Pandemia “than” edhe biznesin e ujit

18/07/2020 10:08 PM 0 komente

Shpresa e operatorëve mbetet stabilizimi në muajt e verës dhe ardhja e të huajve

 

Shitjet e kompanive të ujit të pijshëm në periudhën e karantinës ranë deri në 50%, për shkak të mbylljes së bareve, lokaleve dhe restoranteve. Edhe rënia e eksporteve ishte në të njëjtat nivele. Hapja e strukturave të shërbimit ndikoi te përmirësimi i shitjeve të industrisë, por kompanitë shprehen optimiste për më shumë rritje të shitjeve në muajt e verës. Për tregun, temperaturat e larta dhe ardhja e turistëve nga rajoni konsiderohen avantazh.

 

Nga Dorina Azo

Pandemia e COVID-19 ka ndikuar edhe te shitjet dhe eksportet e kompanive kryesore të ujit të ambalazhuar. Operatorët shprehen për rënie të shitjeve në nivelet 20 deri në 50%, veçanërisht në prill, kur vendi ishte i izoluar për shkak të pandemisë.

Për shumicën e kompanive, tregu i shitjes së ujit natyral është i ndarë 50% në markete dhe supermarkete dhe 50% në bare, restorante, hoteleri-turizëm. Ndikimin më të madh te rënia e shitjeve vlerësohet se e dha mbyllja e shërbimeve në bare, restorante dhe hotele që nga 10 marsi, por rritja e shitjeve të ujit, sidomos në javët e para të karantinës për konsum familjar, zbuti efektin rënës.

Kompani të tjera të kësaj industrie konsiderojnë si faktor të rënies së shitjeve zgjerimin e tregut informal, ku uji shitet me çmim më të lirë. Kriza që shkaktoi pandemia preku edhe eksportet e ujit natyral. Sipërmarrësit e industrisë pohojnë se kohët e fundit, ky treg ka njohur zgjerim në vendet arabe, për shkak të cilësisë së vendburimeve të ujit dhe investimeve, por aktualisht ecuria e tyre është e ngadaltë, nga mungesa e turistëve.

Me rritjen e temperaturave dhe konsumit të ujit në muajt korrik-gusht, parashikimet e industrisë janë optimiste. Pasojat e pandemisë për këtë vit nuk parashikohen të jenë të rikuperueshme nga operatorët, të cilët shprehin pamundësinë e realizimit të të ardhurave, si në nivelet e 2019-s.

 

Rënia e prodhimit nisi që në 2019

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2019, në vend, ishin aktive 52 kompani, që merren me trajtimin dhe ambalazhimin e ujit të pijshëm. Numri i kompanive të cilat operojnë në këtë sektor ka mbetur i pandryshuar krahasuar me 2018, me pjesën më të madhe të përqendruar në Tiranë dhe Gjirokastër. Në kryeqytet, në vitin 2019, ishin aktive 18 ndërmarrje të prodhimit të ujit të ambalazhuar nga 21 në 2018. Në Gjirokastër janë 5 kompani të prodhimit të ujit natyral.

Në vitin 2019, prodhimi i ujit natyral pësoi rënie të lehtë në nivelin 3%. Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, vitin e kaluar u prodhuan 1,637,797 hektolitra ujë natyral me vlerë 2,7 miliardë lekë. Në 2018, sasia e prodhuar ishte 1,688,520 hektolitra, me vlerë 2,8 miliardë lekë.

 

 

Efekti i karantinës te shitjet

Frika dhe pasiguria për kohëzgjatjen e karantinës ndikoi te blerjet e konsumatorëve në javët e para të muajit mars. Më tepër të orientuar për shpenzime të shportës ushqimore, në ditët e para të karantinës, qytetarët “vrapuan” edhe për rritjen e blerjeve të ujit të pijshëm të ambalazhuar. Përfaqësues të industrisë së ujit natyral, pohojnë se ky faktor ndikoi në zbutjen e efektit negativ që ata patën te shitjet nga mbyllja e bareve, lokaleve dhe restoranteve.

