Papunësia prej Covid-19 shërohet tërësisht më 2021, sipas parashikimeve të qeverisë

05/08/2020 12:00 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Qeveria shqiptare u shpreh optimiste për uljen e papunësisë së krijuar nga pandemia Covid-19 ndërsa parashikimet më të fundit nga Ministria e Financave tregojnë se vitin e ardhshëm do të shuhen të gjitha efektet që u dhanë në punësim.

Sipas projeksioneve zyrtare të Ministrisë së Financave të azhurnuara në treguesit e rishikuar makroekonomikë, papunësia këtë vit pritet të arrijë në 13.8% nga 12,9% që ishte në vitin 2019.

Por për vitin që vjen, norma e papunësisë pritet të arrijë në 10.9% në një nivel më të mirë se para krizës. Në tremujorin e parë papunësia ishte 11.4%.

Për vitet e 2021 dhe 2023 pritet një rënie e mëtejshme e treguesit respektivisht, në 9.4 dhe 9%.

Rënia e papunësisë në vitet në vijim më shumë sesa oferta që vjen nga tregu i punës, pritet të shkaktohet nga zhvillimet demografike në vend.

Shqipëria vitin tjetër hyn në ciklin e plakjes së shpejtë të popullsisë, e për rrjedhoje nis edhe tkurrja e forcës së punës. Tkurrja e forcës së punës, e kombinuar me një emigracion të lartë, do të çojë në ulje trendin e papunësisë, e cila gjithsesi mbetet në nivele më të larta se në Europë.

Produktiviteti i ulët i punës është bërë shkak që popullsia të zhvendoset në vende të tjera ku fitimet nga puna për të njëjtin profesion janë më të larta se në Shqipëri. Kjo ka qenë më e dukshme për profesione të tilla si mjekësia, IT dhe profesione të tjera me kualifikim të ulët.

Oferta për punë aktualisht ka rënë në mënyrë dramatike në të gjithë sektorët, si rrjedhojë e efekteve negative që dha kudo në ekonomi pandemia Covid-19.

Të dhënat e para pesimiste vijnë nga Zyra Kombëtare e Punësimit, ku aktualisht ka vetëm 272 oferta pune, teksa mesatarja vjetore e ofertave nga bizneset në tre vitet e fundit nga qeveria ishte 35-40 mijë vende pune në vit.

Nga të 272 ofertat, shumica e tyre, rreth 90%, janë për punë që kërkojnë kualifikim të ulët, të tilla si punëtorë krahu, pastrues, punonjës në fasoneri dhe në sektorin e peshkimit.

Shumica e ofertave targetojnë persona me arsim 8-9-vjeçar. Nga ofertat në dispozicion shumica e tyre janë përqendruar në pjesën qendrore të vendit. Bizneset nga Durrësi, Lushnja dhe Elbasani dominojnë një pjesë të këtyre ofertave.

Të dhënat tregojnë se janë tërhequr nga ofertat për punë, bizneset call center dhe fasoneria dhe gjithashtu njësitë e shërbimit si bare dhe restorante. Këta sektorë ishin edhe ofruesit më të mëdhenj të punësimit në pesë vitet e fundit.

Ndërmjetësimi në tregun e punës nga Zyrat Kombëtare e Punësimit shënoi rritje në vitet e fundit si rrjedhojë e reformave që nisën donatorët në këtë strukturë. Në vitin 2018 dhe 2019, bizneset ofruan nga 40 mijë vende punë të lira në secilin vit.

Sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës, në tremujorin e parë të vitit, rreth 17 mijë persona humbën punën nga masat bllokuese në ekonomi. Më së shumti janë dëmtuar punonjësit në sektorin e shërbimeve, transportit dhe tregtisë.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, gjatë periudhës së izolimit rreth 60 mijë persona kishin ikur nga skema e sigurimeve, ndërsa analistët sugjerojnë se mbi 100 mijë veta do të humbasin punën nga efektet e pandemisë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of