Flet Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank
Sfida, absolutisht më e rëndësishmja, është elementi i strukturës së sistemit bankar, përfundimi i këtij procesi të ristrukturimit. Çfarë sistemi bankar do të kemi pas një, dy apo tre viteve dhe kjo do të jetë një përcaktuese e fortë, pasi zhvillime të tilla kanë efekt, që nuk jepet për gjashtë muaj apo një vit, por më vonë.
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës suaj në 2017-n?
Sistemi bankar, edhe këtë vit, e kreu detyrën e vet, shënoi një rritje pozitive të depozitave dhe kredive, si dhe rezultoi me fitimin nga veprimtaria e tij. Shumë shpesh, në opinion nënçmohet elementi i fitimit, madje profitabiliteti i bankave shihet si një gjë e dëmshme, por në fakt është gjë pozitive, sepse inkurajon zhvillimin dhe forcimin më tej të sistemit bankar, përfshirë edhe zgjerimin e aktivitetit të tij.
Kjo është një gjë pozitive, jo vetëm për sistemin bankar, por edhe për shtetin, pasi prej vitesh sistemi bankar i dhuron shtetit një mungesë të problemeve dhe kokëçarjeve. Sistemi bankar nuk është problematik në vend dhe kjo është një prej detyrave të rëndësishme të tij.
Nga ana tjetër, në kryerjen e detyrës së sistemit bankar, mund të thuhen rezerva sa i përket ritmit të rritjes së kreditimit, sepse Shqipëria me të gjithë parametrat, sidomos për sa i përket volumit të kreditimit ndaj GDP, është më poshtë se sa duhet të jetë, në krahasim me ritmet e rritjes së ekonomisë. Prej kohësh, ritmi i rritjes në këtë drejtim nuk është aq i lartë sa e kërkon situata. Në tendencën e kreditimit të ulët, një pjesë e problemit mund të jetë në anën e ofertës, por duket qartë që më shumë është problemi në anën e kërkesës së kredisë.
Sa i përket Union Bank, në fillim të vitit të kaluar prisnim që 2017-a të ishte vit edhe më i mirë dhe kështu ndodhi. Vazhdojmë me ritmet e rritjes dyshifrore në aktivitetin e bankës, dhe me realizimin e një fitimi dyshifror krahasuar me kapitalin e angazhuar në bankë. Kështu realizojmë objektivat tanë, që edhe të rritemi. Që rritja të jetë e qëndrueshme, duhet që edhe kapitali të zgjerohet. Ne i realizuam të dyja objektivat, si atë të rritjes së aktivitetit të bankës, ashtu dhe të kthimit nga kapitali.
Si e prisni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës suaj për vitin 2018?
Sa i përket sistemit bankar, pres që ai përsëri do ta kryejë detyrën e vet, që të jetë një sistem stabël, që të mos i krijojë kokëçarje shtetit, që do ta kryejë funksionin e vet primar, por viti mund të jetë sfidues për arritjen e ritmeve të rritjes.
Mendoj dhe shpresoj se, përsëri, sistemi bankar do ta gjejë rrugën dhe do të kemi rritje në dy komponentët kryesorë. Do të vijojë trendi i ritmit të rritjes, sado i vogël, por përsëri do ta kemi një rritje. Megjithatë, ka disa faktorë që mund ta shtyjnë sistemin bankar të lëvizë në drejtim të kundërt. Nga njëra anë, në kahun e depozitave, kam pak frikë se nisma e de-euroizimit mund të sjellë dekurajim të rritjes së depozitave në valutë që vijnë zakonisht nga emigracioni.
Kjo mund të vijë si rrjedhojë e uljes së mëtejshme të normave të interesit, por edhe në një lloj fryme që sikur nuk janë të mirëpritur. Si rrjedhojë mund të ketë një stepje të emigrantëve në sjelljen e fondeve dhe kjo mund të sjellë ulje të depozitave në valutë, të cilat edhe vitin e kaluar u rritën më shumë sesa depozitat në lek. Mund vetëm të shpresojmë të ketë një konvertim të tyre dhe rritje të depozitave në lekë. Kjo është një pikëpyetje e cila mund të realizohet ose jo.
Nga ana tjetër, procesi i kreditimit mbi pasqyrat e deklaruara te Tatimet, në njëfarë forme vështirëson dhe stigmatizon aksesin e kompanive të vogla ndaj kredisë, të cilat zakonisht kanë problemin jo vetëm të çështjes së evazionit fiskal, por shpesh dhe të një kompetence më të vogël për prodhimin e pasqyrave financiare të mira dhe të sakta. Dhe ky element i privimit të një sektori që nuk është edhe aq i vogël, mund të sjellë vështirësi në rritjen e kreditimit. Kjo do të varet edhe nga fakti se sa aktiviteti kreditues i bankave do të mund të zhvendoset te kompanitë që kanë pasqyra të mjaftueshme të mira që ta realizojnë këtë.