Administratori i kompanisë së ujit “Lajthiza”, Thanas Siveri, shpjegon për “Monitor” se në muajin mars, kërkesa për ambalazhe familjare shënoi rritje. Në muajin prill, kur popullata ishte në karantinë totale, zoti Severi thotë se shitjet e ujit ranë 50% krahasuar me 2019.

“Në muajin mars, totali i shitjeve nuk pësoi rënie, nivelet ishin normale. Masat kufizuese të karantinës nisën të zbatoheshin pas datës 10 mars, dhe periudha përpara zë 30% të punës së muajit. Më pas, për ambalazhet familjare të ujit, kërkesa në market dhe supermakete u rrit, nga këto subjekte u mbajt më shumë stok.

Qytetarët ishin në panik, askush nuk e dinte se do të zgjaste karantina dhe çfarë do të ndodhte më pas, për këtë arsye rritën blerjet për produktet ushqimore, por edhe për ujin. Nuk mund të them se shitjet për ujin patën rritje të madhe, por arritëm të kompensonim humbjet nga mbyllja e lokaleve, bareve dhe restoranteve. Ndërsa në muajin prill dhe maj, shitjet pësuan ulje të ndjeshme deri në 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019”.

Administratori i kompanisë së ujit “Qafshtama”, Florant Dautaj, thotë se mbyllja e strukturave të shërbimit ndikoi te shitjet, të cilat ranë 40%. “Në periudhën e karantinës kemi pasur rënie të shitjeve për shkak të mbylljes së bareve, restoranteve dhe hoteleve. Në muajin prill, shitjet ranë 40% në krahasim me prillin e vitit 2019. Rritja e shitjeve për konsum familjar në markete dhe supermarkete zbuti efektin e krijuar për shkak të rënies së shitjeve nga mbyllja e bareve, hoteleve dhe restoranteve”.

Roza Hasa, shefe finance e kompanisë së ujit të ambalazhuar “Kristal”, thotë se pjesa dërrmuese e shitjeve, rreth 70%, është në markete dhe supermarkete. Sipas saj, kjo strukturë e ndarjes së shitjeve në treg të kompanisë, ndikoi që efektet negative të mos ishin në nivele të larta në periudhën e karantinës. “Pandemia ka ndikuar negativisht te shitjet. Në periudhën e karantinës, shitjet ranë 10 deri në 20%. Më pas, me hapjen e bareve, lokaleve dhe restoranteve shitjet shënuan një rritje të lehtë, pasi edhe frekuentimi konstatohet se nuk është në masë të madhe në bare dhe restorante, siç ka qenë në periudhë normaliteti”.

 

Uji i pijshëm u shit edhe online

Në periudhën e karantinës, shumë biznese të shërbimit operuan online për t’u mbijetuar efekteve që po shkaktonte pandemia. Shitjet online janë parë si “shpëtim” për vazhdimësinë e aktivitetit edhe nga industria e ujit të ambalazhuar. Luis Ndreka, administrator i ujit “Dukat”, një kompani relativisht e re në treg, e cila ka nisur operimin nga qershori i 2019-s, thotë se në muajt mars-prill kanë punuar edhe me dërgesa në shtëpi.

“Pati një rënie të lehtë të shitjeve në muajt mars-prill, në periudhën e karantinës, për shkak të mbylljes së bareve, lokaleve dhe restoranteve, krahasuar me shitjet për muajt janar-shkurt të 2020-s. Gjatë pandemisë kemi kryer shitje online, bënim rreth 15 deri në 20 dërgesa në ditë në shtëpi. Tashmë këtë shërbim nuk po e kryejmë më, pasi kërkesat ranë, me heqjen e masave kufizuese. Me hapjen e ekonomisë, nisëm shitjet te baret, restorantet, kafenetë, hotelet”, pohon zoti Ndreka.

