Sipas Agjencisë së Statistikave gjysma e femrave të punësuara në Kosovë janë profesioniste, teknike dhe profesione që lidhen me to, në shërbime, shitje dhe në profesione elementare. Kurse, meshkujt ishin më të shpërndarë nëpër sektorë, por shumica ishin të punësuar si punonjës në shërbime dhe shitje, punëtor zejtare dhe të ngjashëm. Shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë 2020 në Kosovë ishte 24.6 për qind.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në publikimin e fundit mbi fuqinë punëtore ka zbuluar të dhëna edhe rreth profesioneve më të kërkuara në Kosovë.
Sipas ASK-së, në tremujorin e tretë të vitit 2020, shumica e të punësuarve kishin pozita pune në: shërbime dhe shitje, në profesione elementare, si profesionistë, dhe si punëtorë zejtarie.
Pothuajse gjysma e femrave të punësuara ishin: profesioniste, teknike dhe profesione që lidhen me to (39.7%), 21.9% në shërbime dhe shitje dhe 12.1% ishin në profesione elementare.
Meshkujt ishin më të shpërndarë nëpër sektorë, por shumica ishin të punësuar si: punonjës në shërbime dhe shitje (22.5%), 11.5% si punëtor zejtare dhe te ngjashëm me të, profesione elementare (26.0%) ndërsa 10.3% ishin profesionistë.
ASK ka treguar se në tremujorin e tretë 2020 të Anketës së Fuqisë Punëtore në Kosovë ka pasur 120,348 persona të moshës 15- 64 vjeç, që ishin të papunë, 76,272 nga të cilët ishin meshkuj dhe 44,076 femra.
Shkalla e papunësisë ishte 24.6 %, më e lartë ishte tek femrat me 33.1% se sa te meshkuj, 21.5 %.
“Krahasuar me tremujorin paraprak të AFP-së (TM2-2020) në Kosovë, kemi rënie të shkallës së papunësisë me 2.6%, ku kjo rënie te meshkujt ishte me 4.2%, përderisa te femrat kemi rritje me 1.7%”, thuhet në raportin e ASK-së.
Ndërsa, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM3-2019) të AFP-së në Kosovë, kemi rritje të shkallës së papunësisë me 0.1%, ku kemi rritje te meshkujt me 1.3% përderisa te femrat kemi rënie të shkallës së papunësisë me 3.3%.
“Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat (2/3) e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë pune, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.0%”.
Agjencia e Statistikave ka treguar se shkalla e punësimit për tremujorin e tretë (TM3) 2020 është 30.1 për qind.
“Punësimi me i lartë është te meshkujt 46.2%, ndërsa punësimi te femrat është 14.4%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 49.7% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 46.5%”.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.2%; ndërtimtaria me 13.3%; prodhimi me 11.3%; dhe arsimi me 9.1%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 57.9% kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2020, shkalla e papunësisë është 24.6%.
Papunësia më e theksuar është te femrat me 33.1%, krahasuar me meshkujt, 21.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 46.9%.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2020, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.0%, me fokus të veçantë te femrat me 78.5 %, krahasuar me meshkujt, 41.1%.
Kurse, Instituti për Studime të Avancuara GAP ka thënë se pandemia COVID-19 ka lënë mbi 37 mijë qytetarë të Kosovës të papunë.
GAP thotë se vetëm në muajin prill janë regjistruar gjithsej 32,377 punëkërkues të rinj, duke bërë që numri i përgjithshëm i punëkërkuesve në Agjencinë e Punësimit të shkojë në 37,392 në katër muajt e parë të vitit 2020.
Një pjesë e madhe e tyre apo 16,820 janë gra. Marrë parasysh pjesëmarrjen shumë të ulët të aktivitetit ekonomik të grave dhe barrierat tjera në punësim, shkalla e papunësisë në mesin e grave mund të rritet edhe më shumë.
“Të dhënat nga Administrata Tatimore e Kosovës tregojnë se industritë të cilat punësojnë më së shumti punëtorë në Kosovë – ajo e tregtisë me shumicë e pakicë, e ndërtimtarisë dhe industrisë përpunuese, shënuan rënie të madhe të punëtorëve gjatë periudhës janar-mars 2020. Përderisa në mars të vitit 2019 në industrinë e tregtisë me shumicë e pakicë punonin rreth 80 mijë persona, në mars 2020 ky numër ra në rreth 43 mijë. Edhe numri i kontributpaguesve në Fondin Pensional të Kosovës (Trust) ka shënuar ulje prej rreth 20 për qind në shumicën e komunave të Kosovës”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.