Pushimet nga puna kanë prekur bizneset e teknologjisë, të retail-it dhe të kriptove.
Numri i personave që aplikuan për asistencë papunësie në SHBA arriti nivelin më të lartë në më shumë se gjashtë muaj gjatë javës së kaluar, duke dhënë kështu shenjat se aktiviteti në tregun e punës mund të jetë duke u reduktuar.
Javën e kaluar kishte 260,000 kërkesa për asistencë papunësie, sipas të dhënave të Departamentit të Punës që u publikuan të enjten. Kjo ishte shifra më e lartë javore që nga mesi i janarit, e cila shkoi pak më shumë se pritshmëritë e ekonomistëve për 259,000 kërkesa. Kërkesat për asistencë papunësie shërbejnë si matës i largimeve nga puna.
Shifra e javës së kaluar u rishikua nga 256,000 në 254,000, ndërsa mesatarja e katër javëve, e cila zbut efektin e paqëndrueshmërisë së ҫdo jave, u rrit në 254,750, pika më e lartë që nga muaji nëntor.
Ekonomistët në Oxford Economics thanë se ekzistonte rreziku që kërkesat për asistencën e papunësisë do të vazhdonin të rriteshin, ndërkohë që aktiviteti në tregun e punës fillon të reduktohet, por shtuan se kjo nuk duhet të përbëjë shkak për alarm.
“Ne nuk parashikojmë një rritje të madhe nga nivelet aktuale në planin afatshkurtër, pasi kërkesa për punonjës vazhdon ta tejkalojë ofertën,” tha ekonomistja e Oxford Economics, Nancy Vanden Houten.
Kompanitë në të gjithë sektorët, duke përfshirë teknologjinë, asetet dixhitale dhe retail-in, kanë njoftuar rënien e punësimëve dhe nisjen e shkurtimeve të vendeve të punës gjatë javëve të fundit, në rrethanat e rritjes së inflacionit dhe kostove më të larta të inputeve.
Walmart njoftoi të mërkurën se do të heqë rreth 200 pozicione pune nëpër departamente të ndryshme të kompanisë, si pjesë e një plani ristrukturimi. Kjo deklaratë vjen pasi kompania bëri paralajmërimin e dytë se fitimet e saj do të ishin më të vogla nga sa pritej dhe përdori uljen agresive të çmimeve, pasi inflacioni i lartë po godet kërkesën e konsumatorëve për mallra.
Brokerage Robinhood përmendi “mjedisin tepër sfidues makroekonomik” kur deklaroi në fillim të kësaj jave se do të pushonte nga puna pothuajse një të katërtën e stafit – afërsisht 780 punonjës – pasi rritja në sektorin e retail-it po humb ritmin e saj, në kushtet e rënies së aktivitetit të klientëve. Kjo pason një reduktim prej 9 për qind të stafit me kohë të plotë që kompania ndërmori në prill.
Platforma e transmetimit Netflix, kompania e mediave sociale Twitter dhe prodhuesi i makinave elektrike Tesla kanë njoftuar gjithashtu shkurtime të vendeve të punës gjatë javëve të fundit, ndërsa grupet e teknologjisë Meta dhe Alphabet njoftuan se do të reduktojnë numrin e punësimeve të reja përgjatë pjesës tjetër të vitit.
Kërkesa për punonjës në SHBA pati një rënie në qershor, pasi numri i vendeve të reja të punës u ul në 10.7 milionë nga 11.3 milionë që ishte në maj, sipas studimit “Job Openings and Labor Turnover” të publikuar në fillim të kësaj jave nga Departamenti i Punës. Pavarësisht kësaj rënieje, numri i punonjësve që u pushuan nga puna mbeti pothuajse i pandryshuar, në nivelet e 1.3 milionë, ndërsa numri i punonjësve që u larguan vullnetarisht nga punët e tyre vazhdon të jetë më i lartë se nivelet e periudhës përpara fillimit të pandemisë së koronavirusit, në shifrën 4.2 milionë për muajin qershor, pavarësisht se ekonomia po ngadalësohet.
Rritja e kërkesave për asistencë papunësie mund të jetë një nga shenjat e para se kërkesa për fuqi punëtore po bie, por nuk është ende një sinjal konkret, tha Joshua Shapiro, kryeekonomist për SHBA-në në MFR. Megjithëse kompanitë po përballen me ulje të kostove, ato “po pranojnë se sa e vështirë ka qenë që të tërhiqnin dhe të mbanin punonjës të kualifikuar”.
Numri i amerikanëve që marrin në mënyrë aktive asistencë papunësie ishte 1.42 milionë në javën që u mbyll më 23 korrik. Shifra e javës së kaluar u rishikua në 1.37 milionë, nga 1.36 milionë që ishte më parë.
Ekonomistët presin që norma e papunësisë të mbetet e qëndrueshme në 3.6 për qind kur të publikohet raporti i punësimit për muajin korrik ditën e premte, sipas një sondazhi nga Bloomberg.