Pas një procesi votimi, që përgjithësisht kaloi i qetë, verdikti i popullit shqiptar në zgjedhjet e 23 qershorit ishte i qartë, në favor të koalicionit të majtë, që tashmë ka marrë një shumicë cilësore prej 84 vendesh në Kuvendin e ardhshëm.
Teksa disa shtete të tjera europiane, po aq të vjetër sa i yni, të acaruar nga kriza që po kalon Europa prej më shumë se pesë vitesh, u tunduan të përfshijnë në drejtimin e vendit lëvizje apo forca politike nga me ekstremistet e deri tek me qesharaket, në një mënyrë shume të civilizuar, zgjedhja e bërë nga shqiptarët ishte nuk kishte asnjë ekuivok. Ajo ishte për koalicionin e majtë, që nuk i mungojnë kapacitetet për të marrë përsipër drejtimin e qeverisjes së vendit, por edhe të kryerjes së reformave, për të cilat forcat e përfshira në koalicion u angazhuan në fushatë. Rezultati i qartë shmangu në këtë mënyrë një bllokim, që shumëkush i druhej para zgjedhjeve, i cili mund të vinte nga pamundësia e krijimit të një qeverie të shumicës, siç ndodhi në Greqi mëse një vit më parë, kur brenda një periudhe të shkurtër vendi përsëriti zgjedhjet, apo në Itali në fillim të këtij viti, ku u deshën dy muaj për të formuar një koalicion, teksa asnjë forcë nuk arriti të merrte shumicën e duhur për të qeverisur.
Zgjedhjet në vend ishin të qeta, procesi i numërimit eci shpejt, pothuaj pa kontestime dhe pranimi i rezultatit nga i munduri, në respekt të shifrave paraprake të shpallura, u bë në një kohë rekord, shumë përpara zyrtarizimit të rezultatit.
Kjo përmbyllje e procesit është meritë e shqiptareve, por nuk mund të mos vlerësohet edhe roli i institucioneve qeveritare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përmbushjen me korrektesë të detyrimeve, me të cilat i ngarkonte procesi elektoral.
Kur gjithçka po ecën në rrugën e duhur, me një shpejtësi që nuk e kemi parë në proceset e fundit zgjedhore, dhe të gjithë prisnin që fituesit të marrin menjëherë frerët e qeverisjes në dorë, ndodh paradoksi. Ndërsa populli, me verdiktin e tij i dha pushimet qeverisë aktuale, duke e mandatuar si të mundur, janë fituesit ata që e kanë marrë me nge dhe flasin për përgatitje për të mbledhur parlamentin e filluar punë nga Shtatori, duke marrë dy muaj të gjata pushimesh në korrik e gusht. Nga ana tjetër, kemi kryeministrin e mundur, atë që duhet të ikë për pushime, bile të gjata, i cili angazhohet edhe në emër të administratës, se do të punojë pa e ulur ritmin dhe duke vënë në sedër administratën se çdo shkrehje do të ishte e pandershme.
Kjo situatë është sa paradoksale, aq edhe qesharake. Është e vërtetë, ndoshta, se edhe në dy rastet e mëparshme të zgjedhjeve të viteve 2005 e 2009, fillimi i mbledhjes së parlamentit është bërë në Shtator, por kjo ka qenë e detyruar nga vonesat në zyrtarizimin e rezultatit të zgjedhjeve, për shkak të ankimimeve të tejzgjatura. Në 2005-n ishte pala qeverisëse, që me pretendimin se i kishin vjedhur votat e zgjati procesin. Ndërsa në 2009-n, ndonëse edhe në këtë rast certifikimi u bë me vonesë për shkak të kontestimeve legale, situata ishte më e lehtë, teksa kishim një kryeministër në detyrë, që ishte i mandatuari i sigurt për të vazhduar qeverisjen edhe për katërvjeçarin tjetër, duke mos sjellë asnjë problematikë qeverisjeje apo vazhdimësie reformash.
Në sytë e publikut e më gjerë, kjo është më së paku shenjë mungese serioziteti ndaj votuesve, për të mos shkuar deri tek shmangia e përgjegjësive ndaj detyrimeve të larta shtetërore. Ndaj do të ishte në nder të liderit të mazhorancës së re, që pa humbur asnjë ditë kohë (60 ditë është shumë për afatet 100 apo 300 ditore për disa reforma të premtuara në fushate) të nxisë thirrjen e parlamentit, konstituimi i të cilit do të bënte të mundur dorëheqjen e kryeministrit në detyrë, duke i hapur rrugën natyrshëm formimit të qeverise së re dhe hapave të tjerë që pasojnë. Ekonomia e dobësuar nga kriza është në një situatë të tillë që nuk ka luksin të përballoje vonesa të tilla artificiale e paradoksale!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.