Papunësia në Gjermani u rrit më pak se sa pritej në muajin maj, duke treguar elasticitet në tregun e punës, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike.
Zyra Federale e Punës tha se numri i njerëzve të papunë u rrit me 9,000 në terma të rregulluar sezonalisht, në 2.573 milionë.
Analistët kishin pritur që kjo shifër të rritet me 15,000.
“Rritja e muajit maj shënon rritjen e katërt radhazi, por ishte gjithashtu më e ngadalta në tre muaj, duke sugjeruar se tendenca në rritje në këto shifra, është ngadalësuar,” tha Melanie Debono, drejtuese ekonomike për Europën në Pantheon Macroeconomics.
Norma e papunësisë e rregulluar sezonalisht, mbeti e qëndrueshme në 5.6%.
“Pavarësisht një ekonomie të dobët, tregu i punës është i qëndrueshëm në përgjithësi,” tha Daniel Terzenbach, kreu i rajoneve në Zyrën e Punës.
Debono pret që shkalla e papunësisë në Gjermani, të mbetet gjerësisht e qëndrueshme gjatë muajve të ardhshëm.
Krahasuar me majin e vitit 2022, numri i të papunëve është 284,000 më shumë.
Edhe pa marrë parasysh refugjatët ukrainas, papunësia do të ishte rritur nga viti në vit, megjithëse më pak, tha zyra e punës.
Në maj, kishte 767,000 vende pune, 98,000 më pak se një vit më parë.
Megjithëse Zyra Federale e Punës ka parë një ngadalësim të kërkesës për punë gjatë vitit të fundit, ajo mbetet në një nivel të lartë. / Reuters