Parku i Liqenit të Farkës, një projekt që parashikohet të zbatohet nga Bashkia e Tiranës është ankimuar së fundmi nga një operator ekonomik (Kompania 2N) lidhur me procedurën e prokurimit. Ky i fundit ka kundërshtuar skualifikimin e ofertës teksa Komisioni i Prokurimit Publik ka administruar edhe kërkesën me argumentimin e kundërshtimit. Ndërkohë që nga Bashkia e Tiranës po vijon procedura për mbikëqyrjen e zbatimit të projektit në fjalë.
Por çfarë parashikon parku i liqenit të Farkës. Bashkia e Tiranës në dokumentet e procedues sqaron se referuar planit strategjik 2030, synon të krijojë njollën e Pyllit Orbital përcaktuar në këtë plan, nëpërmjet zgjerimit dhe zhvillimit të hapësirave të gjelbra në parqe recreative ekzistues dhe ndërtimin e parqeve të reja duke përdorur teknologji innovative.
Ndikimi kryesor që do të ketë ky projekt sipas Bashkisë do të jetë në turizëm duke pritur një numër në rritje të vizitorëve.
“Në përfundim të realizimit të këtij projekti, pritët të rritet ndjeshëm numri i vizitorëve të parkut qofshin ata vendas dhe të huaj. Vec ekonomive përreth, do të mund të përfitojnë edhe operatorët turistikë të cilët do të kenë një ofertë më të pasuruar për turistët duke krijuar në këtë mënyrë një zinxhir zhvillimi që do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të qytetit pas pasojave të lëna nga tërmeti dhe pandemia. Parashikohet pas vitit të parë të investimit që do të ketë një rritje me të paktën 30 % të frekuentuesve” thuhet në dokument.
Bashkia e kryeqytetit ka argumentuar se me këtë projekt synon shndërrimin e Liqenit të Farkës si një destinacion turistik dhe kthimin e parkut të liqenit të Farkës në bërthamën e zhvillimit të Polit të ri “Farkë-Qytet Studenti”.
“ Kështu, përmirësimi i infrastrukturës rekreative dhe elementëve dekorativë në parkun e liqenit të Farkës, do të mundësojë rivitalizimin e zonave përreth duke u shndërruar në një aset dhe vlerë e shtuar për qytetin”.
Zona e Farkës ka marrë zhvillim vit pas viti me një interes të lartë për ndërtime ku ndër të tjera për komplekse vilash.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.