Paradoksi i kënaqësisë, pse njerëzit e lumtur votojnë për partitë populiste?

10/08/2019 10:03 PM 0 komente

Rritja e populizmit vjen në një kohë kur njerëzit thonë se po ndihen mirë

 

“Si ndiheni, a jeni i lumtur?!”, ishte një prej pyetjeve që iu bë një votuesi në moshë të mesme, përpara një qendre votimi, në lidhje me ndjesinë që i lanë zgjedhjet e fundit europiane. Ai shfryu dhe u përgjigj se i lumtur do të ishte vetëm nëse do t’i krijohej mundësia që t’i largonte, duke i shkelmuar të gjithë politikanët e poshtër nga qeveria, shkruan The Economist.

Në vitin 1972, mbreti i Butanit vendosi se vendi i tij duhet të kishte një nivel shumë të lartë të lumturisë kombëtare, madje ky do të ishte një nga objektivat kryesore që duhej të realizohej me patjetër. Në atë kohë, kjo gjë u duk shumë e çuditshme. Por gjatë dekadës së fundit, politikanët kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje më të madhe idesë se ata duhet të bëjnë më shumë për mirëqenien e qytetarëve. Sipas Thomas Jefferson “lumturia e çdo individi (tani) është pranuar të jetë … e vetmja gjë e ligjshme e qeverisë”. Në ditët e sotme, kjo pikëpamje është më se e zakonshme.

Në vitin 2008, qeveria franceze ngriti komisionin Stiglitz-Sen-Fitoussi për të krijuar llogari të reja kombëtare, të cilat shkonin përtej PBB-së dhe reflektonin gjëra si cilësia e jetës dhe e mjedisit. Dy vjet më vonë, Kryeministri britanik, David Cameron, krijoi një “indeks të mirëqenies” për të matur lumturinë dhe progresin social të Britanisë.

Ndërsa gjatë këtij viti, Zelanda e Re krijoi “buxhetin e parë të mirëqenies” në botë, në të cilin shëndeti mendor dhe niveli i lumturisë së qytetarëve ishin më të rëndësishëm se pasuria apo rritja ekonomike dhe do të ndikonin padyshim në disa zgjedhje të shpenzimeve publike. Në praktikë, kjo do të thotë më shumë para për të luftuar varfërinë e fëmijëve, abuzimin në familje dhe problemet e shëndetit mendor.

Lumturia e qytetarëve është edhe një prej elementeve më të rëndësishme dhe me ndikim më të madh në zgjedhjen e politikanëve. Në vitin 2017, sipas një studimi të Federica Liberini nga Universiteti ETH në Zyrih, votuesit në Britani të cilët thanë se ishin të kënaqur me jetën e tyre, kishin 1.6% më shumë gjasa që do të mbështesnin partinë në pushtet.

Edhe pse kjo përqindje nuk është e lartë, znj. Liberini, zbuloi se rritja prej 10% në të ardhurat e familjes u shoqërua me një rritje prej vetëm 0.18% mbështetje ndaj atyre që ishin në pushtet. Me fjalë të tjera, mirëqenia (ose lumturia) është më e rëndësishme për rezultatin e zgjedhjeve, madje më shumë edhe se paratë.
Në një studim të fundit të kryer, George Ward, nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts, pohoi rëndësinë politike të lumturisë.

Ai zbuloi se çfarë kishte ndikuar më shumë në pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje gjatë periudhës 1973-2014, në 15 shtete europiane. Niveli i lartë i lumturisë që njerëzit kishin ishte më i rëndësishëm sesa niveli i papunësisë dhe se rritja e PBB-së. Z. Ward zbuloi se në zgjedhjet e zhvilluara në këto 15 shtete europiane, pothuajse gjysma e atyre që ishin shumë të kënaqur me jetën e tyre, u shprehën se do të votonin për ata që ishin në pushtet. Edhe kërkimet dhe studimet e ndryshme të zhvilluara në Amerikë tregojnë se lumturia ka një ndikim të madh te politikanët që ata zgjedhin për të votuar.

 

“Duartrokisni, nëse e ndieni ta bëni”

E gjithë sa shpjeguam më sipër tregon se lumturia është përcaktuesi kryesor në rizgjedhjen e një partie, madje edhe më e rëndësishme se niveli i punësimit apo pagat. Nëse votuesit tuaj do të jenë të lumtur, ju do të zgjidheni prej tyre dhe do të ktheheni sërish në pushtet. Por, nëse dështoni në këtë drejtim, jini të sigurt se ju nuk do të zgjidhni për t’i qeverisur ata sërish.

Pikërisht këtu lind një pyetje e rëndësishme, si mund të shpjegohet e gjithë situata që është duke u zhvilluar në Europë? Në pothuajse çdo shtet europian, partitë e zemëruara me status quo aktuale, kanë marrë një numër më të lartë votash në dekadën e fundit. E drejta populiste ka ardhur në pushtet (zakonisht nëpërmjet koalicioneve) në shtete si Italia, Polonia, Hungaria, Austria, Sllovenia, Finlanda dhe Estonia.

Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian dhe, në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Europian, partia populiste mbështetëse e Brexit, “e dalë nga hiçi” u renditet në krye të sondazheve. Në Francë, Partia Fronti Kombëtar e Marine Le Pen mori shumicën e votave ndërsa në Itali, Liga e Veriut pothuajse mori dyfishin e votave në krahasim me ato që mori në zgjedhjet e përgjithshme të 2018.

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe rezultatet pozitive të disa partive të qendrës. Një prej fitoreve më të fundit, ishte ajo e një partie të qendrës së djathtë, që fitoi zgjedhjet në Greqi, ndërsa një parti e qendrës së majtë kryesoi sondazhet në Spanjë në prill të këtij viti. Në zgjedhjet e fundit europiane, partitë të cilat kanë drejtuar prej vitesh politikën europiane kanë qenë humbëset më të mëdha.

Ndoshta kjo shpjegohet me faktin se votuesit duken të lodhur nga qeverisja aktuale dhe kanë nevojë të shohin ndryshime. Por nëse do t’u referoheshim të dhënave të nivelit të lumturisë, do të vërenim absolutisht një mesazh të kundërt. Votuesit janë të kënaqur. Sipas Eurobarometrit, organizata që merret me sondazhe në Bashkimin Europian, ka zbuluar se përqindja e gjermanëve që e konsiderojnë veten shumë të kënaqur ose të kënaqur me jetën e tyre është rritur nga 73% në 2003 në 93% në vitin 2017.

Në Britani, kjo përqindje është rritur nga 88% në 93%, dhe përqindja e atyre që e deklaronin veten si shumë të kënaqur me jetën e tyre ka shënuar rritje prej 31% në 45%, në periudhën 2003-2017. Ndërsa po t’i referohemi Bashkimit Europian si një i vetëm, përqindja e atyre që thonë se e konsiderojnë veten të kënaqur apo shumë të kënaqur me jetën e tyre është rritur nga 77% në 1997 në 82% dy dekada më pas.

 

 

Lumturia është e vërteta

Këto nivele të larta të lumturisë mbështeten edhe nga tregues të tjerë, gjë që tregon se ato janë të vërteta. Shumica e europianëve, sipas Eurobarometrit, mendojnë se financat e familjeve të tyre janë “mjaft të mira”. Pjesa më e madhe thonë se i besojnë ushtrisë, policisë, gjykatave, madje edhe informacionit që transmetohet nëpërmjet kanaleve televizive.

Megjithatë votat e tyre duket se nuk reflektojnë të njëjtën lumturi që tregojnë sondazhet e ndryshme. Ata po sjellin në pushtet parti populiste, qoftë të reja apo edhe ato që kanë pas ekzistuar dikur dhe nuk po rizgjedhin partitë qeverisëse. Për më tepër, këto parti shpesh po marrin një të tretën e votave, një përqindje më e lartë sesa pjesa e popullsisë që thotë se është e palumtur dhe e pakënaqur. Kjo shpjegohet me faktin se votuesit e lumtur po e japin votën pikërisht për këto parti populiste.

Por përse po prishet lidhja ndërmjet votuesve të lumtur dhe partive qeverisëse? Një prej përgjigjeve të mundshme lidhet me faktin se mbështetja për populizmin dhe lumturinë po rritet sepse njerëzit po plaken. Njerëzit e vjetër sigurisht që mund të votojnë për partitë reaksionare, por ata kanë tendencë të jenë më të lumtur. Në Britani, sipas YouGov, një organizatë që merret me sondazhe të ndryshme, 64% e votuesve mbi 65 vjeç votuan pro largimit nga BE-ja, krahasuar me vetëm 29% të grupmoshës 18-24 vjeç.

Pavarësisht se Brexit ka edhe mbështetjen e personave të moshuar, në Europë, mbështetja për partitë populiste si Fronti Kombëtar, Liga e Veriut, Alternativa për Gjermaninë, etj., fillon të bjerë me rritjen e moshës. Këto janë partitë që mbështeten kryesisht nga punonjësit e rinj ose ata në moshë të mesme, nuk janë partitë e pensionistëve të gëzuar.

Një mundësi e dytë është se lumturia po ndikon politikën, por jo atë lloj që zakonisht studiohet. Psikologët bëjnë dallimin mes dy llojeve “vlerësuese” dhe “hedonike”. Masat vlerësuese i përgjigjen pyetjes: Se si e vlerësoni jetën tuaj momentalisht? Ndërsa hedonikët i përgjigjen pyetjes: A ishit të zemëruar, të lumtur apo të shqetësuar dje? Politikanët priren të supozojnë se lumturia vlerësuese ka më shumë rëndësi në përcaktimin e mënyrës se si njerëzit votojnë.

