Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit, projekti për ndërhyrje nga kampingu tek parkimet

07/09/2020 10:58 AM 0 komente

Një projekt i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura parashikon disa ndërhyrje në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit dhe specifikisht në zonën e shenjtë ku kryhet pelegrinazhi i përvitshëm bektashian. Ndërhyrjet parashikojnë nga ato të thjeshtat në pjesën e rrugës deri te ngritja e një kampingu në këtë zonë, në funksion të pelegrinëve, krijimi i ambienteve të përbashkëta, si dhe ngritja e zyrës së AKZM po në këtë zonë.

Së pari, parkimi që sot mungon do të ketë një hapësirë (rreth 8000 m²) me kapacitet rreth 40 furgonë dhe 120 vetura në dispozicion të pelegrinëve. “Parkimi do të jetë i pajisur me ndriçim dhe i shtruar me element betoni me hapësirë në mes, për mbjelljen e barit, duke bërë në këtë mënyrë integrimin e gjelbërimit në hapësirat këmbësore dhe të parkimit” thuhet në dokument.

Në krahun e majtë të parkimit mendohet të krijohet një zonë e pajisur me bazamente betoni, në të cilat fiksohen tavolina dhe stola me strukture metalike dhe dru në shërbim të pelegrinëve.

“Në veri të zonës së ndërhyrjes është menduar të ndërtohet një kamping, në mënyrë që pelegrinët të kenë mundësi të ngrenë çadrat për qëndrimin disa ditor. Hapësira e kampingut është rreth 2500 m² dhe është menduar të furnizohet me energji elektrike dhe ujësjellës në shërbim të çadrave. Në hapësirën e kampingut është parashikuar dhe ndërtimi i një nyje sanitare të re” thuhet në dokument.

Në jug të hapësirës së kampingut është parashikuar dhe ndërtimi i një ambienti për zyra të AKZM, me sipërfaqe rreth 40 m², njëkatëshe, e cila do të jetë në shërbim të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura që menaxhon Parkun Kombëtar Mali i Tomorrit.

Parku Kombëtar i Malit të Tomorrit është zonë e mbrojtur që nga viti 1996. Zona kategorizohet me shkallë të dytë të nivelit të mbrojtjes, që përjashton shfrytëzimet, zëniet dhe aktivitetet intensive të njeriut.

Ky park u zgjerua në me një Vendim të veçantë të Këshillit Kombëtar të Territorit vitin e shkuar i cili synon shmangien e aktivitetit të guroreve në këtë zonë që vazhdonin prej vitesh. Mali i Tomorrit çdo vit, nga data 20 deri në 25 gusht, shndërrohet në një vend pelegrinazhi për besimtarët bektashinj, ndërsa viteve të fundit ka një orientim edhe drejt turizmit malor në zonë, edhe pse kjo mbetet ende e vakët dhe pa një marketim të qartë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of