Paradoksi i presidentit Makron

07/03/2020 10:00 PM 0 komente

Reformat e Emanuel Makronit po funksionojnë, por jo për atë vetë. Papunësia në Francë po bie. Gjithashtu edhe popullariteti i presidentit.

 

Aboubacar Koumbassa buzëqesh teksa tregon rezultatet e gatimit të kursit të mëngjesit: pain aux raisins (pasta) të saponxjerra nga furra, të cilat i kishte gatuar ai me shokët e klasës për herë të parë. 18-vjeçari, i veshur me një kapele shefi kuzhine dhe përparëse të bardhë, fillimisht kishte shpresuar të trajnohej si elektricist, shkruan The Economist. Por ishte më e lehtë të siguronte një trajnim në furrë buke.

Tani ai shkon një në tre javë në mësimin e gatimit, duke udhëtuar për një orë me tren. Dy javët e tjera mëson në punë duke praktikuar. “Unë bëra zgjedhjen e duhur,” thotë ai, duke vëzhguar gjithë kujdes pastën e tij, “sepse kjo është punë në ekip. Këtu mësojmë teorinë dhe në kompaninë ku trajnohem, ne punojmë me të vërtetë.”

Praktikat ofrojnë një mundësi të mirë në sistemin akademik francez për t’u orientuar në botën e punës. Campus des Métiers, ku studion edhe zoti Koumbassa, ndodhet në rrethinën Seine-Saint-Denis të Parisit, një lagje me dyfishin e nivelit të papunësisë në krahasim me mesataren kombëtare. Qendra trajnon 1 400 praktikantë në fusha të ndryshme, qoftë mekanikë makinash apo parukierë dhe pastiçierë.

Në katin e parë të ndërtesës, studentët e parukerisë po praktikojnë prerjet bazë dhe teknikat e avancuara të lyerjes së flokëve në kokat e modeleve plastike. “Cilido qoftë niveli juaj, ai që ka rëndësi është motivimi,” u thotë atyre mësuesja të cilën e thërrassin Madame: “Nëse keni dëshirë, do të keni sukses.” Në katin e poshtëm të punëtorisë për elektricistët praktikantë, Souleymane po instalon një qark elektrik ndriçimi. Kur e pyetën se çfarë bënte para se të niste këtë trajnim, ai shikoi dhe buzëqeshi: “Flija gjumë”. Këto trajnime, thotë mësuesja e tij, “me të vërtetë hapin dyert e profesionit dhe i bëjnë njerëzit të ndihen të vlerësuar në një mënyrë që nuk ta ofron dot shkolla”.

Historikisht, arsimtarët francezë nuk i kanë parë me sy të mirë kurse të tilla, të cilat janë të hapura për nxënësit, duke filluar që nga mosha 16 vjeç. Vetëm 7% e të rinjve janë regjistruar në stazhe pune në Francë, sa gjysma e atyre në Gjermani. Megjithatë, vitin e kaluar, pas një reforme rregullatore nga qeveria e Emanuel Makronit, numri i përgjithshëm i nxënësve stazhierë francezë u rrit me 16%, duke arritur një rekord prej 491 000 personash. Tani, çdokush nën moshën 30 vjeç mund të aplikojë.

Muriel Pénicaud, ministrja e Punës, u shpreh se një nga qëllimet ishte të hidheshin poshtë “stereotipet negative” të lidhura me stazhe të tilla. Ajo thotë se 70% e praktikantëve gjejnë punë brenda shtatë muajve pas përfundimit të trajnimit të tyre.

Pothuajse tre vjet pasi zoti Makron u zgjodh president, rezultatet e para të reformave të tij duket se po ndihen. Midis viteve 2017 dhe 2019, qeveria e tij liroi rregullat e tregut të punës për të inkurajuar punësimin, ridizenjimin e formimit profesional, zgjerimin e praktikave profesionale dhe stimulimet e përfitimeve të riparuara për të inkurajuar të papunët të kthehen në punë. Këto reforma pasuan uljen e taksave për korporatat, një ulje e tarifave të ndërmarrjeve dhe një nxitje të madhe ndërkombëtare të marketingut, për të bindur investitorët se Franca është e hapur për biznes.

