Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar mocion për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti. Nënkryetarja e VV-së, Arbërie Nagavci, ka numëruar siç ka thënë ajo dështimet e kësaj Qeverie Ajo ka dhënë arsyet se pse Qeveria Hoti duhet që të rrëzohet.
Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje po planifikon ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti.
Një gjë e tillë u bë e ditur në konferencën e sotme të kësaj partie nga deputeti, Rexhep Selimi, i cili tha se VV-ja tashmë ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve. “Nga sot Vetëvendosje nis mbldhjen e nënshkrimeve për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë”, tha Selimi
I pyetur se a kanë mbështetjen e partive të tjera për këtë mocion, Selimi tha se pretendojnë t’i marrin votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë “Hoti”, pa specifikuar nëse kanë pajtimin e PDK-së, apo jo.
Kurse deputetja Arbërie Nagavci e quajti qeverinë aktuale ” qeveri jokushtetuese dhe joligjore”.
“Kjo qeveri është jokushtetuese dhe jo ligjore, ajo e ka dëshmuar tash se është e paaftë për të qeverisur vendin. Kosovës i duhet një Qeveri që dëshmoi se mund të qeveriset me duar të pastërta”, tha Nagavci.
Ajo ka thënë se Kosova ka pasë nevojë për qeverisje të mirë.
“Kosovës i nevojitet një qeverisje që e dëshmoi se mund të qeveriset me duar të pastra. Kjo Qeveri e katastrofës humanitare që po e çon, vendin duhet të shkojë. Kjo Qeveri nuk ka as si të na përfaqësojë në skenën ndërkombëtare. Ndër vendimet e para që mori ishte heqja e reciprocitetit. Po ashtu hoqi dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Edhe pse pa platformë kjo Qeveri po mundohet të tregojë se po negocion me Serbinë. Por, si përfaqësues nxjerr një njeri që nuk ka legjitimitet. Kosova ka pasur gjithmonë nevojë për një Qeveri të mirë, por tash më tepër se kurrë më parë. Një Qeveri që ka dëshmuar se di të udhëheq me duar të pastra, di të menaxhojë me pandemi dhe se interesin publik e ka në rend të parë”.
Kritika Vetëvendosje pati edhe për menaxhimin që kjo Qeveri po bënë me pandeminë Covid -19. Sipas deputetëve të VV-së vendi po shkon drejt një katastrofe humanitare.
Kujtojmë se në mars të këtij viti ish- Qeveria Kurti ishte rrëzuar me ngritjen e mocionit të mosbesimit pikërisht nga LDK-ja, partneri i atëhershëm i saj, pas një seri përplasjesh me njëra tjetrën.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.