Por kjo mund të jetë edhe e gabuar. Sipas Raportit të Lumturisë në Botë, mesatarisht treguesit e nivelit të shqetësimit, trishtimit dhe zemërimit gjatë një dite më parë shënuan rritje në Europën Perëndimore në periudhën 2010-‘18, edhe pse niveli i kënaqësisë së përgjithshme të jetës ishte në rritje. Ndoshta rënia në lumturinë hedonike qëndron prapa rritjes së mbështetjes ndaj populistëve, duke tejkaluar rritjen e lumturisë vlerësuese.

Këto të dhëna tregojnë se votuesit vazhdojnë të mbeten skllevër të emocioneve dhe jo njerëz të cilët të arrijnë të bëjnë gjykime racionale në lidhje me zgjedhjen e partive politike që do të kishin më shumë mundësi për të kontribuar në rritjen e lumturisë në të ardhmen e afërt.

Studimi i dr. Liberinit nuk zbuloi vetëm që njerëzit e lumtur mbështesin partitë në pushtet, por edhe se njerëzit e palumtur fajësonin qeverinë në pushtet për gjëra të cilat nuk kanë fare lidhje me të. Kështu, për shembull, te njerëzit që u ka ndodhur një fatkeqësi, si vdekja e bashkëshortit/es, është ulur me 10% mundësia që ata t’ia japin votën partisë në pushtet.

Një studim amerikan i vitit 2010 i titulluar “Ngjarjet jo të rëndësishme ndikojnë në vlerësimin që votuesit i bëjnë performancës së qeverisë”, arriti në një përfundim të ngjashëm me atë të mësipërm. Lojërat e futbollit dhe të basketbollit kishin një ndikim të madh në garat për zgjidhjen e Senatit dhe guvernatorëve, dhe zakonisht partitë qeverisëse merrnin vota më shumë vetëm në ato raste kur skuadrat vendase (qoftë futbolli apo basketbolli) fitonin ndaj atyre me të cilat po ndesheshin.

Së fundmi ka mundësi që populistët të pozicionohen mirë edhe në shtetet ku ka shumë njerëz të lumtur, edhe pse këta të fundit ka më pak gjasa që të votojnë për populistët. Sipas Cas Mudde nga Universiteti i Gjeorgjisë, kjo mund të shpjegohet me faktin se shtete të tilla priren të jenë më të pasura dhe kështu që shqetësimet ekonomike mund të zhvendosen në vend të dytë në krahasim me çështjet sociale dhe kulturore, si emigracioni, diskriminimi racor dhe ai fetar.

 

 

Sepse jam i lumtur

Vetëm kështu mund të shpjegohej se përse mbështetja për ekstremistët është rritur (në vend që të binte) teksa ekonomitë e përfshira nga kriza e viteve 2008-‘09 po rikuperoheshin. Shumë kohë më parë, Seymour Martin Lipset, një shkencëtar amerikan i çështjeve sociale, vuri në dukje nivelin më të lartë të anëtarësimit që partia Ku Klux Klan e arriti në vitet 1920, ndërsa McCarthyism lulëzoi në vitet e begata të 1950-s.

Matthijs Rooduijn nga Universiteti i Utrehtit dhe Brian Burgoon nga Universiteti i Amsterdamit, studiuan mbështetjen për partitë radikale në 21 vende europiane nga viti 2002 deri në vitin 2014. Ata zbuluan se njerëzit që mendonin se nuk po i kushtohej vëmendja e duhur nga qeveria, ishin më pak të gatshëm të votonin për të djathtën radikale kur ekonomia ishte e dobët (megjithëse mbështetja për të majtën radikale ishte më e fortë). Por, kur ekonomia e rimerrte veten, rritej mbështetja për të djathtën ekstreme. Ndoshta momenti më i rrezikshëm për një regjim jopopullor është ai kur gjërat fillojnë të përmirësohen. Një faktor i fundit që duhet marrë në konsideratë nuk ka të bëjë më me votuesit por me politikanët.

Kjo lidhet me faktin se populistët po i kushtojnë rëndësi më të madhe rrjeteve sociale sesa partive të tyre. Në tre muajt e parë të këtij viti, Fronti Kombëtar i Francës dhe Alternativa për Gjermaninë ishin ato që bënë më shumë postime përpara zhvillimit të zgjedhjeve europiane. Në Britani, postimet që lidheshin me Brexit shënuan numrin më të lartë. Në zgjedhjet e përgjithshme të Italisë të 2018, postimet e Ligës së Veriut dhe Lëvizjes Pesë yjet pushtuan rrjetin social të Facebook.

Ndoshta numri i votuesve të pakënaqur nuk po rritet. Ndoshta është vetëm se në sajë të internetit, që populistët po i pikasin ata më lehtë. Gjithë sa u tha më sipër mund të shpjegohet nëpërmjet formulës së thjeshtë se politikanët i bëjnë votuesit më të lumtur dhe këta të fundit i kthejnë pastaj politikanët në pushtet, kaq e thjeshtë është.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of