Që atëherë, rritja ekonomike ka qenë më tepër e qëndrueshme sesa marramendëse. PBB-ja franceze u rrit vitin e kaluar me 1.2% (më shpejt sesa e Gjermanisë), megjithëse u kontraktua në tremujorin e katërt. Ekonomia franceze po krijon vende pune dhe biznese të reja me një ritëm të shpejtë. Deri në shtator 2019, u krijuan 260 000 vende pune, nga 188 000 vitin e kaluar.

Papunësia në tremujorin e katërt të vitit 2019 ra në 7.9%, niveli më i ulët në 11 vjet. Mediat franceze nuk janë më të mbushura me lajme kaotike për mbylljen dhe tepricat e fabrikave. Numri i ndërmarrjeve të reja të krijuara u rrit në 815 000 në tremujorin e katërt të 2019-s, një rritje prej 38% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2017. Plot 84% e investitorëve të huaj tani kanë krijuar një imazh pozitiv për Francën, krahasuar me 36% në vitin 2016, sipas sondazhit Ipsos. Ndoshta më e rëndësishmja, të ardhurat e disponueshme u rritën vitin e kaluar me 2%, ritmi më i shpejtë që prej 12 vjetësh.

Zoti Makron nuk mund të marrë meritën për këto suksese. Franca pati një rritje ekonomike më të lartë sesa Gjermania pjesërisht për shkak se ajo është më pak e varur ndaj eksporteve dhe më e mbrojtur nga lufta tregtare. Një shtysë për rritjen ekonomike ishin masat prej 17 miliardë eurosh (18.4 miliardë dollarë) të ndërmarra si përgjigje urgjente ndaj protestave të gilets jaunes.

Papunësia nisi të ulej që gjatë mandatit të presidentit të mëparshëm, François Hollande. Pjesa më e madhe e vendeve të pasura po përjetojnë një bum në rritjen e vendeve të punës. Megjithatë, ndryshimi është i dukshëm. “Rastësia kohore midis reformave të tregut të punës dhe rritjes së krijimit të vendeve të punës si dhe cilësisë së punëve të krijuara, sugjeron se reformat e Makronit në fakt kanë luajtur një rol kyç,” thotë Philippe Martin, i cili drejton Këshillin e Analizës Ekonomike.

Këto të dhëna normalisht duhet ta ndihmojnë z. Makron për të rritur popullaritetin e tij të ulët. E megjithatë, në janar, ai ra edhe katër pikë të tjera, në 30%, sipas sondazhit Ifop. Presidenti ka luftuar për të ndryshuar reputacionin e tij për arrogancë dhe favorizimin e të pasurve. Qeveria e tij ka ngecur në një ngërç në zbatimin e reformës së fundit madhore, atë të sistemit të pensioneve. Legjislacioni për bashkimin e 42 sistemeve në një të vetëm u paraqit në parlament më 17 shkurt, edhe pse financimi i saj ende nuk është vendosur. Grevat dhe protestat vazhdojnë.

Mbi të gjitha, zoti Makron nuk ka arritur të hartojë një argument bindës dhe pozitiv rreth rezultateve të tilla. Ndoshta politika e tij teknokratike thjesht nuk përshtatet mirë me debatin e sotëm. Vendlindja e racionalizmit iluminist duket se është po aq e prirur sa çdo vend tjetër që të tregohet mosbesuese ndaj fakteve dhe të bjerë pre e populistëve që i manipulojnë ato.

Kur organi zyrtar i statistikave, zbuloi rënien e fundit të papunësisë, Marine Le Pen, lidere nacionaliste, u shpreh në Twitter: “Po sikur të pushojmë së gënjyeri francezët”? Në një kohë kur ndjenjat mbizotërojnë ndaj grafikëve dhe shifrave, zoti Makron e ka të vështirë t’i bindë njerëzit se reformat e tij kanë filluar vërtet të funksionojnë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of