Oferta e ndërtuesve vijon të rritet me ritme të shpejta, ndërsa kërkesa po bie me të njëjtat ritme. Edhe huaja për këtë sektor është në rënie
Tirana dhe disa qytete të vendit janë kthyer në një kantier ndërtimi dhe debati më i madh për momentin është nëse ka fuqi blerëse për të gjithë këtë ofertë të shtuar. Vetë ndërtuesit janë pesimistë për ecurinë e këtij sektori në drejtim të kontratave porositëve dhe gjendjes financiare, teksa raportojnë që 6 muajt e parë të këtij viti nuk kanë qenë shumë pozitive. Sipas Vrojtimit të Bizneseve të publikuar nga Banka e Shqipërisë, Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) vazhdoi rënien edhe gjatë tremujorit të dytë, duke qenë 1.9 pikë përqindje poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë. Kjo ecuri e zhvendosi treguesin rreth 8.4 pikë përqindje nën mesataren historike të tij.
Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, besimi në ndërtim ka rënë me shpejtësi në dy tremujorët e fundit, pasi kishte shënuar një rritje të ndjeshme që nga tremujori i dytë 2016, kohë që përkon me rritjen e lejeve të ndërtimit, të shoqëruar me hapjen kudo të kantiereve të pallateve e komplekseve.
Sipas vrojtimit të Bankës, edhe në tremujorin e dytë, rënia e TBN-së u drejtua nga përkeqësimi i balancës së kontratave porositëse, me 4.2 pikë përqindje, ndërkohë që balanca tjetër përbërëse, aktiviteti ndërtues, shënoi rritje të lehtë me 0.5 pikë përqindje. Po sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë rezulton se ka pasur një përmirësim të balancës së kontratave porositëse (pra kërkesës për të blerë) duke filluar nga tremujori i katër i vitit 2016 deri në tremujorin e tretë të vitit 2017. Më pak kërkesa vlerësohet nga ndërtuesit se ka ardhur në rënie për tre tremujorë radhazi.
Midis balancave të tjera, rënie shënuan edhe balancat e lidhura me gjendjen financiare dhe punësimin. Ndërkohë, balanca e pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm rezultoi e përmirësuar. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo shënoi rënie me 2.8 pikë përqindje në terma tremujorë dhe me 3.1 pikë përqindje në terma vjetorë. Kjo normë qëndroi në 60.3%, rreth 3.7 pikë përqindje nën mesataren historike të saj.
Por lejet e ndërtimit vazhdojnë rriten
Lejet e ndërtimit kanë vijuar rritjen edhe përgjatë muajve të fundit, duke paralajmëruar për një fluks të lartë ndërtimesh të tjera. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017, në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë. Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë. Ndërsa për sipërfaqe rritja ishte 2.5 herë. Sipërfaqja e planifikuar për ndërtim në Tiranë, është sa 60% e totalit për gjithë Shqipërinë.
Kjo tendencë ka vijuar dhe në tremujorin e parë të këtij viti. Bashkitë në vend kanë dhënë 221 leje ndërtimi në tre muajt e parë të vitit, me një rritje prej 50% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT. Vetëm në Tiranë, numri i lejeve të ndërtimit ishte 65, duke shënuar një rritje prej 51% në raport me tre muajt e parë të vitit të kaluar.
Kredia në rënie
Në kahun tjetër, në maj 2018, stoku i huasë për ndërtimin zbriti në 43.9 miliardë lekë, ose 13.7% e totalit të huasë dhënë për korporatat jo financiare private. Në krahasim me një muaj më parë, stoku ka rënë me 1 miliardë lekë, ose 2.2%. Në raport me fundin e vitit të kaluar, tkurrja është 2.4 miliardë lekë, ose 5.2%. Rënia e stokut tregon për një ecuri modeste të huasë së re (rritje 7.8% për 5 mujorin e parë), ndërsa kthimet dhe fshirjet janë të larta.
Më herët bankierët kanë pohuar për Monitor se e shohin me shumë optimizëm rendjen e sipërmarrësve drejt ndërtimit dhe as nuk janë shumë aktive në financimin e këtij sektori, madje janë të frikësuara se kjo mund të kthehet në një bumerang në afatin e gjatë. Ata pohojnë se për këtë kanë diskutuar dhe me autoritetet shtetërore, duke i paralajmëruar se po shtrohet rruga drejt një flluske.
Ndërtimi ka qenë historikisht një sektor problematik dhe deri në fund të vitit 2015, huaja e pakthyer në afat e ndërtuesve ishte sa 38.1% e totalit, sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse pesha e huave me probleme ka rënë për shkak të fshirjeve, kjo bën që bankat të jenë shumë të kujdesshme me huanë e re.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.