Parlamenti Europian votoi sot (dje) për të mbështetur propozimet e diskutueshme për të reformuar të drejtën e autorit – duke përfshirë edhe një shtrirje për të mbuluar pjesë të përmbajtjes (Neni 11) dhe për t’i bërë platformat përgjegjëse për shkeljet e të drejtave të autorit nga ana e përdoruesve të tyre (Neni 13).
Votimi plenar në Parlamentin Europian u zhvillua mbi propozimet e ndryshuara që ishin refuzuar nga deputetët europianë në një votim në korrik, me parlamentarët që ishin shprehur pro një debati më të gjerë dhe masash më të ekuilibruara. Miratimi është një fitore e madhe për eurodeputetin Alex Voss që drejtoi reformën e së drejtës së autorit.
Eurodeputetët i mbështetën gjerësisht propozimet e ndryshuara të Voss, të cilat kanë reduktuar shtrirjen e tekstit të refuzuar, si në rastin e Nenit 11, duke lejuar që link-et të përmbajnë fjalë të veçanta të përmbajtjes të lidhura me tekstin e botuesve, një përpjekje për t’ju përgjigjur kritikëve sipas të cilëve ligji do të përjashtonte hyperlink (që shpesh mund të përmbajnë titullin e një artikulli).
Sa i përket Nenit 13, propozimi i ndryshuar i Voss kishte zvogëluar hapësirën e aplikimit të platformave që përmbajnë “sasi të konsiderueshme” përmbajtjeje” që gjithashtu i “promovojnë” ato. Ligji parashikon edhe një përjashtim për sipërmarrjet e vogla.
Ndërkohë që ligji u miratua, Voss duartrokiti, përgëzoi dhe përqafoi deputetët pranë tij. “Deputetë të Parlamentit Europian, një falënderim nga zemra për punën që kemi bërë së bashku. Kjo është një shenjë e mirë për sipërmarrjet në sektorin inovativ”, tha Voss pas votimit, i cili kërkoi që raporti të kthehej në Komision për të nisur negociatat institucionale me Shtetet anëtare, nëpërmjet Këshillit Europian.
Julia Reda, eurodeputete e Partisë Pirate dhe zv.presidente e grupit Greens/EFA – një kritike e fortë e reformës për të drejtën e autorit – tha se Parlamenti votoi “vetëm ndryshime kozmetike” – duke përsëritur shqetësimin e saj që propozimi do të rezultojë në platforma që kanë vendosur filtra upload që do të kapnin “përmbajtje të përkryera ligjore si parodi apo memes”.
“Është një rezultat i tmerrshëm për përdoruesit, konsumatorët, inovatorët dhe kërkuesit” shtoi eurodeputetja Catherine Stihler. “Kjo nuk do të sjellë asgjë për ekonominë dixhitale europiane, do të mbysë lirinë e fjalës dhe do të krijojë barriera për hyrjen në treg të startups-eve të reja europiane”.
Computer & Communications Industry Association (Shoqata e Industrisë së Kompjuterëve dhe Komunikimeve), e cila gjithashtu nuk i përkrah reformat, i bëri thirrje Këshillit dhe Parlamentit “të arrijnë një rezultat më të ekuilibruar në negociatat finale”.
“Na vjen keq që pjesa më e madhe e deputetëve të Parlamentit Europian sot i injoroi paralajmërimet e sektorit online, akademikëve, botuesve të rinj dhe instituteve të kërkimit dhe grupeve për të drejtat civile mbi kërcënimet reale që sjell ky ligj” tha në një deklaratë, Maud Sacquet, senior policy manager.
Edhe BEUC, Organizata Europiane e Konsumatorëve, e denoncoi rezultatin e votimit, duke paralajmëruar që nëse planet që deputetët europianë mbështesin sot bëhen ligj europian “avantazhet e internetit për konsumatorët do të jenë në rrezik”.
“Është e pakuptimtë që politikëbërësit e BE-së refuzojnë gjithnjë e më shumë të sjellin ligjin mbi të drejtën e autorit në shekullin XXI. Sot përdoruesit e shprehin veten duke eksperimentuar, duke krijuar e duke ndërthurur muzikë, video dhe imazhe dhe më pas i ndajnë krijimet e tyre online. Eurodeputetët kanë vendosur ta pengojnë këtë liri fjale, që është e rrezikshme për kreativitetin dhe inovacionin”, tha Monique Goyens, drejtor i përgjithshëm i BEUC në një deklaratë.
Ligji u miratua me 438 vota pro, 226 kundër dhe 39 abstenime.
Burimi: techcrunch