Kompania e ujit të pijshëm “Dukat”, nisi për herë të parë shitjet në qershor të vitit 2019. Sipas përfaqësuesit të saj, trendi është rritës, muaj pas muaji, për shkak të investimeve dhe cilësisë së burimit të ujit. “Në 2017, nisën investimet për ngritjen e kompanisë, por duke qenë një industri ushqimore prej 28 vitesh te kompania ‘Lufra’, ne e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë të investosh për një makineri të sigurt.

Uji qëndron 1 deri në 2 vjet në shishe pa u hapur, dhe për këtë konsiderohet produkt më delikat se bulmeti, higjiena shumë e mirë është e domosdoshme. Kërkimet për burimin e ujit i kemi nisur në fillim të 2016-s dhe burimi i gjetur, është më i miri, për shkak të ngarkesës zero bakteriologjike. Uji buron nga mali i Çikës në Dukat dhe vendburimi është 180 metra nën tokë. Karakteristika e veçantë e këtij vendburimi të vjetër në malet e Llogorasë është se në asnjë stinë të vitit nuk ndryshon parametrat bakteriologjikë.”

 

Rriten shitjet pas hapjes të bareve dhe lokaleve

Nga 18 maji, hapja e bareve, lokaleve dhe restoranteve dha efekt pozitiv te shitjet e kompanive të ujit të pijshëm. Thanas Severi i ujit “Lajthiza”, thotë se gradualisht shitjet po stabilizohen, por nuk parashikon realizim të të ardhurave të planifikuara në fillim të vitit. Shitjet e ujit “Lajthiza” të ndara sipas vlerës në treg janë 50% në shërbimet HoReCa (Hotel, Restorante, Kafene), dhe 50% në markete dhe supermarkete.

“Pas hapjes së bareve, lokaleve dhe restoranteve shitjet u përmirësuan, por jo në nivele të larta, pasi edhe këto struktura shërbimi nuk po punojnë me kapacitete 100%. Gradualisht shitjet po stabilizohen, për shkak të hapjes së shërbimeve HoReCa (Hotel, Restorante, Kafene). Duhet theksuar që pas hapjes së këtyre shërbimeve, shumë subjekte duke qenë se nuk dispononin mall stok, pasi ishin të mbyllur prej 3 muajsh kryen furnizime për vazhdimin e punës, kjo ndikoi direkt te shitjet.

Në fillim të muajit qershor, shitjet u rritën, por ecuria nuk është e njëjtë tani me mbylljen e muajit. Në kompaninë e ujit të ambalazhuar ‘Lajthiza’ janë të punësuar rreth 300 punonjës. Administratori i kompanisë pohon se në periudhën e karantinës, puna vazhdoi dhe nuk pati asnjë të larguar nga puna. “Të ardhurat për këtë vit nuk janë në nivelet sipas planit të parashikuar. Të ardhurat për 2020 ishin parashikuar të ishin më të larta se ato të vitit 2019, por nuk do të jenë të realizueshme për shkak të pandemisë. Pozitive do të ishte nëse do të realizonin të ardhurat sa në vitin 2019, por edhe për këtë jemi mbrapa”.

Administratori i kompanisë “Qafshtama”, Florant Dautaj, pohon se niveli i rënies së shitjeve është në trendin e shënuar edhe në rajon. “Aktualisht, shitjet kanë rënë 20%, pasi turizmi është i bllokuar, nuk ka fluks turistësh, sidomos nga Kosova dhe Maqedonia dhe vendet e tjera. Rënie shitjesh është shënuar edhe në vende të tjera të Ballkanit, si Serbia, Greqia, një trend i vërejtur në të gjitha fabrikat, për shkak të mungesës së turistëve.

Shpresojmë që situata të përmirësohet për muajt korrik-gusht, ku fluksi i turistëve dhe shitjeve është më i lartë. Nëse rënia e shitjeve do të thellohet, kjo do të rëndojë bilancin e kostove, pasi kompania është përgatitur për rritje të të ardhurave për këtë vit. Sipas tij, shitjet në segmentin HoReCa (Hotel, Restorante, Kafene), zënë 55% të tregut dhe pjesa tjetër te marketet dhe supermarketet.

