Këshilli Ekonomik Social (KES), i drejtuar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, më 28 dhjetor të vitit 2017 në mbledhjen e mbajtur kishte vendosur që të ndryshojë pagën minimale në vend, rrjedhimisht për rritje të saj në vlerë prej 250 euro. Ky propozim i ishte dërguar edhe Qeverisë për miratim me 11 janar të vitit 2018.
Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj ka pohuar se i ka kërkuar ministrit Reçica që menjëherë të riaktivizojë Këshillin Ekonomik Social, në mënyrë që të fillojë diskutimi për pagën minimale në vend.
“Rritja e pagës minimale në vend është një nga veprimet e domosdoshme që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve tanë. Sot, kam kërkuar nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica që menjëherë të riaktivizojë Këshillin Ekonomik Social, në mënyrë që të fillojë diskutimi për pagën minimale në vend. Unë si Kryeministër dhe Qeveria e vendit, përkrahim fuqishëm rekomandimin e Këshillit Ekonomik Social, për rritjen pagës minimale, e cila nuk ka pësuar rritje që nga viti 2011”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, është shumë me rëndësi që edhe kjo pjesë e shoqërisë të përfitojë nga rritja ekonomike e vendit që ka ndodhur nga ky vit dhe ashtu siç kemi vendosur rregull edhe në sektorin publik, përmes miratimit të Ligjit për Pagat.
“Në këtë rrugëtim, do të merren në konsideratë dhe në shqyrtim të gjitha palët e nevojshme, në mënyrë që ky proces të finalizohet sa më parë”, ka thënë kryeministri.
Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.
Pavarësisht trendëve ekonomike në të cilat ka kaluar Kosova gjatë këtyre viteve, paga minimale ka mbetur e pandryshuar që nga viti 2011.
Derisa, paga minimale në Kosovë ka mbetur e njëjtë që nga viti 2011, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje.
Në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve, thuhet se shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2019 me muajin janar 2018 ishte 3.1 për qind./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.