Në Union Bank, edhe për vitin 2018, presim që ai të jetë më i mirë, ky është viti i katërt radhazi, në të cilin ne arrijmë rezultate edhe më të mira. Pres që edhe 2017-a të mbyllet me një rritje dyshifrore si të aktivitetit tonë, të kredive dhe depozitave, dhe njëkohësisht të arrijmë edhe kthimin dyshifror të kapitalit.
Si e vlerësoni strategjinë e procesit të de-euroizimit? Çfarë efektesh do të ketë?
Si një ish-punonjës i një bankë qendrore (e rajonit), në përgjithësi e di se me çfarë serioziteti vepron një bankë qendrore, nivelin e lartë të profesionalizmit, të seriozitetit me të cilin përgatiten politikat. Ata kanë avantazhin që kapin më mirë sentimentin e tregut nga të gjithë lojtarët e tregut, shohin më mirë edhe përvojat ndërkombëtare dhe përfitojnë jashtëzakonisht shumë edhe nga kontaktet që kanë me institucionet si FMN, Banka Botërore etj., që i japin një rol të rëndësishëm konsultativ në mjaft drejtime, ekonomisë së vendit. Si rrjedhojë, ata kanë gjithmonë një avantazh në caktimin e masave.
Prandaj, nuk dyshoj se ky është një sistem i masave që është i pjekur mirë dhe që është menduar që të jetë i mirë. Efektet do të duhen të shihen. Nga njëra anë, sepse të gjithë ne urojmë dhe dëshirojmë që të rritet forcimi i rolit të lekut, valutës kombëtare në ekonominë tonë. Por, nga ana tjetër, përdorimi i valutës së huaj në ekonominë kombëtare nuk ka qenë rezultat i ndonjë kompleksi masash, nuk ka pasur VKM apo rregullore të Bankës Qendrore që ka nxitur përdorimin e euros. Shumë interesante është se si Shqipëria u konvertua nga dollari në euro, pasi nuk kishte ndonjë organ që e mori këtë vendim dhe e drejtoi.
Çfarë dua të them është se përdorimi i euros është një gjë që buron nga agjentët ekonomikë dhe kjo për arsye objektive të një ekonomie të vogël dhe të hapur, me një komponent të fortë të emigracionit. Përdorimi i euros është rezultat i këtyre elementeve objektive. Si rrjedhojë, masat që tentojnë që ta ndryshojnë, ose që e shtyjnë situatën objektive drejt një zhvillimi, mund të rezultojnë nga njëra anë, joefektive, sepse faktorët objektivë janë më të fortë se sa faktorët e vendimmarrjes rregullative, apo qeveritare mbi to. Nga ana tjetër, mund të shkaktohet një dëm më i madh pasi sforcohen agjentët ekonomikë, pasi ky mund të jetë një element që nuk përkon me situatën e tyre objektive.
Prandaj këtu, edhe më shumë, rritet nevoja dhe besimi që Banka Qendrore e di punën e vet, që ajo ka caktuar një plan masash që do të jenë njëkohësisht edhe efektive dhe jo të dëmshme; që do ta ndjekë situatën në vazhdim, pasi ndonjëherë nuk mund të projektohen rezultatet. Masat projektohen, por jo rezultatet. Edhe duke adaptuar politikën, sipas sinjaleve që vijnë nga tregu dhe sipas parametrave të tjerë ekonomikë, patjetër në bashkëpunim edhe me aktorët e tjerë të politikës ekonomike dhe masa të tjera në ekonominë reale, mund të arrihet që të forcohet roli i lekut në ekonomi, pa elementet e dëmshme të sforcimeve jo objektive në këtë treg.
Ka një lëvizje shumë të madhe në treg në procesin e shitblerjes së bankave, si e shihni ju?
Unë e shoh nga njëra anë me pozitivitet, nga ana tjetër me shqetësim. Në kahun pozitiv, këtë mund ta quajmë si rikonstruktim i sistemit bankar, të cilit i bën mirë që një pjesë e bankave që, ose nuk e kanë gjetur veten, ose kanë pasur probleme me sfidat jo të vogla të banking-ut shqiptar, ose për arsye të tjera e kanë humbur vullnetin që të jenë në Shqipëri dhe të jenë aktive, në rritje etj., të zëvendësohen me operatorë të rinj, që kanë synime më optimiste, që duan rritje.
