte nga pastiçeria, të gjithë mrekulloheshin dhe na përgëzonin për shërbimin.
Tendenca e kërkesës është në rritje me 10-15% krahasuar me vjet kur u zbatua karantina për shkak të pandemisë, por edhe me periudhën para saj, më 2019-n. Arsyeja është vlerësimi i produktit nga klientët. Ne çdo ditë investojmë për rritjen e konsumatorëve besnikë të markës sonë.
Pas pak ditësh ne do të hapim edhe pikën e tretë të tregtimit të akullores në TEG. Edhe kësaj radhe, do të jemi pionier të diçkaje të re”, pohon drejtuesi i “La Nocciola”, z. Bregu. Parashikimet për shitjet janë optimiste edhe për vitin tjetër. Ai thotë se të gjithë indikatorët e plan-biznesit pritet të sjellin rritje të kërkesës deri 15% edhe për 2022.
Ecuria e importit të akullores
Për vitin 2020, importi i akullores nga pandemia është ulur 11,5% krahasuar me 2019-n. Për këtë vit, situata është rikuperuar. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Doganave, importet e 7-mujorit janë rritur 21% më shumë se vjet. Në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, importi i akullores është rritur 10%.
Përfaqësuesit e “Agna Group”, që importon disa marka akulloresh të huaja, pohuan për “Monitor” se shitjet e akulloreve në supermarkete dhe dyqane këtë vit janë 23-30% më shumë se në 2020-n. Për 2021, në krahasim me 2019-n, kërkesa ka mbetur e pandryshuar.
“Arsyeja kryesore e rritjes së kërkesës është hapja e ekonomisë pas zbatimit të karantinës 3-mujore. Akullorja e ambalazhuar shitet më tepër në markete për familjarët, por edhe në hotelet e zonave bregdetare. Me rihapjen e aktivitetit të tyre, kërkesa u rrit krahasuar me 2020”, pohuan drejtues të kompanisë, që parashikojnë rritje edhe në vazhdim, për shkak të ndryshimit të orarit të kufizuar të lëvizjes.
Konsumi i akullores
Konsumatorët më të mëdhenj të akullores në vendet e Bashkimit Europian janë shtetasit e Belgjikës. Sipas Statista.com, konsumi i akullores për frymë në këtë shtet është 16 kg për vitin 2020. Pas tyre renditet Portugalia me 14 kg/vit për frymë dhe Polonia me 13,6 kg/vit për frymë.
Republika Çeke renditet e katërta për konsum të lartë të akullores për frymë me 11,2 kg. Pas këtij shteti renditet Irlanda me 10,9 kg dhe Suedia me 10,7. Spanjollët konsumuan në vitin 2020 8,3 kg akullore/frymë. Pas tyre renditen shtete, si: Danimarka 7,7 kg/frymë, Finlanda 7,2 kg/frymë, Italia 6,3 kg/frymë, Bullgaria 6 kg/frymë, Norvegjia 5,6 kg/frymë dhe e fundit, Greqia me 5,5 kg/frymë.
Në Shqipëri, konsumi i akullores për vitin 2020 i llogaritur në bazë të prodhimit vendas, importeve dhe numrit total të popullsisë është 1,2 kg/frymë. Konsumi i akullores për frymë në vendin tonë është larg mesatares së vendeve europiane. Në renditjen botërore, në vend të parë për konsumin më të lartë të akullores renditet Zelanda e Re me 23 kg/frymë në vit, ndjekur nga SHBA 20 kg/frymë dhe Australia, me 18 kg/frymë.
Problematikat e sektorit
Disa nga prodhuesit e akullores në vend e shohin ligjin për sigurinë ushqimore për këtë produkt të pazbatueshëm dhe nxitës të dhënies të ryshfetit për inspektorët e AKU-t. Prodhuesit vendas janë të shqetësuar edhe për mungesën e kontratave të punës specifike të pastiçerëve, që përcaktojnë orët e punës dhe nivelin e pagës sipas profesionit.
Për një pastiçeri në Tiranë (që kërkoi të mbetet në anonimat), ligji i sigurisë ushqimore te sektori i akullores është i pazbatueshëm, që në momentin kur përcakton se prodhuesi duhet të ketë disa ambiente për prodhimin, shitjen dhe magazinimin.
“Ligji është i pazbatueshëm për prodhuesit vendas, pasi kërkon shumë kosto në investime. Një prodhues i akullores artizanale, i vogël ose i madh, duhet të ketë në punishten e tij 4 ambiente të veçuara, si: për prodhimin e akullores, magazinimin me dhoma frigoriferike, dhomat e freskimit dhe ambientin më vete të shitjes. Por kjo është e pamundur të zbatohet nga të gjithë prodhuesit dhe nxit dhënien e ryshfeteve ndaj inspektorëve. Është e domosdoshme që ligji të ndryshojë, të hartohet sipas një modeli të ri, në përputhje me fuqinë e bizneseve shqiptare. Problem i sektorit është edhe kontrata e punës.
