Shumë qytete europiane janë miqësore për biçikletat, por makinat shpesh vazhdojnë të dominojnë rrugët. Në një nismë të re për të përmirësuar Planin Velo ekzistues për një qytet më miqësor për ҫiklistët, Parisi po investon 250 milionë euro (290 milionë dollarë) për ta bërë qytetin tërësisht të qarkullueshëm me biçikletë.
Kjo do të thotë se nëse dëshironi të lëvizni me biçikletë nga Harku i Triumfit në Viaduc des Arts, do të jeni në gjendje ta bëni këtë në mënyrë të sigurt.
Ndryshimet e planit aktual, të quajtura Plani Velo: Akti 2, janë planifikuar që ta bëjnë Parisin plotësisht miqësor për ҫiklistët deri në vitin 2026. Propozimi vjen nga kryebashkiakja Anne Hidalgo, e cila i rifitoi zgjedhjet me një rezultat të konsiderueshëm në qershor 2020, pjesërisht falë fokusit të saj në më shumë masa për çiklizmin.
Parisi nuk ka qenë gjithmonë i njohur për lehtësinë e lëvizjes së njerëzve me biçikleta, krahasuar me lëvizjen me makina ose me metro. Por pas pandemisë dhe pas një greve të fundit të sektorit të transportit në vitin 2019, shumë njerëz i janë drejtuar biçikletës për të lëvizur nëpër qytet. Vetëm gjatë pandemisë, më shumë se 50 kilometra (31 milje) nga ato që ishin korsi të përkohshme për biçikleta, të quajtura korona-pista, tani janë bërë të përhershme.
Sipas Planit Velo: Akti 2, i cili shtrihet nga viti 2021 deri në vitin 2026, Hidalgo synon të shtojë edhe 130 kilometra të tjera (mbi 80 milje) korsi të sigurta për biçikleta në të gjithë qytetin, pa llogaritur korona-pistat. Plani gjithashtu do të shtojë më shumë lehtësi për çiklistët, do të transformojë disa zona parkimi makinash në parkime biçikletash dhe do të rrisë masat e mirëmbajtjes për korsitë e biçikletave, si heqja e borës dhe pastrimi.
Qyteti tashmë është në proces për heqjen e më shumë se 70% të vendeve ekzistuese të parkimit në rrugë, të përcaktuara për automobila. Plani Velo: Akti 2 parashikon gjithashtu masa për t’i mësuar fëmijët të ngasin biçikleta në shkolla, shtimin e shërbimeve të riparimit në çdo lagje të qytetit dhe inkurajimin e turizmit të çiklizmit.
Plani i parë, Plani Velo, shtrihej nga viti 2015 deri në 2020 dhe shtoi atë që njihet si REVe, një rrjet çiklizmi ekspres në aksin veri-jug dhe atë lindje-perëndim, si dhe përgjatë Senës. Tani, qyteti shpreson të çojë më tej iniciativat e tij të nxitjes së përdorimit të biçikletave, pasi gjithmonë e më shumë njerëz po i drejtohen çiklizmit për të lëvizur nëpër Paris.
“Pajisjet e monitorimit të trafikut të biçikletave shënuan një rritje në korsitë e biçikletave prej mesatarisht 47% midis 2019 dhe 2020 dhe me 22% midis 2020 dhe 2021. Në disa akse, rritja midis 2019 dhe 2020 shkon deri në 60%”, thuhet në planin fillestar.
Kështu, Parisi po përgjigjet duke shtuar gjithsej mbi 180 kilometra (112 milje) korsi me dy drejtime lëvizjeje, të dedikuara për çiklistët, si dhe duke i bërë më të sigurta korsitë e biҫikletave nga trafiku i makinave përgjatë 390 kilometrave (242 milje) korsi me një drejtim lëvizjeje. Qyteti gjithashtu planifikon të konfigurojë semaforët për t’i dhënë avantazh atyre që zgjedhin të lëvizin me biçikletë ose të përdorin transportin publik, në vend që të ngasin makinën.
“Deri më tani, trafiku automobilistik ka qenë i favorizuar nga sistemi i semaforëve, – thuhet në planin e ri. – Tani e tutje, prioritet u jepet autobusëve, tramvajeve dhe biçikletave, falë sistemit të ‘valës së gjelbër’ (vendosje specifike e semaforëve).”
Këto masa do ta ndihmojnë qytetin në arritjen e qëllimit të tij për t’u bërë një nga vendet më miqësore për biçikletat në botë. Me suksesin e vazhdueshëm, Plani Velo: Akti 2 mund të inkurajojë edhe metropolet e tjera në mbarë botën për të ndjekur të njëjtin shembull. / World Economic Forum