Paralajmërohet lehtësimi i masave anti-Covid në Kosovë

12/01/2021 12:31 PM 0 komente

Ministri i  Shëndetësisë Armend Zemaj, ka thënë se krahasuar me shtetet e tjera, Kosova vazhdon të ketë situatë të mirë të menaxhimit të COVID-19. Me këtë rast, ai thotë se masat lehtësuese, do të jenë vlerësim për respektimin e masave nga qytetarët.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, së bashku me Bordin Këshillues sot kanë diskutuar për situatën epidemiologjike në vend, duke parë mundësinë e lehtësimit të disa masave që janë në fuqi.

Zemaj tha se masat lehtësuese, do të jenë vlerësim për respektimin e tyre nga qytetarët.

Sipas tij, statistikat në ECDC, Kosovën e radhitin të fundit në rajon sa i përket shtrirjes së infeksionit si dhe vdekshmërisë nga COVID-19.

“Kosova, krahasuar me shtetet tjera, vazhdon të ketë situatë të mirë të menaxhimit të Covid 19. Statistikat nga ECDC, Kosovën e radhitin të fundit në rajon sa i përket shtrirjes së infeksionit si dhe vdekshmërisë nga Covid 19”.

Zemaj  ka bërë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave antiCOVID-19 për aktivitetet publike, grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

“ Në takimin e sotëm me Bordin Këshillëdhënës, kemi diskutuar për situatën epidemiologjike, duke parë mundësinë e lehtësimit të disa masave që janë në fuqi. Masat lehtësuese, do të jenë vlerësim për respektimin e masave nga qytetarët. Qytetarët me disiplinën e tyre si dhe të gjithë akterët relevantë që përballen me Covid 19, kanë dëshmuar se meritojnë falënderim dhe respekt. Edhe sot u bëjë  thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave anti covid për aktivitetet publike, grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike”.

Për parandalim të përhapjes së koronavirusit, Qeveria e Kosovës nga fillimi i shfaqjes së rasteve të para e deri më tani, ka marrë një sërë masash.

Masat që janë tani në fuqi, kufizojnë lëvizjen e qytetarëve dhe punën e lokaleve të gastronomisë, varësisht zonës që gjenden qytetet, sipas numrit të të infektuarve gjatë një jave.

Momentalisht, Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, janë në zonën e kuqe, apo të rrezikut të lartë të përhapjes së virusit.

Në zonën e verdhë, atë të rrezikut mesatar për përhapje të virusit, janë Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Lipjani, Podujeva. Vushtrria, Parteshi dhe Juniku.

Në zonën e gjelbër, apo të rrezikut të ulët të përhapjes së virusit, janë Gjakova, Kllokoti, Kamenica, Peja, Drenasi, Skenderaj, Istogu, Deçani, Shtëprca, Klina, Shtimja, Novobërda, Vitia, Prizreni, Suhareka, Kaçaniku, Rahoveci, Malisheva, Hani i Elezit, Dragashi, Mamusha, Gjilani, Ranillugu dhe Graçanica.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, në raportin ditor për situatën epidemiologjike ka njoftuar të dielën se janë regjistruar edhe dy viktima nga sëmundja COVID-19.

Autoritetet shëndetësore kanë testuar edhe 1.586 mostra, dhe pas analizave të kryera, pozitive në koronavirus kanë rezultuar 253.

Aktualisht 6.140 persona e mbartin sëmundjen dhe njihen si raste aktive me COVID-19. Sipas raportit, nga koronavirusi janë shëruar edhe 646 pacientë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 46.259.

Që prej marsit të vitit 2020, e deri më 10 janar 2021, Kosova ka regjistruar 53.776 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1.377 pacientë kanë vdekur.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova ka siguruar edhe 600 mijë doza të vaksinës – pa specifikuar se të cilës kompani janë nga shteti i Austrisë.

Kosova po ashtu pritet të marrë 720 mijë doza falas nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, program që ka për synim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of