Papunësia në Tiranë 4 pikë % më shumë se mesatarja kombëtare

09/10/2019 11:00 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Teksa papunësia në shkallë vendi ka arritur në rekorde të ulëta historike në vetëm 11.5% sipas rezultateve të anketës së forcave të punës në Shqipëri, në Tiranë dhe Durrës ku është përqendruar gati 60% popullsisë së vendit, papunësia është gati 4% më e lartë se mesatarja kombëtare.

Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në Tiranë, në tremujorin e dytë të vitit 2019, arriti në 15.2%. Kjo shifër është e lartë po të krahasohet me treguesin kombëtar të papunësisë 11.5%, pavarësisht se papunësia në kryeqytet është zbutur në raport me një vit më parë.

Nga 12 qarqe, 5 prej tyre e kanë papunësinë mbi mesataren e vendit. Qarku me papunësinë më të lartë është Lezha, e cila regjistroi një normë 16.9% në tremujorin e dytë. Pas Lezhës, Durrësi dhe Tirana janë qarqet me papunësinë më të madhe përkatësisht me 15.4 dhe 15.2%.

 Lëvizje ekstreme në Vlorë dhe Dibër

Vlora dhe Dibra kanë shfaqur ndryshime ekstreme në treguesin e papunësisë gjatë këtij viti. Në Vlorë papunësia ra në 14.5% në tremujorin e dytë të vitit 2019, nga 23.5% që ishte treguesi në të njëjtën periudhë të vitit 2018. Ndërsa në Dibër ndodhi e kundërta, ku papunësia u dyfishua në raport me një vit më parë, duke arritur në 12.4% në tremujorin e dytë në raport me 5.3% që ishte tremujorin e dytë të vitit 2018.

Treguesit ekonomike të Dibrës që lidhen me papunësisë dhe rritjen ekonomike shënuan një rritje të fortë në zgjedhjet lokale 2015-s, e në vijim deri vitin e kaluar. Por këtë vit “mrekullia” ekonomike e Dibrës po shfryhet, teksa papunësia është dyfishuar.

Qarqet me papunësinë më të ulët këtë vit ishin Elbasani dhe Korça, përkatësisht me 5.3 dhe 5.5%.

Në tremujorin e dytë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,5%. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2018, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,9 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e parë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,6 pikë përqindje.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of