Industria europiane po përjeton një shkëputje të Kërkimit e Zhvillimit Shkencor (R&D) nga rezultatet e risivePo ndodh ajo që shpesh ishte dyshuar: “Paradoksi Europian”. Gilbert Schorsch, një këshillues i kërkimit dhe risive në Shoqatën Franceze të Industrisë Kimike, thotë: “Europa ka grupe kërkimore të një cilësie të lartë, të cilët botojnë një numër mjaft të madh artikujsh shkencorë. Por shoqëritë e “kontinentit të vjetër” nuk janë të afta ti transformojnë njohuritë e fituara në laboratorët e tyre në risi të tregtueshme, pra në vende pune”. Ky është leximi që ai i bën “Raportit të Tretë mbi Shkencën dhe Teknologjinë” i Komisionit Europian, botuar këtë vit. Duke krahasuar situatën europiane me atë të dy konkurrentëve kryesorë botërorë të saj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japoninë, dokumenti prej 450 faqesh arrin në përfundimin themelor që industria Europiane trishtueshëm qëndron prapa në kthimin e Kërkimit e Zhvillimit Shkencor (R&D) në risi të përfitueshme.Ndër pikat që mbështet raporti është fuqia e Europës si “shkollë e mirë trajnimi”. Për shembull, në vitin 2000 Europa përgatiti më shumë mësues të arsimit të lartë, (gjithsej 2,143,500, nga të cilët 26% kanë trajnim tekniko-shkencor) se Shtetet e Bashkuara (2,066,595; 16.9% me trajnim tekniko-shkencor) dhe se Japonia (1,107,332 nga të cilët 21.2% me trajnim të tillë).Megjithatë raporti zbulon se studentët Ph.D. (doktoraturë) dhe ata postdoc (pas doktoraturë) po largohen të përfundojnë studimet e tyre jashtë rajonit tonë me një shpejtësi alarmante. Vihet re që afërsisht 15% e kandidatëve doktorantë të huaj në SHBA janë europianë. Në periudhën 1991-2000 u realizuan më shumë se 15 mijë teza doktorature nga europianë që studionin në SHBA. Një fakt shqetësues është se 75% e këtyre doktorantëve mbetën në SHBA pas mbarimit të studimeve të tyre. Raporti përfundon se SHBA u ofron shkencëtarëve të huaj mundësi më të mëdha për karrierë nga sa u ofron vendi i tyre. Raporti vlerëson se 400 mijë të diplomuar në shkencë dhe teknologji me origjinë europiane janë aktualisht duke punuar në SHBA, ndërkohë që është një total prej 11 milion vendesh pune në këta sektorë. Këto të dhëna mund të jenë shumë të dobishme për ekonominë europiane, e cila synon një rritje, çdo vit deri në 2010, me 2-3% të pjesës së fondeve për Kërkim e Zhvillim Shkencor kundrejt PKB (prodhimit kombëtar bruto)-deklaron Schorsch.Në raportin e tij Komisioni Europian përqëndron vëmendjen në dy zona të nxehta: bioteknologjinë dhe nanoteknologjinë, për të zbuluar atë që quhet sfazim midis industrialistëve dhe akademisë.Të dhënat tregojnë që në të dyja këto fusha të teknologjisë numri i botimeve europiane kundrejt atyre me origjinë nga SHBA, është thuajse i të njëjtit rend për bioteknologjinë dhe dukshëm më i madh në nanoteknologji. “Megjithatë, nëse dikush krahason patentat që rezultojnë nga njohuritë e fituara prej këtyre kërkimeve, situata është krejt e kundërt”, -përfundon Schorsch.Në bioteknologji numri i patentave amerikane është pothuaj dyfishi i atyre europiane. Dhe situata po vjen gradualisht duke u përkeqësuar. Në periudhën 1992-1999 pjesa e patentave amerikane u rrit me 19% në vit, ndërsa ajo europiane ra me 12% në vit, -deklaron ai. Dhe në nanoteknologji situata është gjithashtu e kundërt, megjithë paraqitjen e mirë të ndërmarrjeve gjermane. Një nga arsyet që shpjegon këtë, shton Schorsch, është që industrialistët europianë janë dukshëm më pak të përfshirë në financimin e Kërkimit dhe Zhvillimit Shkencor (R&D) se homologët e tyre amerikanë.Një tjetër shpjegim i shkëputjeve mes Kërkimit e Zhvillimit Shkencor (R&D) dhe novacioneve ofrohet nga Paul Sloane, themelues i “Destination Innovation”, një firmë konsulente britanike që fokusohet në lidershipin krijues. Industria, sqaron Sloane, po pengohet dukshëm nga fuqizimi i kohëve të fundit i euro-s kundrejt dollarit, gjë që e ka vështirësuar situatën e shoqërive europiane për të konkurruar në fushën globale të lojës. “Rruga më e mirë për të luftuar një disavantazh në kosto është të ofrosh projekte më të mira krijuese”, -thotë ai. “Nëse Europa do të konkurrojë me SHBA dhe Lindjen e Largme, atëherë risitë do të duhen të jenë një faktor kyç. Por shenjat nuk janë të mira”.Një shkak tjetër i mundshëm për shkëputjen, sugjeron ai, është barra më e madhe e ligjeve që shtrëngojnë industritë europiane si ajo kimike dhe farmaceutike. P.sh., politika që udhëheq sot BE-në, synon zbatimin rigoroz të rregullave të reja të sigurisë për kimikatet. Ajo kushton më shumë se 30 miliard usd, duke i ofruar një përparësi mjaft të madhe konkurrentëve amerikanë, -thonë prodhuesit europianë. Sipas politikës së propozuar për kimikatet, shumë kimikate të prodhuara apo të importuara në Europë, duhet të regjistrohen në një “sistem të dhënash” qendror nga një agjenci e pavarur. Megjithëse miratimet janë të nevojshme për tregjet e SHBA-së dhe atij Aziatiko-Pacifik, ato janë më pak ngarkuese se në Europë.” Asnjë drejtues biznesi nuk e mohon nevojën e ligjeve e rregullave”, -shton ai. “Shqetësimi është se rregulloret europiane kanë krijuar një tërësi rregullash, direktivash dhe kufizimesh që duken të projektuara për të ngadalësuar biznesin dhe shkurajojnë marrjen përsipër të riskut”.Schorsch, duke u nisur nga informacioni i marrë prej raportit të Komisionit Europian, del me të paktën dy rrugë të mundshme për të zbutur problemin e sfazimit të Kërkimit e Zhvillimit Shkencor Europian. Së pari, thotë ai, rajoni ynë duhet të ofrojë kushte më të mira pune për të inkurajuar doktorantët dhe post-doc ish-europianë të kthehen në Europë. Së dyti, duhet ngritur një kuadër që të sigurojë një bashkëpunim më të mirë mes shkencëtarëve dhe industrialistëve europianë, në mënyrë që ata të punojnë më mirë së bashku për nevojat reale të shoqërisë.Në të vërtetë, të kryesh një gjë të tillë do të jetë e vështirë, -vazhdon Schorsch, pasi kjo kërkon jo thjesht një zbatim të politikës. Njerëzit duhet të fiksojnë në mendjet e tyre sugjeron ai, që paradoksi europian duhet përfundimisht të zgjidhet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.