Edhe pse në Kosovë ende nuk është shënuar asnjë rast me koronavirus, qytetarë të shumtë të shqetësuar kanë nisur të blejnë miell, ku në disa qytete e fshatra kanë vërshuar tek fabrikat e miellit.
Gjatë ditëve të fundit qytetarët e Kosovës po presin në radhë të gjata për të marrë miell nëpër mullinj të ndryshme.
Kjo po ndodh për shkak të virusit COVID-19 i cili është përhapur gjithandej duke mobilizuar disa shtete.
Nëpërmjet disa fotografive të cilat janë shpërndarë në rrjete sociale, qytetarët kanë treguar se po presin në radhë të gjata për të marrë miell.
“Më shumë se një orë kemi pritur në radhë për të marrë miell me qëllim që të kemi rezervë në rast të përhapjes së koronavirusit në Kosovë”, ka thënë një qytetar nga një qytet i Kosovës.
E për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili ka njoftuar se ka sasi të mjaftueshme të miellit në Kosovë.
Andaj, sipas tij, nuk ka nevojë për rritje çmimesh e as për panik.
Në këtë formë ka ftuar ministrinë e Ekonomisë që të bëj verifikim të rezervave shtetërore e të përgatisë veprimet konkrete.
“Nga informacionet, prej të gjithë furnizuesve kryesor: Ka sasi të mjaftueshme të miellit, pra nuk ka as arsye për panike, as për rritje çmimesh;
“Për të parandaluar çdo mundësi të çrregullimeve në treg, Ministria e Ekonomisë, duhet të bëj verifikim urgjent të rezervave shtetërore dhe të përgatisë veprime konkrete, për aktivizim të rezervës shtetërore”, ka thënë Rukiqi.
Ndërsa, ka porositur edhe shitësit me pakicë që mos të lejojnë raftat të qëndrojnë të zbrazët pasi kjo mund të shkaktoj panikë.
“Kërkesë për shitësit me pakicë: Raftat e zbrazet krijojnë panik. Bëni të gjitha përpjekjet që raftat të mbushen në kohë sa me të shpejtë, pasi që në treg ka produkte të mjaftueshme, për të gjitha kategoritë”, ka thënë Rukiqi.
Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit edhe bizneset me produkte ushqimore kanë pasur frekuentim të madh të qytetarëve të cilët në disa raste kanë zbrazur raftet. Kurse, produktet më të shitura gjatë ditëve të fundit kanë rezultuar të jenë makaronat, vaji, oriz, miell dhe disa produkte të tjera.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.