Votuesit duhet t’u japin socialistëve një shumicë qeverisëse, por me siguri kjo gjë nuk do të ndodhë
Kur në shkurt të këtij viti, Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sánchez, nuk arriti që të miratojë buxhetin, atij nuk i mbetej zgjidhje tjetër përveç asaj që të thërriste zgjedhjet e menjëhershme.
Qeveria e tij 8-mujore kishte befasuar shumë vetë. Shumë besonin se ajo do të zgjaste edhe më pak. Me vetëm 24% të vendeve në Parlament, por pa aleatë koalicioni, çdo lëvizje dhe çdo veprim i qeverisë së tij ka qenë një negociatë e ndërlikuar. Teksa vendi po bëhet gati për zgjedhjet e ardhshme, gjasat më të mëdha janë që paraliza aktuale, e cila ka mbërthyer Spanjën, mund të përkeqësohet. Socialistët duken të vendosur për të fituar numrin më të madh të vendeve në Parlament, por Parlamenti i ri do të përbëhet nga pesë parti, falë ardhjes edhe të partisë së re ultra-nacionaliste, Vox. Një gjë është e sigurt, askush nuk mund të formojë një mazhorancë qeveritare. Në vend të kësaj, mundësitë janë që të formohet një tjetër qeveri e përkohshme e pakicës.
Një model i tillë është bërë i njohur kohët e fundit, në vende të ndryshme europiane, ku votuesit e ngazëllyer braktisin partitë tradicionale të së djathtës dhe të majtës dhe zgjedhin të mbështesin një numër të madh grupesh politike të reja. Vitin e kaluar, fragmentimi politik ka shkaktuar vonesa të zgjatura në formimin e qeverive në Gjermani, Itali, Suedi dhe Estoni. Pas zgjedhjeve të saj të papërfunduara javën e kaluar, edhe Finlanda ka gjasa që t’i bashkohet këtij grupi.
Edhe në rastin kur qeveritë arrijnë të formohen përfundimisht, ato kanë tendencë të jenë të dobëta, gjë që shoqërohet edhe me rritjen e mosbesimit të popullit ndaj politikanëve të zgjedhur, apo me bashkimet kaotike si ajo e së djathtës nacionaliste dhe së majtës rebele në Itali. Franca ka qenë një përjashtim, por edhe vlerësimet e fundit ndaj Presidentit Emmanuel Macron kanë rënë ndjeshëm. Mund të jetë tunduese të thuash se paraliza aktuale politike nuk është e thënë të vijojë me një situatë politike më të rëndë. Mariano Rajoy, i cili humbi votimin e besimit qershorin e kaluar, arriti që ta menaxhojë mirë qeverinë e tij të pakicës.
Rritja e këtij viti në 2.1% është ngadalësuar mjaft në krahasim me nivelin mbi 3% që ishte gjatë 2015, 2016 dhe 2017 teksa Spanja po rikuperohej me sukses nga përçarja e krizës së Eurozonës, duke zvogëluar si deficitin buxhetor ashtu edhe shkallën e lartë të papunësisë. Spanja po përballet me probleme të shumta, të cilat një qeveri e dobët nuk do të ishte absolutisht në gjendje që t’i zgjidhte.
Për të mbështetur rritjen, ajo ka nevojë për më tepër reforma në sistemin e arsimit, pensioneve, strukturën e ndërlikuar politike dhe tregun e punës. Rreziku është se një qeveri e re e drejtuar nga socialistët, e cila mund të zgjedhë të mbështetet në partinë e krahut të majtë, do të pengonte realizimin e disa prej këtyre pikave, duke shkaktuar mosmiratim e radhës të buxhetit. Qeveria e ardhshme duhet të merret edhe me krizën e Katalonjës, qeveria rajonale e së cilës shpalli pavarësinë pas një referendumi antikushtetues në vitin 2017.
Qeveria e Katalonjës, nëntë nga ish-udhëheqësit e së cilës tani janë në burg dhe po gjykohen me akuza që mund të rezultojnë në dhënien e dënimeve të larta, tani ka në krye liderë të rinj dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të saj janë zëvendësuar. Katalonja ka shkaktuar probleme në formimin e çdo qeverie të re. Socialistët favorizojnë dialogun, por partneri i tyre potencial, partia Ciudadanos, është kundër tij. Alternativa, për krijimin e një koalicion mes partisë PP dhe asaj të Ciudadanos, është një perspektivë shqetësuese e një tjetër lloji.
Ajo do t’u ofronte katalanasve separatistë vetëm konfrontime të mëtejshme, dhe me shumë mundësi do të detyroheshin që të sillnin në qeveri edhe partinë Vox për të krijuar një mazhorancë. Dhe për një komb që ka luftuar kaq shumë kundër fantazmave të nacionalizmit të Frankos, ky do të ishte padyshim një hap në drejtimin e gabuar.