Emetimet globale të dioksidit të karbonit janë vendosur të rriten në mënyrë të rrezikshme këtë vit pasi ekonomia globale po pëson një rigjenerim të madh.
Në një raport të ri, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se emetimet e karbonit nga përdorimi i energjisë janë në rrugën e duhur për t’u rritur me 1.5 miliardë ton në 2021, pasi konsumi i rëndë i qymyrit në Azi, dhe në Kinë në veçanti, tejkalon rritjen e shpejtë të burimeve të rinovueshme. Kjo do të ishte rritja e dytë më e madhe vjetore në histori në drejtim të emetimeve të lidhura me energjinë.
“Ky është një paralajmërim i tmerrshëm që tregon se rimëkëmbja ekonomike nga kriza e Covid është gjithçka përveçse e qëndrueshme për klimën tone”, tha Drejtori Ekzekutiv Fatih Birol në një deklaratë për shtyp. “Nëse qeveritë në të gjithë botën nuk lëvizin me shpejtësi për të filluar reduktimin e emetimeve, me shumë mundësi ne mund të përballemi me një situatë edhe më të keqe në 2022”.
Grupi me bazë në Paris po jep alarmin përpara se 40 liderat botërorë të takohen në samit dy-ditor virtual mbi krizën e klimës të thirrur nga Presidenti Joe Biden. Sipas z. Birol ky është një moment shumë i rëndësishëm për t’u zotuar për të ndërmarrë një veprim të qartë dhe të menjëhershëm.
Mbretëria e Bashkuar do të njoftojë një objektiv më të shpejtë për uljen e emetimeve të karbonit përpara samitit, konfirmoi një burim qeveritar për CNN Business. Kryeministri Boris Johnson do të zotohet të ulë emetimet e MB-së në 78% deri në 2035 krahasuar me nivelet e vitit 1990, raportoi Financial Times.
Ndërsa shtetet në mbarë botën u mbyllën vitin e kaluar dhe njerëzit u udhëzuan të qëndronin në shtëpi për të kufizuar infektimet me Covid-19, emetimet ranë në mënyrë drastike. Por çdo përfitim i klimës nga pandemia duket se do të jetë jetëshkurtër. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se kërkesa globale për energji do të rritet me 4.6% në 2021 dhe do të tejkalojë nivelet e 2019, kjo si pasojë e rritjes së përdorimit të energjisë në ekonomitë dhe tregjet në zhvillim.
Në fund të këtij viti, emetimet e lidhura me energjinë pritet të përfundojnë më poshtë niveleve që ato qëndronin në 2019, duke përmbysur 80% të rënies së shënuar në vitin 2020. Një ringjallje në përdorimin e qymyrit është një prej shqetësimeve më të mëdha, duke qenë se këtë vit kërkesa pritet t’i afrohet kulmit të saj në 2014.
Kina pritet të jetë një nga përdoruesit më të mëdhenj, duke shënuar 50% të rritjes së kërkesës globale për qymyr. Përdorimi në Shtetet e Bashkuara dhe Europë është gjithashtu në rritje, por pritet të qëndrojë nën nivelet e para krizës.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, bëri thirrje që vendet e zhvilluara të heqin dorë nga përdorimi i qymyrit deri në 2030, duke i dhënë fund kështu ndërtimit të termocentraleve të reja me qymyr. Kërkesa për energji elektrike, ndërkohë, parashikohet të shohë rritjen e saj më të shpejtë në më shumë se një dekadë.
Por ka disa lajme të mira: Më shumë se gjysma e rritjes së furnizimit global të energjisë elektrike do të vijë nga burime të rinovueshme në 2021, nxitur pjesërisht nga rritja e prodhimit të energjisë diellore dhe të erës nga Kina.
Vlerësimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë nuk janë të sigurta duke pasur parasysh mungesën e qartësisë në trajektoren e infektimeve dhe vaksinimeve të Covid-19. Nëse udhëtimet do të rihapen më shpejt sesa pritej, për shembull, kërkesa për energji do të rritet edhe më tej./CNN