Në qendër të lajmeve dhe analizave ekonomike këto ditë ka qenë simpoziumi i përvitshëm ekonomik i Xheksën Hol. Në këtë takim, i emërtuar sipas vendit ku mbahet (Jackson Hole, Wyoming të SHBA-së), prej vitit 1981, diskutohet mbi çështjet ekonomike më të rëndësishme, me të cilat përballet ekonomia botërore, nga guvernatorë bankash qendrore, ministra Financash apo akademikë e aktorë tregjesh financiare nga më të rëndësishmit, nga e gjithë bota.
Takimi i sivjetshëm, i organizuar në formatin online, për shkak të pandemisë, i bëri gjithë sy e veshë të interesuarit mbi politikat ekonomike dhe zhvillimet e tregjeve, për të kapur çdo mesazh të hapur apo të nënkuptuar të këtij simpoziumi. I mbajtur pas një viti e gjysmë nga shpërthimi i pandemisë Covid-19, në një situatë paqartësie e pasigurie për zhvillimet e mëtejshme të saj dhe pasojat mbi ekonominë botërore, simpoziumi u fokusua në ndjekjen e politikave makroekonomike në një ekonomi me zhvillim jo të njëtrajtshëm.
Mesazhet e përcjella nga ky simpozium u fokusuan në paqartësinë që është ende e pranishme në ekonomi dhe tregje; sfidat e shumta dhe rrethanat e pazakonta me të cilat na përball ende periudha që po përjetojmë. Për rrjedhojë, vendimmarrja pritet të peshojë më tepër në përpjekjet për rikthimin e njerëzve në punë. Përparësi mbetet tregu i shëndetshëm i punësimit, i diktuar nga ecuria jo e njëtrajtshme e sektorëve të ekonomisë dhe nevoja për të mos e frenuar apo për të mos e përshpejtuar transferimin e fuqisë punëtore nga një sektor në tjetrin.
Në këtë kuadër, ekonomia shqiptare, pavarësisht se është e vogël me tregje financiare jo të zhvilluara, përsëri karakterizohet si e hapur (si rrjedhojë e aktivitetit tregtar) dhe me shkallë të konsiderueshme euroizimi (e varur nga lëvizjet e kurseve të këmbimit). Fenomenet dhe ndryshimet e tyre në ekonomitë me të cilat ajo është e lidhur përmes tregtisë apo emigracionit të saj dhe fenomenet e tyre, nuk vonojnë të transmetohen në vend.
Prandaj edhe ne nuk i shmangemi dot paqartësisë e pasigurisë mbizotëruese në ekonominë botërore, pasojave nga ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit me mallra e shërbime. Nëse deri më sot, motori i ekonomisë u mbajt në lëvizje, duke e përcaktuar atë prioritar në raport me mbrojtjen e shëndetit të popullsisë prej pandemisë, askush nuk mund të thotë ende nëse ritmi është mbajtur i njëtrajtshëm, apo politikat e qeverisë shqiptare të katër viteve të ardhshme do të orientohen kah rikuperimi prej zhvillimit të pabarabartë.
Qeveria e re e saposhpallur po hyn në skenën e vendimmarrjes e politikëbërjes në një periudhë kur;
– Varfëria (popullsia që jeton me më pak se 5.5 dollarë amerikanë në ditë) në vend në vitin 2020, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, është rritur;
– Borxhi publik është në nivele të larta;
– Mekanizmi fiskal duket se e ka ezauruar mundësinë për rritje të të ardhurave, përmes rritjes së taksave e tatimeve, apo prezantimit të taksave e tatimeve të reja. Në këtë aspekt duket se e vetmja rrugë përmirësimi mbetet rritja e efektivitetit të mbledhjes së detyrimeve fiskale, një rrugë e cila varet tërësisht nga vullneti i institucioneve;
– Biznesi mikro dhe i vogël duket se ende nuk ka hyrë në fazën e rikuperimit prej goditjes së pësuar nga pandemia dhe ndoshta nuk do të jetë më në gjendje të rikuperohet;
– Konsumi, po ashtu, mbetet i kufizuar dhe kredia konsumatore nuk po përjeton gjallërim, që e kombinuar edhe me sjelljen e biznesit të vogël, tregon ndoshta për një goditje më të fortë të këtyre dy segmenteve;
– Kredia nga sektori bankar po përjeton rritje, e drejtuar kryesisht në bizneset e mëdha. Por nuk është e qartë nëse kjo kërkesë e shtuar për financim përbën rigjallërim të projekteve të pezulluara për investim, siç është krijuar një ndjesi e përgjithshme. Apo, ndoshta kjo flet për një ndryshim të pritshëm strukturor të ekonomisë, duke rritur përqendrimin drejt biznesit të madh dhe duke tkurrur apo duke ngushtuar bazën e biznesit të vogël dhe atij mikro, me pasoja si në tregun e punës, ashtu edhe në konkurrencë. Por mund të jetë tregues edhe i situatës së pafavorshme dhe me ndikim afatgjatë të likuiditeteve në biznesin e madh, që mund të shterojnë sapo të jetë ezauruar përthithja e aktiviteteve të biznesit të vogël nga atij të madh;
– Çmimet e mallrave kanë filluar të rriten, duke reflektuar rritjen në tregjet ndërkombëtare, duke shtuar më tej presionin mbi konsumin dhe kostot e mallrave në zinxhirin prodhues (nga lëndë e parë në produkt të gatshëm).
Të gjithë këto elemente flasin pikërisht për paqartësinë e situatës dhe sfidat që e presin qeverinë në lidhje me politikat ekonomike që ka përcaktuar të ndjekë në katër vitet e ardhshme. Gjithsesi, një gjë është e qartë. Edhe qeveria shqiptare përballet me sfidën e rikuperimit nga ky cikël biznesi me zhvillim të pabarabartë. A do të zgjedhë qeveria të përballet me këtë sfidë për të mundësuar një shtrat zhvillimi të qëndrueshëm, të ekuilibruar dhe me përfshirje të të gjitha shtresave shoqërore dhe rajoneve të vendit, si dhe rimodelimit të ekonomisë, sidomos në fushën e teknologjisë dhe dixhitalizimit?
Apo do të vijojë me këmbëngulje ndjekjen e modelit të sotëm të ngurtësimit të shpenzimeve publike në pagesa PPP-sh, orientim të investimeve dhe përqendrim të përdorimit të burimeve ekonomike, në një grup të favorizuar biznesesh dhe projektesh pompoze, të cilat rrisin vlerat e fondeve publike të tenderuara, që thellojnë më tej zhvillimin jo të njëtrajtshëm, që thellojnë më tej zhvillimin jo të njëjtrajtshëm me pasojë nxitjen e mëtejshme të emigracionit. Kjo mbetet për t’u parë! Votat e siguruara në kutitë e votimit dhe numrat e votave në Kuvend ia mundësojnë të zbatojë cilindo model ekonomik. Është vullneti ai që sjell ndryshimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.