Flasin Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal, Ekonomistë të Lartë në Bankën Botërore
Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal, Ekonomistë të Lartë në Bankën Botërore, këshillojnë hapat që duhet të ndërmarrë qeveria dhe sipërmarrja private për të zhvilluar më tej tregtinë dixhitale, e cila shënoi përparime pozitive gjatë pandemisë Covid-19
Pandemia e COVID-19 nxiti rritjen e tregtisë elektronike. A mund ta përdorin politikëbërësit dhe bizneset këtë zhvillim për rritje të mëtejshme?
Në të vërtetë, si në shumë pjesë të tjera të botës, ekonomia dixhitale shqiptare mori një hov të madh gjatë kësaj krize. Në sondazhin tonë të fundit me konsumatorët, 54% e blerësve shqiptarë në internet konfirmuan se, ata ose nisën për herë të parë ose rritën blerjet në internet që nga fillimi i pandemisë. Nga anketa me ndërmarrjet, kemi gjetur se 18% e sipërmarrjeve ose kanë filluar ose kanë rritur aktivitetin e biznesit në internet.
Të dhënat tregojnë për rritje të konsiderueshme të ekonomisë në internet, përtej vetë pandemisë. Meqenëse ka më shumë blerës online, bizneset investojnë më tepër në zhvillimin e kanaleve të shitjeve në internet dhe nga ana tjetër, kjo tendencë i bën më tërheqëse platformat për shqiptarët që të fillojnë blerjet në internet.
Në përgjithësi, ky është një zhvillim i mirë për Shqipërinë. Kanalet e shitjeve në internet lejojnë që bizneset të arrijnë më shumë klientë, brenda dhe jashtë vendit. Klientët përfitojnë nga komoditeti dhe mundësitë për më shumë zgjedhje. Sektorët që mundësojnë tregtinë elektronike mund të krijojnë vende të reja pune, përfshirë kompanitë e teknologjisë, logjistikën dhe pagesat në internet.
Megjithatë, përparimi i mëtejshëm në tregtinë elektronike nuk është i pashmangshëm. Për të ndihmuar Shqipërinë të kapë mundësinë e tregtisë dixhitale, diagnostikimi ynë i ri i tregtisë elektronike identifikon një hartë veprimesh që duhet të ndërmarrë qeveria dhe sektori privat për të plotësuar logjistikën në dogana, lidhjet dixhitale, pagesat në internet, kornizën rregullatore të tregtisë elektronike. Sektori privat, nga ana tjetër, duhet të zhvillojë aftësitë. Nëse krijohet mjedisi i duhur, tregtia elektronike mund të jetë një mundësi e rëndësishme rritjeje për Shqipërinë.
A po planifikon Banka Botërore të mbështesë me Asistencë Teknike ose fonde në përmirësimin e infrastrukturës dixhitale në Shqipëri?
Banka Botërore do të vazhdojë të mbështesë axhendën e infrastrukturës dixhitale të Shqipërisë, përfshirë strategjinë e brezit të gjerë 2020-‘25. Banka Botërore aktualisht po mbështet kompaninë shqiptare të transmetimit të energjisë OST për të komercializuar kapacitetin ekzistues me fibra optike.
Projekti do të bëjë të disponueshëm sigurimin e shërbimeve të internetit me bandë të gjerë. Zhvillimi ka potencialin për të sjellë internet me shpejtësi të lartë për më shumë shqiptarë, veçanërisht në komunitetet rurale.
Cilat degë të tregtisë dhe jetës në vend kanë më shumë mundësi për rritje përmes dixhitalizimit?
Dixhitalizimi është një mundësi për çdo sektor dhe shumë aspekte të jetës. Shqipëria tashmë po bën investime të rëndësishme në drejtim të transferimit të shërbimeve publike në internet.
Nga ana e sektorit privat, tregtia në internet e mallrave, ajo që shoqërohet më shpesh me tregtinë elektronike ka ende një rrugë për të bërë në Shqipëri, por disa zhvillime premtuese kanë nisur. Për sa i përket tregtisë në internet të shërbimeve, call center (BPO) është i njohur dhe gjithashtu edhe shërbimet e hotelerisë. Shumë hotele shqiptare përdorin faqe si “booking.com” për të tërhequr klientë të rinj. Platformat dixhitale të punës gjithnjë e më shumë ndihmojnë në përputhjen e kompanive me punonjës të mundshëm.
Studimi juaj i fundit mbi tregtinë elektronike nënvizon faktin se, ka një numër në rritje të profesionistëve shqiptarë që ofruan shërbime të paguara për kompani të huaja nga platforma “Upwork” gjatë pandemisë. A ka hapësirë Shqipëria për të eksportuar shërbimet e profesionistëve dhe si mund të promovohet më tej?
Në të vërtetë, ka shumë mundësi për profesionistët “freelance” në internet, në platforma si “upwork.com”, ku shqiptarët marrin shumë punë. Kjo fillon me vendosjen e të dhënave kryesore, por gjithashtu përfshin përkthimin dhe shërbimet e asistentit personal – deri në marketingun dixhital, zhvillimin e faqeve në internet dhe kodimin e përparuar.