 

Industria, optimiste për shitjet gjatë verës

Rritja e temperaturave në muajt korrik-gusht pritet të shtojë konsumin e ujit natyral. Kompanitë kryesore në vend shprehen optimiste për ecuri pozitive të shitjeve në stinën e verës. Kjo industri vlerëson si avantazh tregu edhe shtimin e turistëve, sidomos nga vendet e rajonit për këtë sezon. Për muajt korrik dhe gusht, kompania “Lajthiza” parashikon që shitjet të rriten, nëse do të ketë fluks turistësh nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. “Avantazh për rritjen e shitjeve do të jetë ardhja e turistëve, nga vendet fqinje. Nëse kufijtë nuk hapen dhe turizmi do të frekuentohet vetëm nga vendasit, shitjet do të jenë nën planin e parashikuar, por nuk mund të themi se jemi në krizë.”

Administratori i kompanisë së ujit “Dukat”, Luis Ndreka, shpjegon se shitjet tek industria e ujit në stinën e verës janë më të larta në krahasim me muajt e tjerë. Për muajin qershor, shitjet e kompanisë janë dyfishuar krahasuar me 2019. “Qershoori rezultoi pozitiv, pasi shitjet në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2019 aktualisht janë dyfish. Duhet të theksoj se sezoni turistik po ndihet ‘i vakët’, mosardhja e pushuesve të huaj ka ndikuar te shitjet për këtë produkt. Parashikojmë që shitjet të jenë më të larta edhe për muajt korrik dhe gusht, gjatë të cilëve rritet edhe kërkesa për konsum të ujit. Mendoj se shitjet në sezonin e verës do të jenë në nivele të mira.”

Përfaqësuesja e kompanisë të ujit “Kristal”, Roza Hasa, pavarësisht se parashikon ecuri pozitive të shitjeve në muajt e verës, thotë se pritshmëritë e saj nuk janë optimiste që të arrihen nivelet e vitit të kaluar. “Faktorët kryesorë janë rënia e ekonomisë dhe të të ardhurave të shumë familjeve, për shkak të humbjes së vendit të punës. Duhet të theksojmë se në periudhën e pandemisë, shumë biznese ishin të detyruar për shkak të mungesës të punës, të largonin punonjësit.

Kjo ndikoi në rënien e të ardhurave dhe shtimit të pasigurisë për më shumë shpenzime. Për kompaninë është disavantazh edhe mungesa e turistëve dhe mosfunksionimi me kapacitet të plotë i strukturave akomoduese, për muajin qershor. Shpresojmë që për korrikun dhe gushtin, të shtohet numri i turistëve, pasi sezoni konsiderohet si avantazh për shitjet e industrisë sonë”.

 

Rënie edhe tek eksportet

Eksportet e ujit të pijshëm, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, shënuan rritje 26% në 2019 në krahasim me 2018. Për vitin 2019, kompanitë e ujit të ambalazhuar eksportuan rreth 20,9 milionë litra ujë, nga 15,5 milionë litra që u eksportuan në 2018.

Për këtë vit, për shkak të ndikimit të pandemisë, operatorët thonë se ecuria e eksporteve është e ngadaltë. “Ashtu, si për shitjet, e njëjta situatë paraqitet edhe për eksportet. Kompania kishte parashikuar sasi të konsiderueshme për të eksportuar, por ende nuk e dimë se si do të shkojnë porositë. Aktualisht, ecuria e eksporteve është e ngadaltë. Ne eksportojmë në Dubai, ku edhe në këtë vend është ulur numri i turistëve dhe për shkak të ndërprerjes të fluturimeve, konsumi për ujin në këtë treg ka rënë. E njëjta situatë paraqitet edhe në Zvicër, ku ne eksportojmë, edhe në Maqedoni dhe Kosovë”, thotë administratori i kompanisë “Lajthiza”

Zoti Dautaj i kompanisë “Qafshtama” thotë se eksportet në periudhën e pandemisë shënuan rënie në 40% të tyre. “Parashikojmë rritje të tyre në muajt në vijim, për shkak të heqjes së masave kufizuese dhe hapjes së ekonomisë edhe në Kosovë, ku ne eksportojmë”.