Për profesionin e pastiçerit, nevojitet kontratë e veçantë pune, që përcakton orët që duhet të punojë, të cilat nuk mund të jenë më shumë se 5 orë në ditë. Në Shqipëri, sot operohet me kontrata të njëjta pune si për punonjësit e administratës, ashtu edhe për profesionet”, – pohuan burime nga tregu.
Në Shqipëri u tregtua 33% e sasisë të importuar të akullores “Mars” me substanca të dëmshme
Edhe këtë verë është përsëritur problematika me tregtimin e akulloreve të importit që përmbajnë substanca të dëmshme për shëndetin. Rreth 33% e sasisë së akullores të kompanisë “Mars” me përmbajtje oksid etilieni e importuar nga 2 kompani vendase është shitur në Shqipëri.
Pjesa e mbetur e mbetur e akulloreve të markave “Bounty”, “Snickers”, “Twix” është tërhequr nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për t’u asgjësuar pas kontrollit që ky institucion ushtroi te 2 subjekte importuese gjatë muajit gusht.
Kontrolli nis pas marrjes së alertit nga Sistemi i Emergjencave për Ushqimin të Komisionit Europian (RASFF) datën 31 korrik të këtij viti me temë: “Substancë e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores nga Franca”, me numër reference 2021.3976, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje.
Sipas AKU-së gjatë kontrollit zyrtar të kryer në 2 subjektet të cilat kishin importuar këtë produkt u konstatua se nga sasia prej 35,984 kg e importuar, u gjend gjendje e pa tregtuar sasia prej 19,880 kg e cila u bllokua. Në treg nga këto subjekte ishin shpërndarë 16,104 kg akullore, ku rezultoi e shitur 11,747 kg. Sasia e gjendur gjendje ne subjektet importuese dhe sasia e tërhequr nga tregu në një total mbi 20,000 kg akullore u asgjesuan.
Reagimi i kompanisë ndërkombëtare “Mars Wrigly”
Për shitjen e akulloreve me përmbajtje të substancave të dëmshme në Shqipëri reaguan edhe drejtuesit e kompanisë ndërkombëtare Mars Wrigley. Kompania në reagimin e saj pohoi se ka tërhequr akulloret e prekura të markës Mars Wrigley në tregun shqiptar më 5 gusht 2021 dhe ato nuk janë në raftet e marketeve.
“Shpërndarësit tanë kanë qenë dhe janë duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse të sigurisë ushqimore dhe klientët tanë me pakicë për të siguruar që konsumatorët të jenë në dijeni të tërheqjes nga tregu. Konsumatorët janë informuan për tërheqjen e akulloreve nga tregu përmes njoftimeve të vendosura në dyqane.
Kjo tërheqje është iniciuar duke synuar interesin më të lartë të konsumatorëve tanë. Tërheqja nga tregu u bë për shkak të pranisë së oksidit të etilenit në një përbërës të prodhuar nga një prej furnizuesve tanë, në nivele që janë më të larta se sa lejohen nga ligji i BE-së. Kjo është një çështje që prek Mars Wrigley, si dhe prodhuesit e tjerë.
Edhe pse niveli i ETO (oksidit të etilenit) në përbërësin e prekur është mbi kufijtë ligjorë për përbërësin në Evropë, ne përdorim vetëm një sasi të vogël të këtij përbërësi në akulloret që prodhojmë. Si pasojë, niveli i ETO (oksidit të etilenit) në akulloret tona është minimal dhe shumë poshtë kufijve ligjorë në Evropë për përbërësin. Konsumimi i produkteve nuk është i dëmshëm. Kjo tërheqje nga tregu aplikohet vetëm tek produktet dhe seritë e caktuara”, nënvizohet në reagim.
Oksidi i etilenit, i cili është i ndaluar në vendet e BE, është një gaz pa ngjyrë, i cili merr flakë shumë lehtë, dhe përdoret në industrinë ushqimore si një sterilizues. Sipas ekspertëve ai ka aftësinë që të dëmtojë ADN-në si dhe të shkaktojë kancer.
AKU bllokoi edhe linjën e akullores vendase
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njoftoi më 29 korrik se bllokoi një linjë të prodhimit të akullores. Masa urgjente u vendos pas konfirmimit të raport provës nga laboratori mbi përmbajtjen e substancave të dëmshme në akullore. Gjithashtu subjektit iu vendos gjobë për shkeljen e rregullave të prodhimit të ushqimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.