Disa degë të ekonomisë vuajnë nga mungesa e mbi-investimeve duke i bërë ato që edhe në kohë normale të mos i shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet, por me aplikimin e masave bllokuese, shfrytëzimi i investimeve dhe kapaciteteve të prodhimit shënoi ulje në rekorde historike për disa degë si industria dhe tregtia.
Bizneset në sektorët e industrisë kanë pohuar se kanë shfrytëzuar vetëm 64% të kapaciteteve të investimit në tremujorin e parë, sipas një anketë të Bankës së Shqipërisë. Rënia i dedikohet masave bllokuese në 20 ditët e fundit të muajit mars që së bashku me efektet negative të tërmetit të 26 nëntorit 2019, kanë e bërë sektorin më pak eficient në këtë fillim vit. Në tremujorin e parë kapacitetet në industri u shfrytëzuan në nivelin më të ulët që nga tremujori i parë 2009, ku vendi ynë u përball me valën e krizës ekonomike të globale. Në tremujorin e dytë të vitit 2020, shfrytëzimi i kapaciteteve do të përkeqësohet më tej për shkak se masat bllokuese janë shtrirë përgjatë dy muajve prill dhe maj.
Në sektorin e ndërtimit, shfrytëzimi i kapaciteteve ishte në nivelin 56.6%, duke shënuar një rënie me rreth 10 pikë përqindje në raport me tremujorin e parë të vitit 2019. Ky ishte niveli më i ulët që nga tremujori i tretë i vitit 2014, ku për shkak të bllokimit të lejeve të ndërtimit, shfrytëzimi i kapaciteteve në sektor shënoi rënien më të madhe historike.
Shfrytëzimi i kapaciteteve të investimeve ra edhe në sektorin e shërbimeve, me rreth 8 pikë përqindje në raport me një vit më parë, duke shënuar 70.2 për qind në tremujorin e parë 2020. Ky ishte niveli më i ulët që kur nisi matja e këtij treguesi në sektorin e shërbimeve në vitin 2007.
Edhe sektori i tregtisë uli normën e shfrytëzimit në 65 për qind në tremujorin e parë me një rënie rreth 8 pikë përqindje në raport me vitin 2019. Norma e shfrytëzimit në sektor shënoi nivelin më të ulët që nga viti 2011, ku ky tregues nisi të matej në sektorin e tregtisë.
Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve do të përkeqësohet më tej në tremujorin e dytë për shkak të shtrirjes në një hark kohor me të gjatë të masave bllokuese në ekonomi. Më hapjen e ngadaltë të ekonomisë, shumë sektorë si tregtia dhe shërbimet nuk punojnë në kapacitete e para krizës, sidomos dega kryesore e shërbimeve, turizmi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.