Në të ardhmen, ambicia e kompanisë “Dukat” është nisja e eksportit të ujit, “Për shkak të cilësisë të ujit, kemi si qëllim eksportin. Jemi duke parë hapësirat dhe duke vlerësuar kërkesat e kompanive nga shteti arab, Omani, për realizimin e marrëveshjeve.”

Edhe importi i ujit të ambalazhuar shënoi rritje 17% në 2019 krahasuar me 2018. Nga 2015 deri në 2017, trendi i importeve ishte rritës. Në 2018 krahasuar me vitin 2017, ato shënuan ulje rreth 15%. Për vitin 2019, u importuan 12,5 mln litra ujë të ambalazhuar, nga 10,3 mln litra të importuara në 2018.

 

 

Dëmet e informalitetit

Për disa kompani të tjera, faktor kryesor për rënien e shitjeve konsiderohet tregu informal dhe konkurrenca e pandershme. Roza Hasa, shefe finance e kompanisë së ujit të ambalazhuar “Kristal”, nënvizon si faktor kryesor të rënies të shitjeve konkurrencën e pandershme.

Sipas zonjës Hasa, shtimi i makinave me bote që tregtojnë ujë për konsumatorët familjarë, jo vetëm që ka rritur konkurrencën e pandershme, por është kthyer edhe në një rrezik për popullatën, pasi tregtohen në mungesë të kushteve higjieno-sanitare.

“Te rënia e shitjeve, për ne, ndikoi më shumë informaliteti, sesa pandemia. Familjeve me të ardhura të ulëta iu leverdis më shumë të blejnë ujë në makinat e palicencuara që qarkullojnë nëpër lagjet e Tiranës, pasi çmimi është më i lirë, sesa të blejnë ujë në ambalazhim familjar në markete. Pasi me të njëjtin çmim të një ambalazhi familjar 10 litra në market, këto familje blejnë 10-fishin e sasisë të ujit. Por uji që shitet në bote, përveçse nuk është i sigurt, po dëmton shumë bizneset e licencuara”.

 

 

Ecuria e të ardhurave dhe fitimeve

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, deri në vitin 2018, kur janë të disponueshme informacionet, kompania më e madhe në vend për nga të ardhurat është “Lajthiza”. Të ardhurat e kompanisë në 2018 u rritën 43%, krahasuar me 2017. Për vitin 2018, kompania realizoi rreth 1,2 miliardë lekë të ardhura nga 882 milionë lekë në 2017.

Kompania “Uji i Ftohtë Tepelena”, në vitin 2018, realizoi rreth 1,1 miliardë lekë të ardhura. Në krahasim me 2017, të ardhurat e kompanisë u rritën 13%. Për vitin 2018, kompania pozicionohet e dyta në treg për nga të ardhurat, ndërsa në vitin 2017 renditej e para. Të ardhurat e kompanisë në 2017 ishin rreth 1 miliard lekë.
Kompania e ujit “Qafshtama” e cila pozicionohet e treta në treg për nga të ardhurat, shënoi rënie të ardhurave me 21% krahasuar me 2017. Të ardhurat e kompanisë nga shitjet në 2018 janë rreth 628 milionë lekë nga 805 milionë lekë në 2017.

Tkurrje të të ardhurave pati edhe për kompaninë e ujit “Alpin” dhe Selita (Blu Imperial). Të ardhurat e kompanisë Alpin në 2018 ranë rreth 2%, krahasuar me të ardhurat e realizuara në 2017.
Ndërsa të ardhurat e kompanisë “Selita” u reduktuan rreth 27%. Fitimet më të larta, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit për vitin 2018, i realizoi kompania e ujit “Qafshtama”, më pas renditet “Uji i Ftohtë Tepelena” dhe kompania “Lajthiza”.

