Lista e gjelbër. Baza militante e partisë dëshiron të luftojë ndryshimet klimatike pa energji bërthamore
Këto janë kohë të shkëlqyera për të qenë anëtar i Partisë së Gjelbër në Francë. 81% e të anketuarve në një sondazh të kohëve të fundit, thanë se ndryshimi i klimës ishte një “problem shumë serioz”, nga 69% në vitin 2015, shkruan The Economist.
Zjarret, përmbytjet dhe ngricat janë një kujtesë e zymtë e rreziqeve mjedisore. Në zgjedhjet lokale, vitin e kaluar, Partia e Gjelbër Europe Écologie Les Verts, fitoi kontrollin e disa qyteteve të mëdha, përfshirë Bordonë, Lionin dhe Strasburgun. Dhe rritja e popullaritetit të të Gjelbërve në Gjermani, ka rritur shpresat për një përparim të ngjashëm në Francë, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Të Gjelbrit po përgatiten për të zgjedhur një kandidat presidencial, në votimin me dy raunde në shtator. Deri tani numërohen 5 kandidatë, dhe gara është ende e hapur, sepse vetëm 17,000 njerëz janë regjistruar për të votuar. Zgjedhja e kandidatit është në duart e përkrahësve fanatikë të partisë, të cilët, sipas një anëtari, “janë militantë dhe më të majtë se vetë socialistët”. Të Gjelbrit mund të përfundojnë duke zgjedhur një kandidat që kënaq bazën radikale, por nuk tërheq votuesit.
Të Gjelbrit francezë u angazhuan si grup partiak pas lëvizjes antibërthamore të viteve 1960 dhe kombinuan ambientalizmin radikal me thirrjet për më shumë ndërhyrje sociale. Në fakt, ata duan të hiqet dorë nga përdorimi i energjisë bërthamore, megjithëse kjo e fundit prodhon 70% të energjisë elektrike në Francë dhe nuk lëshon karbon. Ata zotohen gjithashtu se do të rivendosin një taksë mbi pasurinë, të cilën presidenti Emmanuel Macron e hoqi dhe duan të ulin orët e punës nga 35 në 32 orë në javë. Duket qartë se partia është “më e majtë se të Gjelbrit gjermanë”, thotë një anëtar.
Yannick Jadot, një udhëheqës kombëtar, është kandidati më i njohur i partisë, pasi ka fituar nominimin e të Gjelbërve për zgjedhjet presidenciale në vitin 2017. Ai konsiderohet si më i moderuari dhe është distancuar nga ekstremistët e majtë dhe fushatat e tjera radikale të partisë. Megjithatë, çuditërisht, kjo parti shpesh i ka shpërfillur kandidatët më të preferuar, gjë për të cilën zoti Jadot është i vetëdijshëm, pasi ai vetë mundi kandidaten e mëparshme më të preferuar, Cécile Duflot.
Mbështetje më të gjerë në të ardhmen mund të marrë edhe Sandrine Rousseau, ekonomiste radikale. Një vit para lëvizjes #MeToo, ajo akuzoi një deputet të Partisë së Gjelbër për ngacmim seksual. Rousseau e quan veten një “eko-feministe”: kundër “të gjitha formave të abuzimit”, qoftë të planetit apo trupit të njeriut, dhe kundër qëndrimit “merre, përdore, flake tutje”. Këto mesazhe mund të jenë tërheqëse për brezin e ri, sidomos gratë.
Një tjetër kandidat i mundshëm i bazës militante është Eric Piolle, kryetari i bashkisë i qytetit Grenoble. Ai përkrah një “hark humanist”, duke tërhequr socialistët në të majtën ekstreme. I nxitur nga rizgjedhja në vitin 2020, ai dëshiron t’i tregojë Francës se nuk është thjesht një politikan që fokusohet tek imazhi i të qenët ekologjik, duke shëtitur me biçikletë përpara kamerave.
Kur e pyetën pse të Gjelbrit nuk po arrijnë dot të tërheqin votuesit jashtë qyteteve të mëdha, Piolle u përgjigj: “Përkundrazi, është presidenti ai që flet vetëm me votuesit në qytetet e mëdha. Fatkeqësitë e fundit të lidhura me motin, i kanë ndryshuar pikëpamjet rurale”.
Megjithatë, të Gjelbrit vazhdojnë të kenë reputacionin se janë tërheqës vetëm për votuesit në qytetet e mëdha. Zoti Jadot këmbënguli javën e kaluar se ai nuk është “anti-bujqësisë”. Fermerëve të vegjël në zonat e thella të Francës, që hedhin pesticide në fushat e tyre dhe naftë në automjete, nuk u pëlqen të dëgjojnë kritika nga ambientalistët që i akuzojnë si të papërgjegjshëm.
Për më tepër, Franca nxori një mësim nga lëvizja Gilets Jaunes mbi rreziqet e rritjes së taksës së karbonit për karburante – edhe pse Piolle argumenton se protestat në fakt kishin të bënin më shumë me “drejtësinë sociale”. Njerëzit e zakonshëm ndiheshin të ndëshkuar, thotë ai, ndërsa të pasurit, të cilët kryejnë fluturime private për udhëtimet e fundjavës, përfitonin ulje taksash. Lëvizja që atëherë është zbehur.
Të Gjelbrit gjithashtu vuajnë nga reputacioni se kanë ide të pazakonta dhe jopopullore. Për shembull, kryebashkiaku i Bordosë anuloi pemën vjetore të Krishtlindjeve të qytetit. Kryebashkiaku i Lionit sulmoi Tour de France, një sport tepër i pëlqyer kombëtar. Kur Piolle denoncoi përdorimin e rrjetit 5G, Macron u tall me ata që duan të imitojnë një “model strikt Amish”.
Zgjedhja e kandidatit të të Gjelbërve do të përcaktojë gjithashtu nëse të Gjelbrit apo Socialistët do të bëhen forca kryesore në të majtën franceze në vitet e ardhshme. Një betejë e ngjashme po zhvillohet edhe në të djathtë, midis nacionalistëve të moderuar që kërkojnë të fitojnë vota nga nacionalistja e fortë Marine Le Pen dhe politikanëve të qendrës së djathtë që shpresojnë të marrin vota nga Macron.
Do të varet shumë nga fakti nëse e majta mund të bashkohet pas një kandidati të vetëm. Zoti Jadot shënon 7-8% në sondazhe. Nëse rivalët nuk i eliminojnë dallimet e tyre, të Gjelbrit do të përballen edhe me rivalë socialistë, komunistë dhe të tjerë. Mesa duket, hapësira në të majtë të zotit Macron, është e mbushur me njerëz po aq sa një korsi biçikletash në Paris. Ky në fakt është një lajm i mirë për presidentin.