Nga njëra anë, përfitojmë nga konsolidimi, sepse numri realisht i madh i bankave do të ulet në një numër që do të jetë më i mirë për shtetin, por pa cenuar parimin e konkurrencës. Nga ana tjetër, mirë do të ishte që të kishim një strukturë bankare të tillë që, në fund të procesit do të jetë e mirë për vendin, për sistemin bankar. Ana pozitive këtu është që kjo pjesë e bankave, që siç e përmenda më lart, nuk e kanë gjetur veten, ose nuk kanë qenë të pozicionuara mirë, ose kanë hasur vështirësi në adaptimin ndaj shqetësimeve të ekonomisë reale, të zëvendësohen në një formë.
Nga ana tjetër, ka një shqetësim, pasi ritmi është pak më i lartë, sesa do të ishte optimali dhe sistemi bankar ka një nevojë të fortë stabiliteti. Sistemi bankar është një sistem që, nga natyra e vet, është konservativ, tradicional dhe që ndërmjet stabilitetit dhe dinamizmit, më shumë i shkon stabiliteti dhe kujdesi, sesa dinamizmi dhe shpirti sipërmarrës, i marrjes së risqeve, i hyrjes në punë të reja, pra i një orientimi më agresiv në treg. Edhe për shtetin është më mirë që sistemi bankar të jetë më i kujdesshëm, pak më stabël. Këto ndryshime janë më të shpejta se sa një organizëm dhe një trup stabël do t’i preferonte.
Nuk kemi se çfarë të bëjmë, sepse bankat vendosin të dalin atëherë kur dalin dhe kush vendos të blejë do të blejë në atë moment. Momentin nuk mund ta caktojë shteti apo Banka Qendrore. Koincidenca e disa daljeve e bën një proces më të shpejtë, që më jep një element shqetësimi. Rezultatet do të maten pas përfundimit të procesit, se çfarë sistemi bankar do të kemi. N.q.s. ai sistem bankar siguron konkurrueshmërinë dhe sigurinë njëkohësisht, atëherë ne do të dalim me rezultat pozitiv neto nga i gjithë ky zhvillim. Kjo, më së shumti, do të varet nga interesat e blerësve, nga transaksionet që do të ndodhin dhe nga roli kyç i bankës qendrore, pasi ajo vendos se çfarë sistemi bankar do të hyjë, daljen s’e kontrollon, por hyrjen po.
Nisur nga zhvillimet në procesin e de-euroizimit dhe konsolidimit, cilat shihni si sfida të sistemit bankar në të ardhmen?
Pikërisht këto janë sfidat. Për mua, numri një, absolutisht më e rëndësishmja, është elementi i strukturës së sistemit bankar, përfundimi i këtij procesi të ristrukturimit. Çfarë sistemi bankar do të kemi pas një, dy apo tre viteve dhe kjo do të jetë një përcaktuese e fortë, pasi zhvillime të tilla kanë efekt, që nuk jepet për gjashtë muaj apo një vit, por më vonë. Ka shtete, si Kosova, ku të njëjtin ristrukturim të sistemit bankar e bëri në kushtet e interesit të bankave perëndimore për hyrjen për sistemin bankar.
Ristrukturimi i sistemit bankar erdhi me një lloj elementi, si korrigjim i gabimeve të hershme, ku sistemi bankar i Kosovës u lehtësua nga koincidenca e hyrjes së bankave të huaja në treg.
Tani duket se nuk është epoka e hyrjes dhe zgjerimit të bankave të huaja në Shqipëri, prandaj nëse dalim me një sistem bankar jo optimal, nuk do të kemi mundësinë e një procesi të kundërt të korrigjimit të tij. Ndaj, absolutisht parësore është struktura e sistemit bankar. Këtë e shoh si sfidë parësore.
Sfida të tjera ekzistojnë, si de-euroizimi, kreditimi në bazë të pasqyrave financiare reale, si efekt i luftës ndaj evazionit fiskal, të cilat do të sjellin ndryshime, por edhe në ekonominë reale. Përsëri sistemi bankar ndjek ekonominë reale. E kemi për detyrë të jemi ndër sektorët më të mirë të ekonomisë dhe deri tani e kemi realizuar këtë gjë. Do të kisha sfiduar çdokënd që të listojë disa sektorë njëkohësisht, që janë më të mirë se sistemi bankar, me gjithë dobësitë, ineficiencat dhe inefektivitetet që kemi. Kështu që ne do të vazhdojmë të jemi një ndër sektorët më të mirë në ekonominë reale. Mirëpo, nuk mund të shkëputemi aq nga ekonomia reale sa ta bëjmë një diferencë të tillë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.