 

 

INTERVISTA

 

Flet Laurentiu Hutanu, Drejtor i Përgjithshëm i Uji i Ftohtë Tepelenë

 

“Rritja e eksporteve do të zbusë efektet e pandemisë”

Efektet e karantinës janë ndier edhe te një ndër kompanitë më të mëdha në vend, siç është “Uji i Ftohtë Tepelena”. Drejtori i Përgjithshëm, Laurentiu Hutanu, në intervistën për “Monitor”, shpjegon se mbyllja e bareve, lokaleve, restoranteve ndikoi te rënia e shitjeve. Edhe pas hapjes së ekonomisë, efekti te shitjet vazhdoi.

Për këtë tendencë, përfaqësuesi i “Ujit të Ftohtë Tepelena” jep dy arsye; së pari për shkak të rregullave jo të gjitha strukturat e shërbimit u hapën në vend dhe të ardhurat e konsumatorëve u reduktuan nga COVID-19. Pritshmëritë nuk janë optimiste edhe për muajt e verës, por ambicia e kompanisë është të rrisë eksportet në vendet e rajonit, si: Maqedonia, Kosova, Greqia, Italia, Zvicra. Sipas zotit Hutanu, cilësia e lartë e ujit e vlerësuar jashtë vendit, pritet të ndikojë në zbutjen e efekteve të pandemisë.

A ndikoi mbyllja në karantinë gjatë muajve mars-maj te shitjet krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2019?

Po, pasi biznesi HoReCa (Hotel, Restorante, Kafene) dhe bizneset e tjera u mbyllën, ne patën një rënie të konsiderueshme në të ardhurat nga shitjet. Si rrjedhojë, të gjithë treguesit kryesorë të performancës u prekën negativisht. Pavarësisht këtij problemi, ne arritëm të mbanim në punë të gjithë punonjësit tanë dhe asnjë prej tyre nuk mbeti pa punë.

Në muajin maj, qeveria lejoi hapjen e lokaleve dhe restoranteve. A u kthyen shitjet në këtë kategori në të njëjtat nivele si para mbylljes, apo keni më pak shitje?

Jo! Për shembull, në biznesin HoReCa (Hotel, Restorante, Kafene) jo të gjitha bizneset e lokaleve dhe restoranteve u rihapën. Për shkak të rregullave të COVID-19, shitjet te klienti janë ende të prekura. Gjithashtu, si rrjedhojë e periudhës së mbylljes, jo të gjithë klientët kanë para mjaftueshëm për të blerë produktet.

Cilat janë pritshmëritë tuaja në muajt në vazhdim meqë edhe sektori i turizmit pritet të fillojë në korrik?

Ne presim ulje në numrin e turistëve në Shqipëri, kjo për shkak të ndikimit të COVID-19 dhe rregullave të ndryshme në shtetet e tjera. Si pasojë, biznesi ynë gjithashtu do të preket.

A ndikoi situata e pandemisë në eksporte? Si është gjendja e eksporteve deri më tani në 2020 krahasuar me 2019?

Po! Të gjitha vendet janë prekur negativisht në biznes për shkak të mbylljes nga COVID-19. Ne kryesisht eksportojmë në Greqi, Itali, Kosovë, Maqedoni dhe në Zvicër. Meqë cilësia e Ujit të Ftohtë është e shkëlqyer dhe i vlerësuar jashtë shtetit, tendenca është të rrisim eksportet në vende të tjera.

Cilat janë disa nga problemet që vini re në këtë sektor dhe mbi të cilat ju mendoni se duhet kushtuar më shumë vëmendje, siç janë informaliteti, procedurat apo taksat?

Ne shpresojmë që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Europian dhe në këtë mënyrë, procedurat e import-eksportit të thjeshtësohen dhe taksat të ulen ose të hiqen. Në lidhje me informalitetin, ne kemi parë përmirësime nga autoritetet shqiptare.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of