Kompensimi për këto punë është shpesh tërheqës. Orët fleksibël të punës dhe puna nga shtëpia mund të jenë përfitime shtesë. Për disa, puna në internet është një mundësi e dobishme për të shtuar të ardhurat e familjes. Për të tjerët, puna e pavarur dixhitale mund të jetë një mënyrë për të zhvilluar një rrjet profesional. Këto praktika mund të ndihmojnë për gjetjen e mundësive të rregullta të punësimit me kohë të plotë.
Për t’u siguruar që më shumë shqiptarë janë në gjendje të përfitojnë nga këto mundësi, Shqipëria duhet të investojë te njerëzit e saj. Për të qenë pjesë e ekonomisë globale të njohurive në internet për të ardhmen, të gjithë shqiptarët kanë nevojë për aftësi bazë dixhitale, por edhe aftësi të përparuara që kërkon tregtia online. Njohja e mirë e gjuhës angleze është thelbësore për të punuar me individë dhe kompani në të gjithë botën.
Sektori i arsimit po përballet me vështirësi për shkak të mungesës së aksesit në internet dhe platforma e disponueshme shpesh nuk është funksionale. Çfarë kosto krijon dhe çfarë zgjidhje sugjeroni?
Pandemia COVID-19 ka pasur implikime të mëdha në ofrimin e arsimit. Shqipëria, si shumë vende në botë, u përgjigj menjëherë duke mbyllur shkollat për të ndaluar përhapjen e pandemisë dhe ofroi forma të ndryshme të të mësuarit në distancë (mësimet e regjistruara paraprakisht të transmetuara përmes televizionit, klasave online përmes platformave të ndryshme dhe formave të tjera të komunikimit media) për të siguruar vazhdimësinë e arsimit. Këto përpjekje janë të lavdërueshme. Sidoqoftë, kalimi në mësim në internet në shkallë të gjerë nuk është një detyrë e lehtë dhe të gjitha vendet po përpiqen të përgjigjen menjëherë.
Efektiviteti i të mësuarit në internet varet nga aksesi në pajisjet dixhitale, lidhja me internet me shpejtësi të lartë, cilësia e përmbajtjes së arsimit në internet dhe aftësitë dixhitale të mësuesve dhe studentëve. Lidhja e internetit dhe aksesi në pajisjet digjitale, veçanërisht për studentët e disavantazhuar, është më i ulët në Shqipëri krahasuar me vendet e Rajonit dhe ato të BE-së (shih studimin e Bankës Botërore këtu).
Në muajt e fundit, Shqipëria krijoi platformën online “akademi.al”, e cila është e arritshme për studentët dhe mësuesit. Lehtësimi i aksesit në pajisjet dixhitale për studentët në disavantazh dhe përmirësimi i lidhjes së internetit do të ndihmonin në arsimin më gjithëpërfshirës. Më e rëndësishmja është se, çdo përmirësim në anën e harduerit do të duhet të shoqërohet nga përpjekje për të ndërtuar aftësitë dixhitale të mësuesve dhe studentëve.
Programet për të rritur aftësitë themelore dixhitale të mësuesve dhe forcimin e kurrikulës së TIK-ut në sistemin zyrtar të arsimit do të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi më efektiv elastik ndaj tronditjeve në të ardhmen.
Cilat politika duhet të zbatohen nga qeveria në mënyrë që të rritet aksesi në internet dhe me kosto të ulët?
Shërbimet dhe infrastruktura e internetit me shpejtësi të lartë janë zhvilluar relativisht në qendrat urbane në Shqipëri, me hapësirë për përmirësim për të kaluar në teknologji të ardhshme si lidhja e fibrave dhe 5G. Çështja kryesore në Shqipëri mbetet ndarja digjitale midis zonave rurale dhe atyre urbane, e cila është thelbësore për të kaluar në nivelin tjetër të një ekonomie digjitale konkurruese, por edhe gjithëpërfshirëse.
Për të përmirësuar infrastrukturën në zonat rurale, qeveria duhet të stimulojë sektorin privat, operatorët kombëtarë dhe rajonalë, ose sipërmarrësit lokalë për të investuar në azhurnimin e infrastrukturës digjitale. Këta stimuj mund të jenë financiarë, duke ndjekur rregullat e udhëzimeve të ndihmës shtetërore të BE-së, ose stimuj jomonetarë, siç janë lehtësimi i lejeve të ndërtimit, si dhe aksesi në prona private dhe publike. Ndërhyrjet e tjera qeveritare mund të përfshijnë sigurimin e mbështetjes për sektorin privat për të marrë fonde nga BE.
Investimet janë të dobëta në zonat rurale, sepse ka më pak gatishmëri ose aftësi për të paguar për internet me shpejtësi të lartë, kështu që sektori privat e konsideron më pak fitimprurëse për të investuar. Qeveria mund të stimulojë gjithashtu kërkesën, përmes programeve të aftësive dixhitale, fushatave ndërgjegjësuese dhe shërbimeve të qeverisjes elektronike. Këto masa, ndër të tjera, mund të çlirojnë kërkesën në zonat rurale, duke e bërë atë më fitimprurëse për investime.
Operatorët lokalë dhe bashkitë gjithashtu mund të luajnë rol për zgjerimin e shërbimeve digjitale. Ka shumë shembuj në të gjithë Europën ku palët e interesuara lokale janë në gjendje të grumbullojnë kërkesën për internet, duke i ofruar të dhëna për fizibilitetin e internetit në territorin e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.