Komisioni për Kulturën dhe Edukimin në Parlamentin Europian kërkoi një rregullore për agjentët e futbollit, duke mbështetur planet e FIFA-s për të reformuar industrinë e agjentëve.
Një raport i eurodeputetit Tomasz Frankowski thotë se është “nevoja për një rregullore të aktiviteteve të agjentëve” dhe nxit “autoritetet sportive përgjegjëse të sigurojnë zbatimin [e tyre] të shpejtë”.
Raporti theksonte se disa nga masat e fundit të FIFA-s, si Clearing House, janë një hap përpara në drejtimin e duhur. Raporti do t’i japë FIFA-s më shumë mbrojtje për të çuar përpara reformat e saj, të cilat janë ndeshur me kundërshtime të forta nga agjentët. FIFA po konsultohet me palët e interesuara mbi të ardhmen e tregut të transferimeve.
Javën e kaluar, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino tha se nuk është “e drejtë” që agjentët e futbollistëve kanë kërkuar 700 milionë euro në komisione në 2019-n. Infantino këshilloi që një llogaritje matematikore e vlerës së një futbollisti mund të zëvendësojë sistemin e komisioneve të transferimeve.
Infantino tha: “Në vitin 2019, janë shpenzuar 7 miliardë euro për tarifat e transferimit, 700 milionë euro kanë shkuar për komisionet e agjentëve dhe 70 milionë euro si kompensim solidariteti për ekipin”.
“Diçka nuk është në rregull kur dëgjojmë këto shifra. 7 miliardë për transferime. 700 milionë për agjentët. Dhe vetëm 70 milionë për stërvitjen e lojtarëve. Kjo nuk është e drejtë dhe diçka duhet të ndryshojë në këtë drejtim. Dhe ne po e ndryshojmë atë.”