Parku fotovoltaik i Spitallës, çmimi tavan 55 euro, 30 MW do tregtohen në treg të lirë

20/11/2020 10:48 AM 0 komente

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi të enjten e kësaj jave garën ndërkombëtare për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës në Durrës. Nga ana e MIE ende nuk është publikuar pjesa e dokumenteve të garës por Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dha detajet në një përmbledhje të saj për këtë projekt. Sipas AIDA sipërfaqja ku do të ndërtohet parku fotovoltaik është 120.85 hektarë dhe ka akses të mirë infrastrukturor.

“Toka ndodhet në zonën me potencialin më të lartë të gjenerimit të energjisë diellore fotovoltaike Rrezatimi diellor maksimal horizontal varion nga 3.2 – 4.8 kWh/m2 , duke përbërë një zone interesante për investitorët” thuhet në dokument.

I njëjti nënvizon se Parku Fotovoltaik i Spitallës do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 MW nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.

Ashtu si në ankandin paraardhës çmimi tavan është vendosur 55 euro edhe pse kjo vjen në kushtet kur tashmë Shqipëria ka një tjetër çmim referencë për projekte të kësaj natyre shumë herë më të ulët siç është ai i Karavastasë. Kompania franceze Voltalia ofroi  24,89 euro për megavat.

Po kështu edhe vetë Enti Rregullator i Energjisë ka ulur vazhdimisht çmimin për impiantet fotovoltaikë deri në 2MW duke kaluar nga 100 euro/MWh në rreth 71 euro/MWh. Kjo tregon tendencën rënëse të çmimeve tek fotovoltaikët në mënyre të vazhdueshme por që nga qeveria është vendosur sërish çmimi tavan 55 euro.

Dokumenti i AIDA jep detaje edhe për mënyrën sesi do të vijojë procesi nga hapja e garës deri në lidhjen e kontratës si dhe afatet për secilën hallkë.

  • Shpallja e ankandit – 19 Nëntor 2021
  • Dorëzimi i Ofertave – 1 Shkurt 2021
  • Vlerësimi i kritereve kualifikuese dhe teknike – 11 Shkurt 2021
  • Ankimimi nga Pjesëmarrësit – 22 Shkurt 2021
  • Kthimi i përgjigjes për Ankimimet – 1 Mars 2021
  • Hapja Publike e Ofertave dhe Shpallja e Fituesit – 2 Mars 2021
  • Lidhja e Kontratës – 2 Prill 2021

Rama: Javën e ardhshme zhbllokohet procesi për Aeroportin e Vlorës, hapet gara për parkun fotovoltaik në Spitallë

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of