Pandemia ka sjellë uljen e shkallës së euroizimit në tregun e sigurimeve.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për vitin e kaluar, pesha e primeve të shkruara në euro kundrejt totalit për aktivitetet e sigurimit jo-jetë zbriti në 26%, nga 31% në fund të vitit 2019. Ndikimin kryesor e ka dhënë rënia e primeve të shkruara, me rreth 45% (8 milionë euro) në produktet e sigurimit të detyrueshëm të Kartonit Jeshil e Sigurimit Kufitar, për shkak të kufizimit të lëvizjeve.
Përveç Kartonit Jeshil dhe Sigurimi Kufitar, janë edhe disa produkte vullnetare që rezultojnë me të ardhura pothuajse 100% të realizuara në euro, siç janë sigurimi i kombinuar i aksidenteve personale dhe shëndetit, sigurimi i jetës në udhëtim dhe sigurimi i jetës së studentit. Ndërkohë, produkte si sigurimi i mallit në transport apo sigurimet inxhinierike paraqesin një nivel të lartë euroizimi, për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, interes i cili vlerësohet kryesisht në euro. Produkte të tjera që shfaqin një vlerë të primeve të shkruara në përqindje të lartë në euro janë sigurimi Kasko, sigurimi i aksidenteve dhe shëndetit, sigurimi i pronës, etj.
Klasat që kanë shfaqur rënien më të theksuar të primeve të shkruara në euro për vitin 2020 ishin sigurimet inxhinierike, ku pesha e tyre ka zbritur nga 89.1% në 71.4% të totalit dhe sigurimi i Marinës, nga 12.5% në 2.1% të totalit. Ndërkohë, rritje e peshës së primeve të shkruara bruto në euro kundrejt totalit të primeve të shkruara është regjistruar në sigurimin e pronës, nga 44.6% në 52.9% dhe në sigurimin e mallit në transport, nga 62.8% në 69.4%.
Në aktivitetin e sigurimit të jetës, pesha e primeve të shkruara në euro kundrejt primeve të shkruara bruto në total është rritur lehtë në 37.5%, nga 35.4% që ka qenë në fund të vitit 2019.
Në total për tregun shqiptarë të sigurimeve, përfshi aktivitetet e jetës dhe jo-jetës, rreth 27% e primeve realizohen në monedhën euro.
Pesha e konsiderueshme e primeve të arkëtuara në euro reflektohet edhe në strukturën e depozitave bankare të shoqërive të sigurimit. Në fund të vitit 2020, shoqëritë e sigurimeve zotëronin rreth 12 miliardë lekë depozita, nga të cilat 56% ishin të mbajtura në monedhën vendase, ndërsa 44% në valutë të huaj. Në depozitat në valutë të huaj, peshën kryesore e zinin depozitat e investuara në euro, të cilat përbënin rreth 86.3 % të depozitave totale në valutë. Pjesa tjetër e depozitave në valutë janë të investuara në dollarë amerikanë.
Gjatë vitit 2020, depozitat në valutë pësuan rënie me vlerën ekuivalente të 880 milionë lekëve. Në peshë specifike ndaj totalit të depozitave, ato pësuan rënie me rreth 4 pikë përqindje. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.