Papunësia sërish në ulje në tremujorin e tretë, efekti nga burrat, po rritet tek të rinjtë

Papunësia ka vijuar të shënojë ulje edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit, ndonëse me ritme të lehta.
Sipas të dhënave të INSTAT, Në tremujorin e tretë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,4 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,8 pikë përqindje, ndërkohë krahasuar me tremujorin e dytë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,1 pikë përqindje.
Në tremujorin e tretë 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,5 %. Gjatë këtij tremujori, në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit 2018, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 3,3 %, ndërkohë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019, ky tregues u rrit me 0,3 %.
Në tremujorin e tretë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 69,8 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,5 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë krahasuar me tremujorin e mëparshëm ky tregues shënon të njëjtin nivel, 69,8 %.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 62,0 %, ndërsa për burrat ky tregues është 77,7 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,7 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje dhe për burrat është rritur me 0,3 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 52,5 % me një rritje prej 1,1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2019, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 79,0 % duke shënuar një rritje prej 1,5 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit paraardhës.
Punësimi
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 61,5 %.
Ritmi vjetor i rritjes së punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2018 në tremujorin e tretë të vitit 2019, është 3,3 %. Në terma vjetorë, rritja e punësimit sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë është 6,0 % në sektorin e industrisë, 4,8 % në sektorin e shërbimeve dhe 0,2 % në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2019, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 0,3 %. Punësimi pësoi rrritje në sektorin e industrisë me 1,9 %, pati ulje të lehtë në sektorin e shërbimeve me 0,2 %, ndërkohë që sektori i bujqësisë mbeti në të njëjtin nivel.
Shkalla e punësimit për burrat është 68,5 %, ndërsa për gratë 54,7 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e punësimit për burrat është rritur me 1,2 pikë përqindje dhe për gratë me 2,6 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve 15-29 vjeç është 41,3 % ose 1,8 pikë përqindje më e lartë se në tremujorin e tretë të vitit 2018. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2019, shkalla e punësimit është 72,3 %, me rritje prej 1,6 pikë përqindje krahasuar me të njëjtin tremujor në vitin 2018.
Papunësia
Në tremujorin e tretë 2019, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,4 %. Në terma vjetorë, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,8 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,1 pikë përqindje.
Shkalla zyrtare e papunësisë si për burrat dhe për gratë është 11,4 %. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018, shkalla e papunësisë për burrat ka rënë me 1,2 pikë përqindje, ndërsa për gratë ka rënë me 0,3 pikë përqindje.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 21,4 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë në tremujorin e tretë të vitit 2019 është 1,8 pikë përqindje më e ulët. Krahasuar me tremujorin e dytë 2019, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rritje prej 0,5 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,5 %. Në terma vjetorë ky tregues pësoi një rënie prej 0,4 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u ul me 0,3 pikë përqindje.
Komente