Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, tani e disa ditë kanë zhvilluar grevë disa orëshe duke e bllokuar punën. Por, gjerat duket se do të vështirësohen edhe më shumë gjatë fundjavës. Sindikata e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka paralajmëruar grevë të përgjithshme. Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe përfitime të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.
Sindikata e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka paralajmëruar grevë të përgjithshme dhe pa afat ditëve në vazhdim. Sipas komunikatës së Sindikatës, greva vazhdon të dielën dhe vazhdon deri në realizimin e kërkesave.
“Ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe përkrahjen e të gjithë atyre qe u solidarizuan me grevën tre ditore për realizimin e të drejtave tona. Gjatë këtyre tre ditëve përkundër presioneve ne treguam një shembull të vendosmërisë se ushtrimit të të drejtës sonë elementare siç është greva për realizimin e të drejtave tona. Ne i kuptojmë të gjithë kolegët tanë që pa vullnetin e tyre gjatë grevës kanë kryer detyrat e tyre dhe nuk mbajmë mëri e aq me pak hasmëri, i ftojmë qe edhe ata t’i bashkohen grevës sepse është ligjore dhe në të mirë të të gjithëve”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Në këtë njoftim tutje thuhet se deri më tani, drejtuesit nuk kanë reflektuar pozitivisht ndaj kërkesave, dhe se rruga jonë drejtë realizimit të tyre duhet të vazhdojë.
“Të dashur kolege, edhe pas tre ditëve greve menaxhmenti nuk ka reflektuar pozitivisht ndaj kërkesave tona andaj konsiderojmë se rruga jonë drejtë realizimit të tyre duhet të vazhdojë. Fakt është sepse ne nuk kemi pasur të drejtë ligjore që ta vazhdojmë grevën për arsye se është dashur të lajmërohej 72 orë më herët sepse është obligim ligjor,dhe ne si sindikalistë jemi çdoherë ne respektim të ligjshmërisë. Kuvendi sot me datën 21.08.2019 ka vendosur se greva do të vazhdojë në ditën e diele duke filluar nga ora 07:00 dhe do te vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona të ligjshme. Kolegë të nderuar,gjate kësaj periudhe 3 ditore te afatit ligjor nëse keni ndonjë presion, kërcenim te çfarëdo forme qoftë shkaku i pjesëmarrjes në greve ju lutem raportoni rastin ne polici dhe me njoftoni mua ose përfaqësuesin tuaj sindikal. Gjatë kësaj kohe i japim mundësi menaxhmentit të reflektojë dhe të na ftojë në dialog konkret për realizimin e kërkesave tona ligjore”.
Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe përfitime të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi duke e quajtur të suksesshme grevën e djeshme, i ka quajtur normale edhe tollovit e shkaktuara në aeroport.
Në anën tjetër tollovinë e shkaktuar dhe vonesat e shumta në fluturime e ka arsyetuar zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, e cila tha se këto vonesa kanë ndodhur pasi që njëri nga grevistët ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve.
Ajo paralajmëroi se menaxhmenti do të marrë masa ligjore ndaj grevistëve të cilët pengojnë procesin e punës dhe rrjedhimisht shkaktojnë vonesa në fluturime.
“Iu kërkojmë ndjesë të gjithë udhëtarëve për vonesë, meqenëse ne kemi marrë të gjitha masat paraprake për grevë mirëpo duke u bazuar në takimin e djeshëm me udhëheqësin e sindikatës së ANP-së, ne nuk kemi marrë në konsideratë se do të ketë veprime jashtë të gjitha kornizave ligjore te grevave për të penguar procesin e punës”.
Nënkryetari i Sindikatës së Aeroportit Hamëz Kryeziu, ka bërë me dije se gjatës ditës së mërkurë ilegalisht pa u skanuar fare mbi 300 valixhe kanë kaluar, për çka është rrezikuar siguria e pasagjerëve. /Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.